Mbretëresha Qiellore: Papa Leoni XIV kërkoi paqe për Gazën, Mianmarin e Ukrainën

18 maj 2025 | 13:35

Në përfundim të meshës për fillimin e papnisë, Leoni XIV tha lutjen e Mbretëreshës Qiellore bashkë me të pranishmit në Sheshin e Shën Pjetrit e përreth tij, më se 100 mijë vetë, të cilët i falënderoi nga zemra, përfshirë edhe shtegtarët e ardhur në Romë me rastin e Jubileut të Vëllazërive fetare, që përfundoi sot. “Mbani gjallë trashëgiminë e madhe të përshpirtërisë popullore, u tha atyre.

“Gjatë meshës – vuri në dukje Ati i Shenjtë – ndjeva praninë e fortë shpirtërore të Papës Françesku, i cili na shoqëron nga Qielli. Në këtë përmasë të bashkimit të shenjtorëve, kujtoj se dje në Chambéry të Francës, u lumnua meshtari Camille Costa de Beauregard. Ai jetoi ndërmjet fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, dëshmitar i dashurisë së madhe baritore”.

E më pas, Papa nuk harroi popujt, që vuajnë, për shkak të luftës.

“Në Gaza, fëmijët, familjet dhe të moshuarit e mbijetuar po vdesin urie. Në Mianmar, armiqësitë e reja kanë marrë jetë të rinjsh të pafajshëm. Ukraina e martirizuar, më në fund, pret bisedimet për një paqe të drejtë dhe afatgjatë”.

Të gjitha këto probleme botërore, por edhe shërbimin e tij si Ipeshkëv i Romës e Bari i Kishës Universale, Papa Leoni XIV ia besoi Zojës, në veçanti, Nënës së Këshillit të Mirë, Pajtores së shqiptarëve, fugurja e së cilës ndodhej sot në altar. Asaj i kërkoi ndërmjetësim për paqe, për të mbështetur të vuajturit e hirin për të qenë të gjithë dëshmitarë të Krishtit të Ringjallur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lajm i shumëpritur për shqiptarët që kanë punuar ndër vite…