
MD-ja reagon pas raportimeve se avokati Misetiq mund të largohet: Janë paguar mbi 32 milionë euro për Hagë, për Thaçin 5.3 milionë
Ministria e Drejtësisë (MD) ka reaguar pas raportimeve se ka mundësi që avokati i ish-presidentit Thaçi, Luka Misetiq, të largohet nga mbrojtja e Thaçit për shkak të mungesës së mjeteve financiare.
MD-ja ka bërë me dije se deri më 24 korrik 2025 janë realizuar pagesa të rregullta në funksion të përkrahjes së mbrojtjes juridike.
“Ministria e Drejtësisë njofton opinionin publik se nga fillimi i procesit gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara në Hagë e deri më datë 24.07.2025, janë realizuar pagesa të rregullta në përputhje me marrëveshjet dhe obligimet e përcaktuara paraprakisht, në funksion të përkrahjes së mbrojtjes juridike”, ka njoftuar MD-ja.
Në total janë paguar 32 milionë e 944 mijë e 287 euro e 77 centë, e nga kjo shumë për Thaçin janë shpenzuar mbi 5 milionë euro.
“Nga fillimi i procesit në total janë paguar 32,944,287.77€ (tridhjetë e dy milion e nëntëqind e dyzet e katër mijë e dyqind e tetëdhjetë e shtatë euro e shtatëdhjetë e shtatë cent). Nga kjo shumë, për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi janë shpenzuar total: 5,353,301.02 € (pesë milion e treqind e pesëdhjetë e tre mijë e treqind e një euro e 2 cent)”, ka njoftuar MD-ja
MD-ja ka shtuar se pagesat do të bëhen në përputhje me dispozitat përkatëse ligjore dhe marrëveshjet në fuqi.
“Pagesat janë realizuar në mënyrë të rregullt dhe transparente dhe do të vazhdojnë të bëhen në përputhje me dispozitat përkatëse ligjore dhe marrëveshjet në fuqi. Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për të garantuar një proces të drejtë dhe të balancuar përmes përkrahjes së vazhdueshme juridike, në përputhje me parimet e drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut”, ka njoftuar MD-ja.