
McLaren përballë një sfide të brendshme, rivaliteti Norris-Piastri, thikë me dy presa
Andrea Stella e ka transformuar McLaren-in në vetëm dy sezone, duke e rikthyer ekipin britanik në elitën e Formula 1. Me një organizim të përmirësuar dhe një drejtim teknik modern, McLaren fitoi titullin e konstruktorëve në vitin 2024 për herë të parë pas 26 vitesh. Një sukses i ndërtuar mbi filozofinë fituese që Stella trashëgoi nga përvoja e tij te Ferrari i Schumacher-it, por edhe mbi ide të reja, të përshtatura për garat e sotme.
Pjesë e këtij vizioni të ri janë dy pilotët e rinj: Lando Norris dhe Oscar Piastri. Të dy të talentuar, të etur për fitore, por ende pa trofe të mëdhenj. Stella ka zgjedhur të mos vendosë hierarki klasike “pilot i parë – pilot i dytë”, si dikur me Schumacher-in e Barrichello-n, por t’u japë të dyve liri të plotë për të garuar dhe konkurruar mes tyre.
Kjo zgjedhje është interesante në teori, por mund të kthehet në ‘boomerang’. Kur makina është dominuese, si në kohët e Senna-Prost, një duel i brendshëm mund të tolerohet. Por në një kampionat të ngushtë dhe të rivalizuar, si ky i vitit 2025, kjo filozofi mbart rreziqe serioze.
Max Verstappen, edhe me një Red Bull më pak konkurruese, vazhdon të jetë një kërcënim real. Fitorja e tij në Imola dhe diferenca prej vetëm 22 pikësh nga kreu janë një paralajmërim.
Vitin e kaluar, McLaren e humbi titullin për shkak të gabimeve të pilotëve dhe strategjive të dyshimta. Nëse Piastri dhe Norris fillojnë të “hanë pikët” e njëri-tjetrit, Verstappen mund të përfitojë si një ujk që pret momentin e dobësisë. Harmonia brenda ekipit është jetike, por pyetja që shtrohet është: a do të mbijetojë kjo paqe mes Oscar-it dhe Lando-s deri në fund të sezonit? Sepse në Formula 1, talenti është i rëndësishëm, por bashkëpunimi është shpesh vendimtar.