Me qeverinë Hoti as që mund të mendohet rimëkëmbja ekonomike

10 gusht 2020 | 10:24

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga partia Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Hekuran Murati, ka adresuar kritika të shumta në adresë të qeverisë Hoti në lidhje me menaxhimin e pandemisë Covid-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike.

Murati në këtë intervistë dhënë “Epokës së re” ka thënë se me këtë qeveri as që mund të mendohet rimëkëmbja ekonomike.

“Për vetëm dy muaj qeverisje prejse erdhi në pushtet kjo qeveri jolegjitime, nga vendi që merrej shembull për luftimin e virusit, Kosova tani është shndërruar në vend që kryeson listat globale me numrin e të infektuarve për kokë banori. Si pasojë e këtij degradimi, nuk mund të mendohet më për rimëkëmbje”, ka thënë Murati, duke shtuar se Kosovës i duhet një pako e dytë emergjente, që ta sigurojmë mbijetesën e qytetarëve dhe bizneseve, gjendja financiare e të cilëve është duke u rënduar çdo ditë.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike, i hartuar nga qeveria Hoti, nuk e adreson fare këtë çështje.

“E tëra që mund të gjendet në ato pak faqe që ka ky dokument, është propozimi për t’u mundësuar kontributpaguesve t’i tërheqin 10 për qind të mjeteve të tyre nga Trusti, që në thelb është masë likuiditeti e patargetuar për ndonjë sektor apo industri, dhe propozimi tjetër që ka të bëjë me dhënien e mundësisë qeverisë që t’i shpenzojë 100 milionë euro nga fondi i privatizimit, për shpenzime për të cilat nuk e ka autorizimin nga Kuvendi”, është shprehur Murati.

Sipas Muratit, shfrytëzimi i mjeteve të Trustit është logjikë e gabuar.

“Që nga themelimi në vitin 2002 për Trustin ka ekzistuar parimi i paprekshmërisë. Pavarësisht se çfarë ndodhë, as qeveria e askush tjetër nuk mund t’i prekë mjetet e Trustit. Ato mjete u takojnë kontributpaguesve dhe mund të tërhiqen vetëm në rastin kur kontributpaguesi arrin moshën e pensionit. Tani me këtë propozim, po shkelet ky parim. Dhe me shkeljen e parimit të paprekshmërisë, Trusti më nuk është i paprekshëm sepse po hapet dera që edhe në të ardhmen, secila qeveri që i ka 61 vota në Kuvend, t’i fusë duart në paratë e Trustit”, ka deklaruar Murati.

Në këtë intervistë, deputeti Murati ka folur edhe për inicimin e mocionit të Vetëvendosjes për rrëzimin e qeverisë Hoti. Ai ka thënë se e kanë marrë një iniciativë të tillë për shkak të keqqeverisjes që është duke ndodhur në vendin tonë.

“Është detyrë e jona që ta ndalim të keqen sa më herët që është e mundur, jo për të ardhur në pushtet si qëllim në vete, por që ai pushtet të përdoret për ta rikthyer situatën në kontroll dhe të ndalet degradimi i mëtutjeshëm”, ka thënë Murati, duke e kritikuar qasjen e PDK-së në raport me këtë mocion.

“Para se të dilnim me mocion, PDK-ja në më shumë se një rast ishte shprehur e gatshme ta nënshkruante mocionin. Tani që dolëm me mocion, ndryshoi qëndrimi i tyre. Kjo vetëm e betonon atë që e kemi thënë që nga fillimi, se PDK-ja është opozitë vetëm në letër sepse, në fakt, koordinimi i saj me LDK-në në shumë raste është më i mirë sesa i LDK-së me partnerët zyrtarë të koalicionit”, është shprehur Murati.

“Epoka e re”: Z. Murati, si e vlerësoni Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike dhe, sipas jush, a do të ndikojë në lehtësimin e situatës së krijuar?
Murati: Gjendja e krijuar për shkak të pandemisë e ka rënduar tej mase situatën financiare të qytetarëve, andaj shteti duhet t’u vijë në ndihmë, sidomos shtresave më të prekura. Po ashtu, duhet ndihmuar edhe bizneset që, së paku, të ruhen vendet e punës. Diçka e tillë ishte bërë me Pakon Emergjente të qeverisë Kurti. Dhe plani ishte që pasi të tejkalohej situata e rënduar pandemike, të vazhdohej me një Pako të Rimëkëmbjes, e cila do të kishte si qëllim ndihmesën për prodhuesit vendorë për eksportuesit, ndihmesë për gratë në biznes, punë të garantuar për të rinjtë që futeshin për herë të parë në tregun e punës dhe shumë masa të tjera. Mirëpo, edhe jetësimi i kësaj pakoje, edhe suksesi në menaxhimin e pandemisë u ndërpre në gjysmë me rastin e ndërrimit të qeverisë. Për vetëm dy muaj qeverisje prejse erdhi në pushtet kjo qeveri jolegjitime, nga vendi që merrej shembull për luftimin e virusit, Kosova tani është shndërruar në vend që kryeson listat globale me numrin e të infektuarve për kokë banori. Si pasojë e këtij degradimi, nuk mund të mendohet më për rimëkëmbje, por na duhet edhe një pako e dytë emergjente, që ta sigurojmë mbijetesën e qytetarëve, gjendja financiare e të cilëve po rëndohet dita-ditës. Por edhe po të mos kishte degradim të gjendjes pandemike, Projektligji i ashtuquajtur për Rimëkëmbje Ekonomike emërtimin e ka në s’përputhje të plotë me përmbajtjen. Ky projektligj nuk adreson fare çështjen e rimëkëmbjes. E tëra që mund të gjendet në ato pak faqe që ka ky dokument, është propozimi për t’u mundësuar kontributpaguesve t’i tërheqin 10 për qind të mjeteve të tyre nga Trusti, që në thelb është masë likuiditeti e patargetuar për ndonjë sektor apo industri, dhe propozimi tjetër që ka të bëjë me dhënien e mundësisë qeverisë që t’i shpenzojë 100 milionë euro nga fondi i privatizimit, për shpenzime për të cilat nuk e ka autorizimin nga Kuvendi. I vetmi sektor që është trajtuar në këtë projektligj është ai i gastronomisë. Asnjë sektor tjetër nuk përmendet aty, madje as prodhuesit vendorë. Prandaj, me një projektligj të tillë as që mund të mbahet niveli ekzistues i ekonomisë, e lëre më të ketë rimëkëmbje.

“Epoka e re”: Në kuadër të këtij ligji, pos të tjerash, parashihet edhe tërheqja e mjeteve të Trustit për 10 për qind, ndërkohë ju keni shprehur skepticizëm për këtë. Pse?
Murati: Hera e fundit kur qytetarët e kanë pranuar një ndihmë nga shteti, kanë qenë pagesat prej Pakos Emergjente nga qeveria Kurti. Prej atëherë, kjo qeveri jolegjitime nuk ka arritur t’u ofrojë asnjë ndihmë të vetme qytetarëve. Në vend të ndihmës nga shteti, qeveria ka vendosur t’u ofrojë qytetarëve që të marrin një pjesë të kursimeve të veta në Trust, e këtë po e quan ndihmë. Për disa kontributpagues që po kalojnë nëpër gjendje të rënduar financiare, kjo edhe mund të jetë e mirëpritur. Mirëpo ky propozim ka dy probleme. Problemi i parë ka të bëjë me shkeljen e parimit, kurse problemi i dytë ka të bëjë me mosarritjen e qëllimit të proklamuar. Që nga themelimi në vitin 2002, për Trustin ka ekzistuar parimi i paprekshmërisë. Pavarësisht se çfarë ndodhë, as qeveria e askush tjetër nuk mund t’i prekë mjetet e Trustit. Ato mjete u takojnë kontributpaguesve dhe mund të tërhiqen vetëm në rastin kur kontributpaguesi arrin moshën e pensionit. Tani me këtë propozim po shkelet ky parim. Dhe me shkeljen e parimit të paprekshmërisë, Trusti më nuk është i paprekshëm sepse po hapet dera që edhe në të ardhmen secila qeveri që i ka 61 vota në Kuvend, t’i fusë duart në paratë e Trustit. Kësaj here kjo po bëhet duke u dhënë qytetarëve nga 10 për qind të kursimeve. Herën tjetër mund të jetë qeveria ajo që i merr 10 për qind apo 20 për qind të mjeteve, me premtimin se pas një kohe do t’i kompensojë ato. Dhe kësisoj, me këtë lëvizje dhe shkelje të parimit, shkatërrimi i këtij institucioni bëhet çështje kohe. Së dyti, nëse qëllimi me këtë propozim është që të ndihmohen shtresat e prekura të qytetarëve, atëherë kjo nuk është zgjidhja, qytetarët duhet të ndihmohen me masa të tjera, kjo për shkak se shumica e shtresave të varfra që kanë qenë të punësuar, nuk kanë qenë fare të lajmëruar si punëtorë dhe kontributet e tyre në Trust janë zero. Edhe ata që kanë qenë të lajmëruar, shumica kanë aq pak kursime të grumbulluara saqë nuk përbën ndonjë ndryshim substancial nëse i tërheqin 10 për qind apo jo. Me këtë masë, përfituesit më të mëdhenj do të jenë ata që i kanë pagat e mira dhe të rregullta, sepse vetëm ata kanë mundur që të grumbullojnë kursime në Trust. Prandaj, konsideroj se shkelja e një parimi që nuk është shkelur që 18 vjet, në këmbim të një gjysmëzgjidhjeje, nuk do të duhej të ishte opsion real. Ne do të jemi të gatshëm të diskutojmë dhe propozojmë zgjidhje më të mira, se si t’u ndihmohet qytetarëve, pa pasur nevojë që të preken kursimet e tyre.

 “Epoka e re”: Z. Murati, disa nga ndërmarrjet publike janë në gjendje të rëndë financiare. Çfarë strategjie duhet ndjekur që të dilet nga kriza financiare në Telekom dhe në Postën e Kosovës dhe pse Vetëvendosja është kategorisht kundër privatizimit të Telekomit?
Murati: Konsideroj se strategjia e ndjekur nga bordet e përkohshme profesionale ka qenë e duhura. Shkarkimi i personave jokompetentë apo të dëmshëm për interesat e ndërmarrjes, ndërprerja e kontratave të dëmshme, kallëzimet penale për shkeljet e bëra dhe ulja e shpenzimeve si në paga, po ashtu edhe në ato operative, ishin një hap i mirë drejt rrugës së duhur. Por edhe kjo gjë u ndal me shkarkimin e këtyre bordeve nga qeveria jolegjitime, vetëm për t’i mbushur ato me njerëzit e vjetër, të cilët janë arsyeja pse ndërmarrjet publike janë në këtë gjendje të rënduar.

 “Epoka e re”: Sipas jush, çfarë epilogu do të ketë puna e komisionit hetimor në lidhje me privatizimet?
Murati: Është herët të flitet për epilogun, sepse fushëveprimi i komisionit është i gjerë dhe ka shumë punë, dhe gjatë rrugës mund të kemi të gjetura që s’i kemi ditur. Mirëpo, jam i bindur që raporti do të jetë tejet profesional dhe ne si grup parlamentar do të bëjmë të pamundurën që të zbardhen të gjitha shkeljet, abuzimet dhe manipulimet që janë bërë në procesin e privatizimit në Kosovë.

  “Epoka e re”: Ju keni iniciuar ndryshimin e Ligjit për Automjete. A besoni se heqja e homologimit do ta marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve?
Murati: Nëse deputetët i qëndrojnë besnik betimit të dhënë në Kuvend me rastin e marrjes së mandatit, atëherë mbështetja do të vinte natyrshëm. Sepse po flasim për mbrojtjen e interesave të qytetarëve përballë zhvatjes që u bëhet nga një kompani private, zhvatje kjo e mundësuar nga vetë shteti. Andaj është koha e fundit që shteti ta përmirësojë gabimin e bërë dhe t’ua heqë qafe qytetarëve këtë zhvatje.

 “Epoka e re”: Z. Murati, si e vlerësoni punën e qeverisë Hoti?
Murati: Ma thoni një vendim të vetëm që është marrë deri tani në interesin e qytetarëve dhe, ndoshta, do të mund të përgjigjesha.

 “Epoka e re”: Vetëvendosja tashmë ka iniciuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Hoti. Pse e keni iniciuar këtë mocion mu në mes të pandemisë, kur nga ana e LV-së kishte akuza për rrëzim të qeverisë Kurti, pikërisht në kohë pandemie?
Murati: Qeveria dhe qeverisja duhen parë si mjete, me anë të të cilave përpiqesh t’ua përmirësosh jetën qytetarëve nga të cilët je votuar. Qeveria nuk duhet parë si qëllim në vetvete. Thirrjen tonë për të mos e votuar mocionin ne e kemi bazuar në këtë të parën, kurse ata që po mundohen të tërheqin paralele tani në mes të mocionit të LDK-së dhe mocionit të Lëvizjes Vetëvendosje, bazohen në këtë të dytën, pra që qeveria është vetë qëllimi. Kur ne kemi bërë thirrje të mos rrëzohet qeveria, nuk e kemi bërë këtë nga qejfi dhe dëshira për t’i mbajtur pozitat si qëllim në vete, por nga nevoja për ta vazhduar menaxhimin e mirë me situatën pandemike, duke e ditur që ndryshimi në një qeveri me legjitimitet të munguar e që nuk ka interesat e qytetarëve prioritet, do t’i hapte rrugë virusit dhe do të na sillte buzë një katastrofe humanitare. Ashtu edhe ndodhi. Tani që kemi arritur këtu si pasojë e keqqeverisjes, është detyrë e jona që ta ndalim të keqen sa më herët që është e mundur, jo për të ardhur në pushtet si qëllim në vete, por që ai pushtet të përdoret për ta rikthyer situatën në kontroll dhe të ndalet degradimi i mëtutjeshëm.

 “Epoka e re”: A besoni se do ta keni përkrahjen e PDK-së dhe a do të kërkoni nga ta që ta në nënshkruajnë këtë mocion?
Murati: Para se të dilnim me mocion, PDK-ja në më shumë se një rast ishte shprehur e gatshme ta nënshkruante mocionin. Tani që dolëm me mocion, ndryshoi qëndrimi i saj. Kjo vetëm e betonon atë që e kemi thënë që nga fillimi, se PDK-ja është opozitë vetëm në letër sepse, në fakt, koordinimi i saj me LDK-në në shumë raste është më i mirë sesa i LDK-së me partnerët zyrtarë të koalicionit.

 “Epoka e re”: Sipas jush, kur do të duhej të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare?
Murati: Sa më parë që ndalet degradimi i situatës, aq më të lehtë do ta kemi rimëkëmbjen.

 “Epoka e re”: Në rast se Vetëvendosja do të dilte partia e parë, potencialisht kush do të jenë partnerët e saj në qeverinë e re?
Murati: Këtë situatë duhet ta vlerësojmë pas zgjedhjeve por, një gjë është e sigurt, vijat e kuqe mbesin aty ku kanë qenë.

Albulena S. MAVRAJ

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) njofton të gjitha klubet…