
Memli Krasniqi në Podujevë: Isak Shabani është njeriu që i duhet qytetit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka prezantuar sot në Podujevë kandidatin e kësaj partie për kryetar të komunës, Isak Shabanin, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i degës së PDK-së në këtë qytet.
Isak Shabani është një veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare, bashkëluftëtar i heroit Zahir Pajaziti, ish-i burgosur politik dhe deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e kaluar. Ai ka shërbyer gjithashtu për tre mandate si asamblist dhe ka mbajtur poste të larta në administratën shtetërore.
Në fjalën e tij, Memli Krasniqi theksoi se Podujeva ka nevojë për një udhëheqje që e njeh qytetin në çdo cep, njeh njerëzit dhe sfidat e tyre, dhe që di të bashkojë, të planifikojë e të punojë me vizion afatgjatë.
“Isak Shabani është njeriu që i plotëson këto nevoja. Me përvojën e tij politike dhe institucionale, ai ka njohuri të thella për funksionimin e komunës. Si bashkëluftëtar i komandantit Zahir Pajaziti, Isaku e di çfarë do të thotë të shërbesh për interesin e përbashkët – për një thirrje më të madhe se vetja. Jam i bindur se me Isakun në krye, Podujeva do të ketë udhëheqjen e përgjegjshme, të ndershme dhe të përkushtuar që e meriton,” u shpreh Krasniqi.
Sipas PDK-së, kandidatura e Shabanit paraqet një ofertë të qartë për qytetarët e Podujevës, duke synuar një qeverisje efikase dhe të afërt me qytetarin.