Më 6 tetor mund të ketë befasi

09 shtator 2019 | 18:07

Njohësi i rrethanave politike dhe zgjedhore Agon Maliqi ka thënë  se gara për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit është po aq e paqartë për t’u parashikuar sa janë të paqarta edhe ofertat programore.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se kontrasti mes ofertës politike dhe peshës historike të momentit nuk mund të ishte më i madh.

“Partitë janë bërë një mishmash jokoherent. I hap ekranet dhe dëgjon vetëm akuza, zëra të ngritur dhe gishta të drejtuar sa këndej e sa andej. Ndërkohë, Kosova është përballë sfidave tepër të mëdha, qoftë në rrafshin e brendshëm, qoftë në atë ndërkombëtar për të cilat partitë duhej të jepnin qartësi”, është shprehur Maliqi.

Ai ka vlerësuar se më 6 tetor mund të ketë befasi meqë, sipas tij, elektorati i Kosovës ka filluar të jetë më kërkues dhe më i paparashikueshëm. Në këtë kontekst, Maliqi e sheh të hapur terrenin për vendin e parë.

“Pa dyshim, është krejt e mundshme se do të ketë befasi. Elektorati i Kosovës ka filluar të jetë më kërkues dhe më i paparashikueshëm. Me gjasë në asnjë palë zgjedhje nuk ka qenë më e rëndësishme cilësia e fushatës. Unë terrenin për vendin e parë e shoh mjaft të hapur”, ka deklaruar ai, duke shtuar se në garën për vendin e parë (mbi 25 – 30 %) në pamje të parë duken favorite LDK-ja dhe VV-ja, kurse PDK-ja do ta ketë të vështirë.

Maliqi ka thënë se aktualisht është vështirë i parashikueshëm krijimi i koalicionit qeveritar megjithatë, sipas tij, dialogu me Serbinë do të luajë rol shumë të rëndësishëm dhe mund të jetë përcaktues për krijimin e koalicionit qeverisës.

“Epoka e re”: Z. Maliqi, si e shihni garën zgjedhore të 6 tetorit, ku tri partitë më të mëdha në vend, LDK, PDK dhe LV, do të garojnë të vetme dhe katër të tjera në dy koalicione parazgjedhore, AAK – PSD dhe Nisma – AKR?
Maliqi: Është një garë po aq e paqartë për t’u parashikuar sa janë të paqarta edhe ofertat programore. Partitë janë bërë një mishmash jokoherent. I hap ekranet dhe dëgjon vetëm akuza, zëra të ngritur dhe gishta të drejtuar sa këndej e sa andej. Ndërkohë, Kosova është përballë sfidave tepër të mëdha qoftë në rrafshin e brendshëm, qoftë në atë ndërkombëtar, për të cilat partitë duhej të jepnin qartësi. Kontrasti mes ofertës politike dhe peshës historike të momentit nuk mund të ishte më i madh.

“Epoka e re”: Pavarësisht prej përpjekjeve, nuk u arrit koalicioni parazgjedhor në mes të LDK-së dhe LV-së. Pse dështoi ky koalicion dhe a ka qenë e përnjëmendtë arritja e një marrëveshje?
Maliqi: Personalisht mendoj se krerët e të dyja palëve nuk deshën koalicion, por në rrethanat e një presioni, nga një pjesë e elektorateve kundër PDK-së brenda të dyjave, u përpoqën të dukeshin sikur e donin koalicionin dhe t’ia linin fajin palës tjetër për dështimin, për të fituar benzinë nga sentimenti kundër PDK-së. Në këtë betejë perceptimesh duket sikur me atë letrën publike të ditës së fundit të negociatave, fitues doli Albin Kurti. Në realitet, problemi me këtë koalicion nuk ishte vetëm mandatari, por edhe dimensioni programor dhe aspekti praktik i zbatimit. Votuesit e një koalicioni të tillë e dinin se kundër kujt ishte ky koalicion, por nuk do ta dinin se pro çkaje ishte, sidomos në rrethanat kur Kosova është përballë disa sfidave të mëdha. Është e çuditshme të votosh për dikë e të mos dish kush është kandidati për kryeministër. Përkundër pikave të përbashkëta në dimensionin kundër PDK-së, Osmani dhe Kurti janë politikisht shumë të ndryshëm dhe kësisoj “kontrata politike” do të ishte shumë e paqartë. Mendoj se u bë mirë se besimi po peshohet ndaras, pastaj mbi bazën e kësaj do të mund të ndërtohej (nëse ndërtohet) një koalicion i bazuar në parime programore.

“Epoka e re”: Kush mendoni se janë pretendentët për t’i fituar zgjedhjet?
Maliqi: Mendoj se ky është viti më i paparashikueshëm dhe ne si komentues rrezikojmë të bëhemi arrogantë kur flasim pa të dhëna konkrete nga anketat. Por, nga gara për vendin e parë krijohet përshtypja se mund të eliminohen koalicionet Nisma-AKR dhe AAK-PSD. Ndërkohë që Nisma-AKR-PD synon (dhe me gjasë do të dalë ta kalojë) pragun, koalicioni AAK-PSD mund të ketë rezultat të mirë, por le të themi rreth 15 përqindëshit dhe do të befasonte po të afrohej te 20 përqindëshi. AAK-ja kësaj here i ka disa dinamika në favor të vetin: popullaritetin e masave si taksa; faktin se ishte në pushtet për dy vjet dhe pati mundësi të ushqente me favore (rrugë, punësime etj.) si dhe aftësitë organizative dhe mediatike të ekipit nga PSD. Por hapësirën për zgjerim të votës e ka të kufizuar. Sidoqoftë, gara kryesore është ajo për vendin e parë (mbi 25-30 %) ku në pamje të parë duken favorite LDK-ja dhe LV-ja. Nominimi i Vjosa Osmanit duket se ka ngjallur entuziazëm tek elektorati tradicional i partisë dhe në një garë të ngushtë, pak gjëra janë më të rëndësishme se mobilizimi i strukturave. Por, do të varet nga fushata nëse Osmani do të mund të zgjerohet më tej drejt votuesve që ndër vite janë larguar prej LDK-së. Problemi i LDK-së është se jo rrallë dinë t’i humbin penalltitë nga vetëkënaqësia. Shumëçka varet edhe nga lista e deputetëve dhe cilësia e fushatës, prandaj mendoj se rezultati i mundshëm i LDK-së është minimumi ai që e kishte herën e kaluar (pra nuk pres rënie të votës), e maksimumi diçka rreth përqindjes që herën e kaluar e kishte LV-ja, pra rreth 30 për qind. LV-ja duket gjithashtu mjaft e mobilizuar, e motivuar dhe aset kryesor e ka popullaritetin e Kurtit. Problemi me LV-në është se nuk duket se ka arritur të krijojë ekip dhe as nivel organizativ të llojit të cilin e kishte në zgjedhjet e fundit kur u bë partia më e madhe. Kishte numër të konsiderueshëm dhe impresiv aderimesh, por ato ishin të momentit të fundit dhe nuk janë ngjizur mirë. Përqindja e LV-së është më së vështiri e parashikueshme. Mendoj se nuk shkon përfund 20 përqindëshit sepse LV-ja vazhdon të llogarisë në votën e protestës, por e shoh të vështirë përsëritjen e rezultatit të kaluar kur ishin bashkë me ata që sot janë në PSD, sepse kësaj here momentumin ia ul Vjosa Osmani. PDK-ja në anën tjetër duket se e ka betejën më të vështirë drejt vendit të parë. Hapësirën e zgjerimit dhe rritjes së votës e ka të vogël për shkak të konsumimit nga pushteti, ndërkohë që prej vitesh mjaft të pakënaqur janë larguar. Por frika nga humbja apo edhe nga fitorja e “armikut historik”, LDK-së, mund të jetë faktor mobilizues i bazës së PDK-së. Gjithashtu, aspekti organizativ gjithmonë ka qenë ana e fortë e PDK-së njësoj edhe si aftësia për të bërë fushatë profesionale. Këtu shumëçka varet edhe nga lista elektorale ku Kadri Veseli duhet të manovrojë mes “listës së pastër” dhe të fortëve lokalë me aktakuza që mbledhin vota. Mendoj se në këtë përpjekje PDK-ja, megjithatë, do të marrë në thua në këmbët e veta dhe e ka të vështirë vendin e parë.

“Epoka e re”: A prisni befasi më 6 tetor?
Maliqi: Pa dyshim, është krejt e mundshme se do të ketë befasi. Elektorati kosovar ka filluar të jetë më kërkues dhe më i paparashikueshëm. Me gjasë, në asnjë palë zgjedhje nuk ka qenë më e rëndësishme cilësia e fushatës. Unë terrenin për vendin e parë e shoh mjaft të hapur.

 “Epoka e re”: Si e shihni krijimin e institucioneve të reja, kush me kë do të qeverisë dhe kush do mbetet në opozitë?
Maliqi: Kjo pjesë mbetet shumë spekulative. Disa gjëra, megjithatë, duken më qartë. Duket vështirë i paramendueshëm skenari që PDK-ja të mbetet në qeveri nëse nuk del në vend të parë. Nisma-AKR-PD dhe AAK-PSD në anën tjetër po pozicionohen si partnerë koalicioni, të dyja me preferencë për LDK-në. Kushdo që e merr vendin e parë do të ketë “meny të gjerë” dhe do të jetë në pozitë të fortë negociuese. Por le ta themi se LV-ja e ka menynë e partnerëve më të ngushtë sepse shihet si partnere e vështirë. LDK-ja në vend të parë do të ishte në pozitë më komode. Gjithashtu, një gjë që nuk duhet harruar është se dialogu me Serbinë, i cili e çoi qeverinë e kaluar drejt rënies, do të luajë rol shumë të rëndësishëm, në mos edhe përcaktues për krijimin e koalicionit.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Besim Hasani dhe…