Mbahet aktivitet i veçantë sportiv në Prishtinë

02 tetor 2025 | 12:52

Në ambientet e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë është organizuar një aktivitet i veçantë sportiv në kuadër të projektit “Move Up”, një iniciativë e mbështetur nga Bashkimi Evropian përmes programit ERASMUS dhe e zbatuar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

Ky projekt ka për qëllim promovimin e përgjegjësisë sociale dhe përmirësimin e mirëqenies fizike e mendore të qytetarëve, veçanërisht të moshave të mesme dhe të treta.

Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti sportiv është të ndihmohet në parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike, si diabeti i tipit 2 dhe hipertensioni, duke nxitur një stil jete më aktiv dhe më të shëndetshëm.

Aktiviteti ka përfshirë tre lloje sportesh të përshtatura për këtë grupmoshë: ⁠futboll në ecje (Walking Football), basketboll në ecje (Walking Basketball) dhe Catchboll.

“Këto sporte janë të dizajnuara që të jenë të sigurta, të lehta për t’u ndjekur dhe shumë të përshtatshme për pjesëmarrësit mbi moshën 40 vjeç (gra) dhe 50 vjeç (burra)”, ka njoftuar FFK-ja.

Sipas këtij njoftimi, të pranishëm në këtë aktivitet ishin pjesëmarrës të shumtë nga komuniteti lokal e ish-sportistë të cilët me shumë entuziazëm morën pjesë në lojërat e zhvilluara.

“Atmosfera ishte motivuese dhe përplot energji pozitive, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë që ka sporti në ndërtimin e një komuniteti më të shëndetshëm dhe më të bashkuar. Ky projekt do të vazhdojë nga dita e sotme dhe përgjatë gjithë kohës do të rekrutohen persona të rinj, me qëllim që çdo lagje të krijojë ekipin e saj dhe të zgjerohet më tej shtrirja e këtij projekti. Federata e Futbollit e Kosovës, përmes këtij angazhimi vazhdon të dëshmojë përkushtimin e saj për promovimin e sportit si një mjet të rëndësishëm në shëndetin publik dhe integrimin social”, ka njoftuar FFK-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar statistikat e bilancit të…