Mbi një mijë fëmijë vrapuan në Prishtinë për Ditën Olimpike

20 qershor 2025 | 13:00

Mbi një mije fëmije te shkollave fillore të Prishtinës kanë realizuar sot vrapimin olimpik dhe kanë praktikuar disiplina te ndryshme sportive në kuadër të Ditës Olimpike.

Ky aktivitet i organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës në kuadër të Javës Olimpik, vjen në moton “Le të lëvizim” që ka për qëllim ta tregojë rëndësinë e aktivitetit sportiv në shëndetin e fëmijëve.

Në hapje të Ditës Olimpike, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, theksoi se lëvizja është shumë e rëndësishme për fëmijët pasi i bënë ata më të shëndetshëm.

“Është dita kur festojmë sportin, dita kur festojmë shëndetin dhe lumturinë tuaj…Ky vit ka qenë mjaftë masovik dhe kemi pasur përkrahje të jashtëzakonshme nga të gjitha komunat e Kosovës, pra nga 26 komuna…Dita olimpike dhe motoja e kësaj dite ‘Let’s move’, apo ‘Të lëvizim’ është shumë e rëndësishme për ju fëmijë të dashur sepse të lëvizim, na bënë të shëndetshëm, të merremi me sport. Besoj që shumica prej jush merreni me sport e disa të tjerë kanë synime që të merren me sport…Komiteti Olimpik do të jetë gjithmonë krahë jush, gjithmonë do ta keni përkrahjen tonë sepse ju jeni e ardhmja e Kosovës”, tha Krasniqi.

Ndërsa, kryetari i Federatës së Atletikës së Kosovës, Halil Sylejmani, deklaroi se përmes këtyre aktiviteteve, Kosova po i tregon botës që e ka prioritet marrjen me sport.

“Faleminderit të gjithë juve që keni ardhur sot bashkërisht që të vrapojmë, të bashkohemi, të tregojmë që jemi të shëndosh, të merremi me sport, e kryesisht me atletikë, sepse atletika është mbretëresha e sporteve…Kemi punuar për një muaj e gjysmë për këtë ditë që ta shënojmë dhe t’i tregojmë Federatës Botërore të Atletikës dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që ne kemi fëmijë, vajza dhe djem të cilët sot këtë ditë do ta shënojnë në paqe dhe në liri të gjithë së bashku”, tha Sylejmani.

Përveç Prishtinës, aktivitet të ngjashme janë shënuar gjatë kësaj jave edhe në 26 komuna të Kosovës./kp

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova mund të jetë një shtet i vogël, por ajo…