Melinda Gates kritikon departamentin e Muskut për shkurtimet në shëndetësi

16 prill 2025 | 07:59

Melinda French Gates, ish-bashkëshortja e themeluesit të Microsoft-it, Bill Gates, tha në një intervistë për CNN se është e shqetësuar me tërheqjen e ShBA-së nga rolet kyçe në skenën globale të shëndetit.

Kur u pyet se çfarë e mban zgjuar natën, Gates u përgjigj se “ajo që më mban zgjuar janë fëmijët e vegjël që po vdesin”.

“Shtetet e Bashkuara po tërhiqen nga aleanca për vaksinat që u krijua më shumë se 20 vjet më parë. Kjo dhe rrjetat kundër mushkonjave për malarien janë dy gjërat … që kanë mbajtur fëmijët gjallë, që kanë ulur vdekshmërinë e fëmijëve në mbarë botën me më shumë se gjysmën. Prandaj, të shohësh që po bëjmë diçka kaq shkatërruese për familjet, dhe aq pak të kushtueshme, thjesht nuk përputhet me atë që kemi qenë si vend”, pohoi filantropistja.

Studimet kanë treguar se vaksinimi i fëmijëve ka shmangur më shumë se 150 milionë vdekje që nga viti 1974, duke kontribuar në 40 për qind të uljes së vdekshmërisë foshnjore globale.

Megjithatë, një grant prej miliarda dollarësh për GAVI-n, Aleancën për Vaksinat – e cila financohet gjithashtu në pjesën më të madhe nga Fondacioni Gates – ishte në mesin e shkurtimeve të ndihmës së jashtme të raportuara muajin e kaluar nga Departamenti i Shtetit të ShBA-së.

Rrjetat e trajtuara me insekticide për të luftuar përhapjen e malaries, një tjetër përparësi e Fondacionit Gates, vlerësohet se kanë ulur vdekshmërinë totale të fëmijëve të vegjël me rreth 20 për qind në disa prova në Afrikë.

Gates tha se filantropët nuk mund të zëvendësojnë humbjen e financimit nga ShBA-ja.

“Sektori filantropik mund të provojë eksperimente që nuk do të doje t’i provoje me paratë e taksapaguesve, apo jo, sepse … disa nga ilaçet nuk japin rezultat. Por sapo japin, atëherë duhet financimi i qeverisë për t’i shkallëzuar. Pra, askush nuk mund ta mbushë atë boshllëk”, shtoi ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në futbollin SundayLeague 9X9 të…