
Mbrojtja e Thaçit do t’i përdor dëshmitë e Albright dhe Holbrooke
Në konferencën përgatitore të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, për paraqitjen e provave nga pala mbrojtëse, ekipi mbrojtës i Hashim Thaçit ka bërë të ditur se në listën e dëshmitarëve të saj përfshihen figura të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë dëshminë e ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright dhe Richard Holbrooke.
Duke e ditur që dëshmitë mund të pranohen me shkrim, avokati Pierre-Richard Prosper deklaroi gjatë seancës se mbrojtja ka një numër të gjerë dëshmitarësh, disa prej të cilëve janë emra të njohur në diplomacinë ndërkombëtare.
“Kemi një numër të gjerë dëshmitarësh. Nuk mund t’i them emrat në publik, por bëhet fjalë për persona me ministaturë të lartë, si për shembull sekretarja Albright, Richard Holbrooke, senatori… Informacioni që kemi është shfajësues dhe është e rëndësishme për ta vendosur në kontekst”, ka thënë Prosper, duke shtuar se dëshmitë lidhen drejtpërdrejt me pretendimet e Prokurorisë.
Madeleine Albright ka ndërruar jetë në vitin 2022, ndërsa Richard Holbrooke ka ndërruar jetë në vitin 2010.
Gjykatësi Charles Smith III, ka konfirmuar më herët se më 5 dhe 7 gusht, mbrojtja e Thaçit ka dorëzuar identitetin dhe informacionin sipas Rregullit 119(2) për tre dëshmitarë shtesë.
Sipas tij, përmbledhjet e pesë dëshmitarëve të tjerë që mbrojtja synon të thërrasë, ende mbeten të paplotësuara.
Avokati Luka Mishetiq, ka sqaruar se deri tani janë zbuluar identitetet e të gjithë dëshmitarëve të mbrojtjes dhe janë dorëzuar deklaratat për shtatë prej tyre.
“Për një dëshmitar, përmbledhja do të dorëzohet pasi të marrim autorizim nga Mbretëria e Bashkuar gjatë kësaj jave”, ka thënë ai.
Për katër dëshmitarë të tjerë, ai bëri të ditur se është zbuluar identiteti, por përmbledhjet nuk janë ofruar ende.
Një anëtar tjetër i ekipit mbrojtës tha se informacionet shtesë janë në pritje, pasi kërkesat për dokumentacion janë bërë tek ofruesit e të dhënave – përkatësisht tek institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjykata Speciale ka marrë vendim që më 15 shtator të nis paraqitja e provave nga mbrojtja.
Kështu ka dhënë urdhrin gojor gjykatësi Smith.