Mehmeti: Duhet të ketë rënie të normave të interesit në institucionet mikrofinanciare

29 nëntor 2018 | 16:04

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka thënë se sektori i institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jobankare gjatë këtij viti ka shënuar rritje në të gjithë indikatorët e tij. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se te ky sektor normat e interesit vazhdojnë të mbesin të larta, duke bërë thirrje që ato të kenë rënie. Duke folur rreth mundësisë së krijimit të bankës së diasporës, Mehmeti ka thënë se BQK-ja mirëpritur një iniciativë të tillë. Ai ka bërë me dije se janë në proces të ndryshimit të dy ligjeve esenciale të sektorit financiar: Ligjit për banka dhe ndryshimit të Ligjit të autopërgjegjësisë. “Këto dy ligje do t’u japin dimension të ri zhvillimeve në sektorin bankar, por edhe në sektorin e sigurimeve”, ka thënë Mehmeti

 “Epoka e re”: Z. Mehmeti, si është momentalisht gjendja e sektorit financiar? Çfarë shume të depozitave kemi në raport me kreditë?

Mehmeti: Sektori financiar është duke pasur rritje dhe zhvillim të vazhdueshëm në asete dhe në treguesit e tjerë financiarë. Sektori bankar, si sektori më i madh në kuadër të sistemit financiar, vazhdon të performojë mirë në kredi dhe në depozita. Deri në muajin shtator të këtij viti vlera e përgjithshme e depozitave në sektorin bankar të vendit ka arritur në 3.2 miliard euro, duke shënuar rritje vjetore prej 5.4 përqindësh. Kjo rritje e qëndrueshme e depozitave ka mundësuar zgjerimin e vazhdueshëm të kredive, të cilat në shtator 2018 arritën vlerën prej 2.7 miliardë eurosh e cila paraqet rritje vjetore prej 11.4 përqindësh. Gjithashtu, sektori i sigurimeve ka filluar konsolidimin e tij, vlera e primeve të shkruara bruto në shtator 2018 ishte 69 milionë euro, duke shënuar rritje vjetor prej 4.8 përqindësh. Vlera e dëmeve të paguara bruto në shtator 2018 është 31.5 milionë euro, me një rritje vjetore prej 8.2 përqindësh. Edhe treguesit e sektorit mikrofinanciar kanë shënuar rritje, ku vlera e aseteve të këtij sektori në shtator të këtij viti është 236.2 milionë, me një rritje prej 28.6 përqindësh, ndërsa kreditë shënuan vlerën prej 173.7 milionë eurosh, apo rritje vjetore prej 28.6 përqindësh.

“Epoka e re”: Është paralajmëruar rëni e normave të interesit në vitin 2019.

Mehmeti: Sikurse thashë edhe më parë, sistemi financiar në Kosovë, në veçanti sektori bankar gëzon besim të lartë të publikut, që është shprehur në rritje të qëndrueshme dhe të shëndetshme që nga fillimi i funksionimit të tij. Sa iu përket normave të interesit, ka zhvillime shumë pozitive që janë reflektuar me uljen e dukshme të normave të interesit. Bazuar në të dhënat e muajit gusht 2018, norma efektive e interesit ishte 6.34 për qind, që përfshin bizneset dhe ekonomitë familjare, përderisa norma e interesit vetëm për biznese është nën 5.82 për qind. Në raste të caktuara për kreditë hipotekare norma e interesit sillet nga 4 për qind deri në 5 për qind. Marrë parasysh trendin e vazhdueshëm të uljes së normave të interesit si dhe konkurrencën gjithnjë në rritje të sektorit bankar, vlerësojmë se bankat do të vazhdojnë të reflektojnë në uljen e mëtutjeshme të normave të interesit edhe pse, siç është cekur tani, normat ekzistuese janë përgjithësisht të njëjta me ato të vendeve të tjera.

“Epoka e re”: Për çfarë përqindje bëhet fjalë?

Mehmeti: BQK-ja në vazhdimësi angazhohet për krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillimin e aktivitetit bankar, me konkurrencë të drejtë, gjithmonë duke zbatuar praktikat më të mira ndërkombëtare dhe në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian. Në të njëjtën kohë, rritja ekonomike, ndryshimet legjislative në kohën e fundit, që ndërlidhen me lehtësimin e ekzekutimit të kolateralit dhe zbatimit të kontratave, edukimit të vazhdueshëm financiar, si të individëve, po ashtu edhe të bizneseve në Kosovë, edhe cilësia e mirë e portofolit kreditor në sektorin bankar, mund të ndikojnë në rënie të mëtejme të normave të interesit.

“Epoka e re”: Sa iu përket institucioneve mikrofinanciare dhe normave të larta të kamatave që aplikojnë, deri ku ka shkuar çështja legjislative e tyre?

Mehmeti: Sa i përket sektorit të institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jobankare, edhe ky sektor gjatë këtij viti ka shënuar rritje në të gjithë indikatorët e tij. Gjithsej asetet e këtij sektori në muajin shtator 2018 ishin në shumë prej 236.2 milionë eurosh, me një rritje vjetore prej 28.6 përqindësh. Gjithashtu, vlera e kredive të këtij sektori prej 173.7 milionë eurosh ka shënuar rritje vjetore prej 28.6 përqindësh. Kjo nënkupton që ky sektor po luan rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithatë, te ky sektor normat e interesit vazhdojnë të mbesin të larta, për të cilat vlerësojmë se duhet të ketë rënie. Sa i përket çështjes legjislative, Ligji është në procedurë të aprovimit nga ana e organeve kompetente. Ne si BQK kemi qenë të angazhuar për të dhënë dhe vazhdojmë të japim kontribut dhe ekspertizë që ky ligj të jetë në harmoni me direktivat evropiane me qëllim të rregullimit sa më të mirë të këtyre institucioneve.

“Epoka e re”: Zëvendëspresidenti i Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Luis De Guindos, ka paralajmëruar menaxhuesit e aktiveve jobankare se do të përballen me mbikëqyrje më të ashpër. A pritet që BQK-ja të jetë më e ashpër për institucione mikrofinanciare dhe jobankare?

Mehmeti: Në përputhje me legjislacionin në fuqi, me qëllim të arritjes së objektivave të parapara me ligj dhe me qëllim të sigurimit të stabilitetit financiar në vend, BQK-ja kryen aktivitetin e vet mbikëqyrës ndaj të gjitha institucioneve financiare që kryejnë aktivitet financiar në Kosovë. Për këtë qëllim, BQK-ja në vazhdimësi kryen edhe ekzaminime të rregullta kundrejt institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jobankare, me qëllim të vlerësimit të menaxhimit të rrezikut, pajtueshmërisë me legjislacionin e BQK-së dhe politikat e brendshme të tyre, qeverisjes koorporative dhe fusha të tjera të parapara me planin vjetor të ekzaminimeve të BQK-së. BQK-ja do të vazhdojë ta kryejë mbikëqyrjen e këtij sektori edhe në të ardhmen me qëllim të realizimit të funksioneve të saj mbikëqyrëse dhe rregullative.

“Epoka e re”: Është përmendur edhe mundësia e krijimit të Bankës së Diasporës, çfarë infrastrukture ligjore nevojitet për këtë dhe a është bërë ndonjë hap në këtë drejtim?

Mehmeti: Duke pasur parasysh rëndësinë e diasporës, vlerësoj se ka hapësirë për një partneritet edhe më të madh ekonomik ndërmjet Kosovës dhe diasporës, duke rritur kontaktet ndërmjet institucioneve dhe afaristëve vendorë me afaristët nga diaspora, për t’i pasqyruar më për së afërmi mundësitë që i ofron ekonomia e Kosovës. BQK-ja mirëpret investimet e mundshme nga diaspora në sistemin tonë financiar dhe, përbrenda fushëveprimtarisë së saj, është e gatshme të mbështesë, me të gjitha kapacitetet e saj, çdo iniciativë për të investuar në Kosovë. Për këtë qëllim ne kemi mirëpritur një iniciativë të tillë, jemi takuar me iniciatorët dhe i kemi informuar lidhur me kërkesat ligjore të BQK-së për licencimin e një banke.

“Epoka e re”: Çfarë risish të tjera pritet të kemi në vitin 2019 sa i përket sektorit financiar?

Mehmeti: Në fakt, në sektorin financiar vazhdimisht kemi synuar të kemi zhvillime pozitive. Në këtë drejtim, gjatë vitit të ardhshëm pritet ta avancojmë rregullativen si dhe të bëjmë diagnoza më rigoroze në kontekst të funksionimit të sistemit financiar në vend, pse jo edhe diagnoza më rigoroze në funksionimin e BQK-së. Në këtë drejtim, do të jemi në hap me rregullativen ndërkombëtare, po ashtu do të jemi proaktiv në shumë fusha. Aktualisht jemi në proces të ndryshimit të dy ligjeve esenciale të sektorit financiar, si Ligji për banka, që do të procedohet si ligj i ri si dhe plotësim/ndryshimi i Ligjit të autopërgjegjësisë. Këto dy ligje do t’i japin dimension të ri zhvillimeve në sektorin bankar, edhe sektorit të sigurimeve. Gjithashtu, një numër i konsiderueshëm i rregulloreve do të aprovohen dhe do të sjellin avancim për industrinë financiare, përfshirë këtu edhe rregullativen për “recovery and resolution”.

 (Albulena S. MAVRAJ)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në vazhdën e aktivitetit “Ditët e Kuvendit” të premten (më…