
Mercedesi vazhdon me dyshen e pilotëve Russell-Antonelli
“Mercedes”-i do të vazhdojë me George Russell dhe Kimi Antonellin si pilotë të skuderisë në Formula 1 në vitin 2026, konfirmoi drejtuesi skuadrës, Toto Wolff pas Çmimit të Madh të Holandës.
“Gjithmonë them se nuk do të ketë ndonjë lajm të madh sepse thjesht po bëjmë atë që duhet. Po vazhdojmë me të dy, sigurisht. Me George ka disa gjëra që duam t’i optimizojmë sa i përket udhëtimeve dhe ditëve të marketingut. Ai është një pilot me eksperiencë dhe për ne është gjithmonë e rëndësishme ta diskutojmë”, ka thënë ai duke iu referuar faktit që kontrata e britanikut Russel ende nuk është konfirmuar. Risia e madhe është vazhdimi i besimit tek italiani 19-vjeçar, Kimi Antonelli, i cili pati një fundjavë të vështirë në Zandvoort, duke u penalizuar për përplasjen me Charles Leclerc dhe për shpejtësi në bokse. Por Wolff nuk ka asnjë dyshim për potencialin e italianit 19-vjeçar. “I dhamë një vit mësimi, me momente të vështira e të tjera brilante. Besimi im 100% është tek ai në planin afatgjatë”, ka deklaruar ai.
Në fillim të gushtit, Max Verstappen konfirmoi qëndrimin te Red Bull, duke i mbyllur derën një kalimi tek Mercedes. Për këtë arsye, skuderia shtyu bisedimet me Russel derisa u sqarua e ardhmja e katër herë kampionit. Wolff bëri të ditur gjithashtu se skuadra po vlerëson kërkesat jashtë pistës ndaj pilotëve, duke reduktuar ngarkesën me aktivitete marketingu dhe media. “Duam të kemi performancën më të mirë të tyre dhe mendoj se i kemi ngarkuar mjaft me aktivitete marketingu dhe media. Kjo është ajo që po rikalibrojmë”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk pritet një deklaratë zyrtare e menjëhershme për përbërjen e ekipit të vitit 2026.