
Merz: Do t’i përdorim asetet e ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën
Udhëheqësit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë “shumë të vendosur” për të ndihmuar Ukrainën dhe për të përdorur asetet e ngrira ruse për këtë, tha sot kancelari gjerman Friedrich Mertz pas Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagen.
Ai theksoi se udhëheqësit diskutuan “shumë intensivisht” përdorimin e aseteve ruse në mënyrë që të vazhdojnë të ndihmojnë në financimin e Ukrainës, raporton Guardian.
“Tani do ta shqyrtojmë me kujdes dhe ka shumë të ngjarë të ketë një vendim konkret për të në Këshillin e ardhshëm Evropian pas tre javësh”, tha Mertz.
Ai theksoi se do të mbështesë “çdo mënyrë” që lejon përdorimin e aseteve të ngrira ruse, dhe me qëllim që t’i jepet fund luftës në Ukrainë.
Ai shtoi se ekziston një “mirëkuptim i fortë” brenda BE-së në lidhje me një opsion të tillë dhe theksoi se Presidenti rus Vladimir Putin “nuk duhet ta nënvlerësojë vendosmërinë” e BE-së.
Më herët gjatë ditës së sotme, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se qëllimet e BE-së për të përdorur asetet e ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën janë kriminale dhe iniciatorët dhe pjesëmarrësit në masa të tilla shpronësimi me siguri do të vuajnë pasojat.
Ajo tha në një konferencë për shtyp se aktivitetet që përfshijnë ndryshime në statusin ligjor të pronës ruse nuk do të nënkuptojnë më ngrirje ose bllokim, por asgjësim arbitrar të pronës së të tjerëve, domethënë, siç deklaroi ajo, “vjedhje”.