Me Hajdin Abazin kam një kujtim të luftës e me Nait Hasanin kujtime nga burgu

25 maj 2021 | 15:49

Shkruan: Sadik Zeqiri

Ambasadori Hajdin Abazi, “Lum Haxhia” i UÇK-së, së bashku me Nait Hasanin dhe disa ambasadorë të tjerë, u shkarkuan nga Qeveria e Kosovës dhe nga Presidenca nga pozitat e tyre diplomatike në gjysmë të mandatit. Këto veprime janë të dëmshme për Kosovën dhe për rrugëtimin e saj që nga paslufta e këndej. Me këtë rast do ta kujtoj një ngjarje që e kam të freskët ende.

Atëkohë i kisha ndërprerë studimet në Prishtinë dhe isha nisur për ta dhënë kontributin tim modest në radhët e UÇK-së. Kur u nisa për luftë, kryeredaktori i atëhershëm i gazetës studentore “Bota e re”, Muhamet Mavraj, më porositi të merrja disa ekzemplarë të numrave të fundit të gazetës studentore dhe t’ua dërgoja shokëve në front. Disa prej tyre ia dhashë Ahmet Mahmutajt e Ethem Çekut në Gllogjan e disa të tjerë ua dërgova, në Shtabin e Junikut, komandant Sali Veselit dhe Hajdin Abazit “Lum Haxhisë”.

Ambasadori, tashmë i shkarkuar nga Qeveria e Kosovës, ish-ushtaraku i UÇK-së, Hajdin Abazi, pasi i mori gazetat, më porositi që kur të kthehem nga Tropoja, pasi itinerari im dhe i bashkëluftëtarëve ishte të shkonim në Shqipëri për armatim, të qëndroja në Junik, sepse e pritnin, përpos angazhimet luftarake, edhe vizitat dhe takimet që duhej të bëheshin mediale. Në një prej tyre flitej dhe pritej që në Junik të vinin burrështetas të mëdhenj dhe ambasadorë të vendeve të fuqishme. Junikun e vizitoi Richard Holbrooke me bashkëpunëtorë, për të parë dhe mësuar qëllimin dhe vendosmërinë e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të gjithë rrjedhën e organizimit ambasadorit Holbrooke ia kishte shpjeguar atëkohë i ngarkuari për këtë pritje nga Shtabi i Përgjithshëm, Hajdin Abazi, me bashkëluftëtarë.

Me ambasadorin tjetër të shkarkuar, Nait Hasanin, na lidh historia e njohjes në burg. Për Naitin e burgut të Dubravës nuk di si t’ia nis këtij shkrimi, meqë ka bërë sakrificë të madhe, të cilën nuk e njoh të plotë, dhe ka treguar guxim të madh ndër vite dhe në situata të rënda. Për shembull, atje në Dubravë, të gjithë, ose shumica prej nesh, u iknim plumbave dhe vdekjes, ndërsa Naiti e ndiqte vdekjen jo se kishte dëshirë të përballej me të, por dëshironte t’i shpëtonte shokët e plagosur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liderët e Bashkimit Evropian (BE), gjatë samitit të mbajtur në…