Një garë emocionuese në tri fronte është duke u zhvilluar për fitimin e “Këpucës së Artë” për sezonin 2024–2025, me Kylian Mbappé, Mohamed Salah dhe Viktor Gyökeres që janë në duel për të fituar trofeun prestigjioz që i jepet golashënuesit më të mirë të Europës.
Ky çmim nuk jepet thjesht për numrin e golave, por llogaritja bazohet në një koeficient të vështirësisë së kampionatit, duke favorizuar golat e shënuar në ligat më të forta të kontinentit.
Mbappe rikthehet në garë
Kylian Mbappe, pas tripletës në “El Clasico”-n dramatik dhe golit ndaj Mallorcas, është rikthyer fuqishëm në garë. Ai ka në dispozicion edhe dy ndeshje në La Liga, ndaj Sevillas dhe Real Sociedad, për të shtuar më shumë pikë në renditje.
Salah, dy ndeshje për të bërë historinë
Mohamed Salah ka po aq kohë në Premier League për të rritur shanset e tij. Me Liverpoolin tashmë kampion, egjiptiani do të luajë ndaj Brighton dhe Crystal Palace, ku do të kërkojë të përfitojë maksimalisht.
Gyökeres, një shans i vetëm në Portugali
Ndërsa Viktor Gyökeres, i cili ka bërë një sezon fantastik me Sporting Lisbona, do të ketë vetëm një mundësi për të vendosur gjithçka: sfidën ndaj Vitoria Guimaraes në javën e fundit të kampionatit portugez.
Fituesi i “Këpucës së Artë” do të vendoset në detaje, ku çdo gol mund të bëjë diferencën. Spektakli është i garantuar në këtë duel mes tre prej sulmuesve më të mirë të momentit në Evropë.