Mbyllet përkohësisht ura e Milotit, konstatohet rrezik serioz për sigurinë

25 korrik 2025 | 21:53

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vendosur mbylljen e plotë të urës auto-hekurudhore të Milotit, me një gjatësi prej 788 metrash, pas konstatimit të dëmtimeve të konsiderueshme që përbëjnë rrezik serioz për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e kalimit.

Sipas njoftimit zyrtar, ekspertiza teknike ka zbuluar probleme të theksuara në themelet mbështetëse të urës, erozion të avancuar në bazament si pasojë e shfrytëzimit të pakontrolluar të zhavorrit në shtratin e lumit, si dhe gërryerje të përgjithshme në të gjithë strukturën lumore.

Në kushtet e trafikut të rënduar, veçanërisht gjatë sezonit veror, autoritetet kanë marrë vendimin për të ndërprerë plotësisht qarkullimin mbi urë, deri në përfundimin e një ndërhyrjeje emergjente që aktualisht është në fazën e hartimit nga ARRSH në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës.

Ndërkohë, si pjesë e programit kombëtar “100 Ura”, i mbështetur nga Banka Botërore, është planifikuar edhe ndërtimi i një ure të re që do të zëvendësojë strukturën ekzistuese.

Për të lehtësuar lëvizjen gjatë kësaj periudhe, ARRSH u bën thirrje qytetarëve të përdorin rrugët alternative Lezhë–Milot dhe Rrugën e Kombit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më shumë se 220 deputetë britanikë nga nëntë parti të…