Më 10 qershor 1999 na morën peng nga burgu i Lipjanit, na dërguan në burgjet e Serbisë

30 maj 2021 | 16:08

Rrëfime nga i mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës, Nait Hasani.

Pas gjuajtjeve me rafalë të një nate më parë, që nuk pushuan gjatë, dhe britmave të policëve e gardianëve që u dëgjohen fortë në dhomat tona ishte e pritshme që të ketë ndodhur diçka e madhe. Sepse deri atë ditë nuk kishte këso britmash e as rafalë të tilla. Hapnin veshët të dëgjonim ndonjë bisedë, po asgjë nuk dallohej as dëgjohej mirë. Ne vetëm pritnim se çka do të ndodhte me neve brenda tashmë pas kësaj hataje të rafalëve të gjatë.

Pas u errësua e nuk dëgjohej asgjë dhe zhurma u ndal, ne pritnim kur të hapen dyert e çdo të ndodh me neve. Ne duke pritur disa që i kishte mundur lodhja e pagjumësia i kishte zënë gjumi. Vetëm  dhembjen i kthenin në këtë botë dhe ëndrrat që shihnin dhe i komentonin. Asnjë zhurmë e kaploi  heshtja  burgun e Lipjanit, as  dhe qentë nuk lehnin, sikur dhe ata kishin hetuar asgjë.

Nëpër ndërtesa kishte filluar një aksion i policisë e gardianëve me ushtar. Kishin filluar t’i lidhnin të burgosurit me litar me duar prapa. Ne në dhomë me të plagosur që ishim aty për sa ditë, kishim mbet si të veçuar nga të burgosurit të tjerë. Neve na lidhnin plagët e qepnin pa pirë fare. Bënin  eksperiment a po mundemi me i duruar dhembjet sepse ishim të pa dhimbshëm për policinë dhe gardianët. Ata dhembje nuk ndjenin, por ata kënaqeshin në dhimbjen tonë. Ishin të flaktë në ndjenjat e tyre, u pëlqente  kur bërtisnin të plagosurit kur ju hapnin plagët.

Por kjo natë mbetet natë e veçantë, të burgosurit që ishin rëndë të plagosur që i kishin dërguar në  spital të Prishtinës me u shëruar i kthyen ne dhomën tonë. ATA TREGONIN SI I KISHIN RRAHUR MJEKËT TË BURGOSURIT TË PLAGOSUR. Ata mjekë që kishin dhënë betimin e Hipokratit. Ata aty pa i pirë fare kishin bërë dhe amputime të pjesëve të trupave dhe britma kishte shkuar në kupë të qiellit. Por me ardhjen e tyre ashtu të rraskapitur u lehtësuan vuajtjet dhe dhimbjet, sikur ishin të mpimë në ndjena. Sepse çdo të ndodhte të ndodh për të gjithë. Fatin ta kishim të përbashkët. Të gjitha këto dhe të tjera tregime rrëqethëse, na ndërpre nga zhurma ne korridor. Aty tashmë ndiheshim shumë ecje të këpucëve, shumë  zhurmë e pak fjalë. A mos ndoshta nxjerrin për pushkatim grupe-grupe. Apo i mbytnin me çekiç e tupan ashtu si dikur për të nëpër bodrume të kishave e xhamive dhe nëpër  shtëpi burgje, gjatë shpërnguljeve të ndryshme të shqiptarëve nga trojet e veta që i kisha lexuar nga kronistë  serb e gjeneral të ushtrisë serbe. Asgjë nuk  dihej çka po ndodhte në korridor. Vetëm  zhurme dhe  ecje të çizmeve.

Afër mëngjesit u dëgjuan zhurma e makinave nëpër oborr të burgut si dhe jashtë saj si dhe zhurma e njerëzve me uniforma. Dhe filluan duke u rritë zhurma dhe duke thënë shpejt shpejtë.  Sapo u zbardh edhe tek ne u hap dera, pritnim mos po na japin bukë. Por nuk ishte buka vetëm se ishte urdhri i gardianit. Shpejtë të bëheni gati dhe me dal jashtë. Neve aty të plagosur dhe si me përtesë ngriheshim duke e shikuar njeri tjetrin. Rroba nuk kishim. S’kishim çka me bërë gati. Për çudi nuk na lidhen duart, sepse mezi ecshim. Ashtu duke na shtyrë na vendosën rreth në korridor. Pasi dolëm të gjithë, gardiani hyri në dhomë me shikuar a kemi dalë të gjithë. Dhe dha urdhër të nisemi nëpër  kordonin e gardianeve. Ecëm  dhe dolëm në oborr. Atu pamë autobusët që na prisnin. Ashtu siç ishim duke u hamendur hipëm në autobusë që kishin logot e “Expres Nish” dhe “Lasta”. Të gjithë që ishim të plagosur dhe tjerë. Aty na u afrua një gardian, që kishte qenë dhe në burgun e Prishtinës gardian  që na kishte ruajtur  e rrahur neve. Nxori prangat, ma kapi dorën dhe më lidhi për kariokë të autobusit, njërën e kisha të plagosur tjetrën pa plagë. Ai doli në fillim të autobusit. Mbushi armën automatike. E bëri gati. Dha urdhër kokën poshtë të gjithë mos me këqyrë për dritare dhe pse kishte dritaret të mbyllura me perde e vështirë të dukej jashtë. I ulëm kokat poshtë dhe pritnim lëvizjen e autobusit. Ne nuk dinim asgjë çka kishte ndodhur përveç  atyre zhurmave që ndodhën natën e mbrëmshme. Tashme ishim në autobus të gjithë të plagosurit të ulur në ulëse ashtu si mundin nga plagët. Unë isha në ulëset  gati të fundit dhe i lidhur. Qova kokën me pa nga dritarja. Lëvizje të shumta  të gardianëve e policëve.

Shoferi gardian e ndezi autobusin i mbylli dyert dhe i dha gaz e u nisëm për në drejtimin e paditur. Nën lëvizjen e autobusit edhe plagët na lëndonin e krijonin dhembje, sepse autobusi ishte i vjetër dhe me ulëse të forta me skaj lëkure me ngjyrë të kuqe. Autobusi ecte e luhatej dhe neve na krijonte  dhembje e here-here ofshanim. Sa here ofshanim ne, shoferi na shikonte ne pasqyre, a mos kemi bërë ndonjë  lëvizje. U lëshuam një teposhte zë e nga luhatjet e perdes e pash se jemi diku në Prishtinë në Veternik. Gardiani na hetoj që po shikojmë edhi e na goditi në kokë dhe urdhëroj mos me ngritë kokën më sepse pastaj pasojnë rrahjet. Ashtu i lidhur me kokën ulur, dorën e plagosur pa ujë, pa bukë, pa asgjë,  buzët na ishin terur na ishin tharë. As pështymë  s’kishim për t’i lagur buzët. Ecte autobusi e ne nuk dinim se ku po na çonin, nuk dinim çka kishte ndodhur në Kosovë. Vetëm buria e  autobusit kur përshëndetej me dikë na tërhiqte vëmendjen. Autobusi ecte e ne të përhumbur në mendime. Na mbuloi përsëri kujtesa me lloj-lloj situate nga fusha e sportit e pushkatimi në Dubravë, deri te Lipjani e dhimbjet e padurueshme të plagëve që na  shkaktuan nga dajaku. Në këto çaste mu kujtua libri “Vdekja më vjen prej syve të tillë” e Qosjes. Macja i ka shtatë shpirtra, në këtë kalvar duke u përballur me sfida e kundërshtova Qosjen, thash nëse macja i ka shtatë shpirtra njeri i paska tetë shpirtra. Dhe një ndalje e autobusit një harkim dhe tejkalim, na dha mundësi me pa në rrugë nga luajtja e perdeve, Tanke dhe ushtar serb në tanke duke ecur ne drejtim të njëjtë me  autobusin. Neve ishim nisur për Serbi dhe bashkë me ne dhe tanket me ushtarë Serb. Diçka e madhe kishte ndodh, ama ne nuk dinim akoma çka ka ndodhur. Autobusi vazhdonte rrugën dhe ne nga lodhja e molisja pa ujë e pa buke ne Lipjan. Tash dhe kjo rruge me këtë autobus me këto ulëse sa me shumë  që truset nëpër gropa aq më shumë po na shkakton dhimbje. Dhe ai duke ecur e ne duke menduar fatin tonë në këtë ecje jetësore.

Oborri i burgut të Nishit me të burgosur

Tashmë kur i pash këto tanke e ushtar duke ikur nga  Kosova, dhe ne  duke  “ikur” me ta nga Kosova me autobusë, sikur me tingëllon në vesh se ne ishim marre peng. Dhe ku do të na pushkatonin. Sepse nuk kishte arsye që veve të na merrnin me veti.

Ne peng të shtetit serb. Tashmë  edhe më të pa qartë e bënë çështjen e jetën tonë kjo gjendje. Ne nga lodhja vetëm sa nuk binim nga ulësja në tokë.

Pas disa orësh rrugë që i bëmë u ndal autobusi tek një portë. Në hyrje të saj, shumë zhurmë. Flisnin serbisht. Krejt të armatosur. Gjithnjë sa isha në qeli vetëm njëherë një vit e gjysmë vetëm në një  dhomë pa askënd pa asnjë shtyp a gazetë pa asgjë, veç kur vinte një gardian shqiptar dhe kur nuk e shihte kush me fliste dhe me thoshte mos u mërzit ‘mirë bëhet’. Mirë po behet, malet janë mbushë dhe bënte me dorë me armë. Kuptoja se po bëhej luftë dhe lufta kishte filluar. Dhe në shëtitjen nëpër dhomë kujtoja vargjet e poezisë së Gurakuqit. Në kundërshtim nuk bënë me u ligështua, mjerë ai që nuk qëndron. Kjo me mbante moralisht, në shpirt më jepte forcë, ideali kombëtar, për me qëndruar vertikalisht përpara bishave. Te porta sikur nuk donte të hapej dera. Ne në autobus sy e vesh mos po dëgjonim ndonjë fjalë. Autobusi  lëvizi nga vendi  dhe mori rrugë. Ai ecte e neve na lodhte mendimi. Na lodhte lodhja që ishim pa ngrënë e pire asgjë. Ai ecte dhe ne me të me kujtimet në kokë. Filloj të ngryset dita, dhe u futëm në një qytet tjetër. Aty  sapo ra muzgu dhe autobusi u ndal në një oborr nga rrugëtimi gjithë ditor. Hapen dyert dhe u dha urdhri të dilnin të burgosurit. Dolën të gjithë, mbeta vetëm unë në autobus, jo që kisha dëshirë por se isha i lidhur për karrige. Ata duke zbritur i priste kordoni i gardianëve me shkopinj gome e druri. Sillnin sa mundnin mbi të burgosur. Më pas hyri gardiani bërtiti pse s’po del edhe ti nga autobusi, i thash jam i lidhur për karrige. Erdhi mi zgjidhi duart dhe filloj të sillte mbi mua ashtu pa mëshirë.

Duke zbrite të tjerët pritnin si bishat dhe filluan me sa fuqi që kishin duke sjellë në çdo vend të trupit sa dhe me çizme sillnin. Sillnin dhe mbi një tjetër të burgosur sa mundnin, i shkreti ishte shtri për tokë dhe nuk mund të lëvizte. Ishte Nezir Zogaj. Ai kishte këmbën e thyer nga dajaku në burgun e Nishit dhe e kishte në gips këmben. Sillnin mbi të e mbi mua. Ashtu duke sjell mbi mua e kam kap për krahu bacën Nezirin  dhe e ngrehja zhag. Një zë ka bërtite nuk di nga ka ardhur, ‘ndaluni bisha mos sillni heu zoti ju vraftë’, në shqip. Me vonë e kuptova se ai që kishte bërtite ishte Riza Xhakli, i gjykuar për rastin e Paraqinit. Unë nuk e lëshoja nga dora dhe e tërhiqja me sa fuqi që kisha bacën Nezë. Ashtu deri te dera edhe nëpër shkallë. Katër nga katër i nisnin për dhoma duke sjellë me dajak me ta. Dhe na erdhe rendi neve katër vetave tjerë që memxi rrinin në këmbë dhe u urdhëruam të ecnim për me shkuar me një dhomë. Gardianët na sillnin me dajak sa mundeshin dhe na futën me një dhomë në katin e tretë. Neziri mbeti aty. Hymë në dhomë katër vet. Të dërmuar e te lodhur.

Erdhën dikur me na pru dhe nga një batanije për me u mbuluar, na dhanë edhe nga një dajak të fortë e më pas e mbyllen derën. Plaga dhe krejt trupi me digjte. Me ishte bërë krejt gjak. Në dhomë kishte pasur ujë, e pimë nga pak e shuam etjen. Sikur e morëm veten. Ashtu duke rrengu nën dhembjet e lodhjen ne hekura  të shtratit ramë dhe na kishte zënë gjumi. Kur me delte gjumi mendja me thoshte ku jemi, në cilin burg, në cilin qytet jemi. Me zinte gjumi dhe me delte përsëri. Diçka e madhe ka ndodhur, largimi i ushtrisë e policisë nga Kosova, tregon qe Kosova u çlirua nga  Serbia. Pavarësisht çfarë statusi do të ketë Kosova, kryesore nuk është më nën Serbi dhe është e çliruara nga ajo nga shtypja njëqind vjeçare. Kjo ishte me rendësi për mua. Sepse kjo dhunë  e këta përmes kësaj dhune i shfrynë epshet e veta shtazarake mbi ne të lidhur e të plagosur me plagë në trup kudo.

Tashme ne ishim PENG të shtetit të Serbisë. Ne ishim peng nga vet shteti okupues. Shteti na mbante peng.

Nga kjo dite në u morëm peng nga burgu i Lipjanit, për me na dërguar nëpër burgjet e Serbisë dhe mbajtur PENGJE lufte atje.

Tashmë sa do te zgjasë ky tmerr i ri, që dukej i pafund… dhe fundi nuk i dukej askund, nuk dinim..

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtria e Kolumbisë ka rritur kontrollin në qytetin Kali, epiqendrën…