Mbahet punëtori dyditore për hartimin e Projektligjit për Ndihmë Juridike Falas

24 nëntor 2025 | 13:05

Më 21-22 nëntor, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas (ANJF) – Ministria e Drejtësisë, me mbështetjen e projektit të UNDP-së “Voices of Justice”, ka realizuar punëtorinë dyditore për hartimin e Projektligjit të ri për Ndihmë Juridike Falas.

Punëtoria u hap nga Anita Alaj-Kalanderi, kryesuese e Grupit Punues dhe Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë, e cila theksoi rëndësinë e këtij procesi dhe nevojën për një kornizë moderne ligjore.

Fjalën e morën gjithashtu Faton Jashari, u.d. drejtor ekzekutiv i ANJF dhe Ardian Latifaj, menaxher i projektit “Voices of Justice” – UNDP.
Diskutimet tematike dhe procesi i analizës së dokumenteve u udhëhoqën nga eksperti i angazhuar, prof. dr. Visar Morina.

Punëtoria mblodhi së bashku anëtarët e grupit punues, ekspertë juridikë, përfaqësues institucionalë dhe të shoqërisë civile, të cilët kontribuuan në trajtimin e sfidave të ligjit aktual dhe në formulimin e rekomandimeve për përmirësim.

Diskutimet u fokusuan në sfidat në zbatimin e ligjit ekzistues, strukturën institucionale dhe harmonizimin me standardet evropiane, shqyrtimin e draft-koncept dokumentit, kriteret e përfitimit dhe identifikimin e kategorive të cenueshme, modelet e financimit, sfidat buxhetore dhe hapat e mëtejshëm drejt finalizimit të projektligjit.

Ky projektligj synon të fuqizojë ANJF-në dhe mekanizmat institucionalë që garantojnë qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët, veçanërisht për grupet më të cenueshme.

ANJF shpreh mirënjohje për kontributin e të gjithë pjesëmarrësve dhe partnerëve, veçanërisht Ministrisë së Drejtësisë dhe UNDP-së, për mbështetjen e vazhdueshme në përmirësimin e sistemit të ndihmës juridike në Republikën e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhomat e Specializuara të Kosovës, sërish, po tregojnë që nuk…