Mësuesi mërgimtar në dritëhijet e një kronike

07 dhjetor 2021 | 13:58

Nga Qerim Kryeziu

Në kronikat që kanë për tematikë jetëshkrimet e mërgimtarëve struket malli dhe vuajta shpirtërore në to, siç struket plak shkreti në poezinë “Dimni” të Ndre Mjedes në thellësinë e vet për t ´mos u ngrirë. Malli, në kuptimin  e mungesës së të gjithave … që i do syri, i shijon goja e i dëgjon veshi. Vuajtja, në kuptimin e dridhërimave që merr zemra në mungesë të ndjesive të lartpërmendura. Kur kronikat shpuplojnë jetëshkrimet e mërgimtarëve të hershëm shqiptarë, atëherë këto postulate dëshpëruese bëhen edhe më të rënda. Ngase jetëshkrimet flasin për njerëz që u ndoqën, u përzunë, u detyruan nën tytat e represionit gjithfarësh të lëshojnë atdheun e tyre. Si t´mos trazohet njeriu, bie fjala, kur mëson historinë e të riut të shkolluar dikur  në Kosovë, që detyrohet të lë punën, të burgoset e pastaj edhe të syrgjynoset, vetëm pse synonte lirinë e luftonte prapambetjen shoqërore?

E djeshmja dhe e sotmja e mësuesit Nuhi Mazreku

Nuhi Mazreku është lindur më 14 prill të vitit 1954 në Malishevë të Republikës së Kosovës. Filloren e mbaroi në vendlindje, në vitin 1969 regjistrohet në Normalen e Prizrenit. Të niseshe nga Malisheva në vitin 1969 dhe të vendoseshe në Prizren, ishte për Nuhiun si të mbërrinte në Paris, tek këmbët e Kullës Eiffel. Të bëhej mësues, ishte ëndërr për të. Kështu, pas përfundimit të shkollimit në Prizren në vitin e largët 1974 filloi punën mësues në vendlindje. E vazhdoi me dashuri profesionin deri në natën e 28 Nëntorit të vitit 1983 kur pushteti i kohës e arrestoi dhe e dënoi me 3 muaj burg. Në vitet tetëdhjetë (filluan më 1981) e më tutje shpërthyen revoltat kombëtare shqiptare kundër padrejtësive jugosllave në Kosovë. Në Malishevë, në krye të tyre qëndronte Nuhi Mazreku me shumë shokë.  Pas vuajtjes së burgut, edhe pse u lirua, pushteti jugosllav i kohës nuk e lë rehat. Kështu, padashur u detyrua të emigroi. Në vitin 1984 e lë vendlindjen i brengosur tej mase për fatin e familjes e atdheut. Shpirtplagosur niset në emigrim. Zemërthyer, si subjekti lirik i këngës “Kur Kosovë ta ktheva shpinën” të rapsodit Dervish Shaqja. Vend i emigrimit u bë Suedia, që deri në atë kohë ishte për të vetëm koncept gjeografik.

Në Kosovë la familjen. Në Suedi vjen vetëm me lotët e ndarjes e kujtimet vendlindjes. Fillikat në tokën e ftohtë të vikingëve, nis edhe një herë shkollimin, kësaj radhe për gjuhë suedeze. Shumë shpejt filloi rishtazi profesionin e mësuesit që në Kosovë ia mohoi regjimi jugosllav. Suedia e kuptoi dëshirën e tij arsimdashëse dhe asnjëherë nuk  iu frikësua gjuhës shqipe, siç i frikësohej regjimi në vendlindje. Në vitin 1985 fillon punën mësues i gjuhës amtare në Halmstad për dy nxënësit e parë, që për habinë e mirë, qëlluan të jenë dy fëmijët e tij: Xhela -tashmë i ndjerë dhe Arbeni- tani burrë. Arbeni, kur Atdheu lëshoi kushtrimin, u rreshtua në radhët e UÇK-së deri në mbarim të luftës. Shqipja, në Suedi u përkrah dhe u avancua si lëndë mësimi në shkollat suedeze për nxënësit shqiptarë. Nuhiu ishte nismëtar i shkollës shqipe në qytetin e Halmstadit dhe të Laholmit. Para disa vitesh komuna e Halmstadit nderoi punën e tij, në 30 vjetorin e organizimit dhe mësimit të gjuhës shqipe nga Nuhi Mazreku në regjionin e Hallandit të Suedisë.

Gjatë gjithë kohës aktive profesionale në Suedi, Nuhi Mazreku punoi mësues.   Në shtator të vitit 2021, pas 36 viteve punë u pensionua duke përmbyllur kështu me nder veprimtarinë e gjatë edukative në shërbim të shkollës e gjithë atyre brezave fëmijësh mërgimtarë.

Përveç si mësues, Nuhi Mazreku njihet brenda komunitetit shqiptar në Suedi edhe si veprimtar e atdhetar i shkëlqyer. Nuk mund të gjesh ndonjë aksion të shqiptarëve këtu në dobi të Kosovës e Shqipërisë që nuk kishte përkrahjen e Nuhi Mazrekut. Dhe jo vetëm përkrahjen morale. Zemra e tij e portofoli i tij ishin gjithmonë të hapura, online në ndihmë çfarëdollojshme atdheut. Kur lufta ia bëhu në Kosovë, njërin djalë e nisi krenar atje. Veprimtaria shkollore shqiptare në Suedi, në mënyrë të veçantë është përkrahur nga mësues Mazreku. Si i ri, Nuhiu e deshi shumë sportin. Edhe sot e do shumë. Me ka rënë shpesh ta shohë nëpër ekranet  e televizionit familjen Mazreku teksa i bënte tifo kombëtares shqiptare me flamurin kuq e zi  në dorë, nëpër stadiumet e Europës).

Kur i kërkova të me kujtonte një ngjarje të paharruar të kohës kur ishte në Kosovë, u mendua pak dhe me rrëfeu natën e koncertit të 29 Nëntorit të vitit 1969, në Prizren i cili u shfaq tri herë me radhë. Koncerti kishte për emër datën 29 nëntor mirëpo për përmbajtje kishte 28 Nëntorin -lavdinë e Ditës së Flamurit dhe të pavarësisë së Shqipërisë. Ju kujtoj se koha për të cilën fliste Nuhiu ishte koha kur lejohet flamuri kombëtar pas rënies së Rankovicit dhe politikës antishqiptare të Serbisë/Jugosllavisë në Kosovë.

Me rastin e pensionimit, Nuhi Mazreku aranzhoi një mbrëmje kulturore në nderim të Shkollës Shqipe, kolegëve e miqve të shumtë në qytetin e Halmstadit. Në këtë qytet e nisi dhe përfundoi karrierën e gjatë pedagogjike, me një  mbrëmje të bukur, të shpalosur me kujtime e vlerësime të merituara. Tek mësues Nuhi Mazreku ndjehesh gjithmonë mirë: i mësuar ngase të mëson përvoja e tij arsimore; i nderuar ngase të nderon mikpritja e tij familjare; i ngopur ngase shijon sofra e tij e bereqetshme. Ashtu i mësuar, i nderuar e i mirëpritur nga ai e familja e tij e madhe, detyrohesh ta urosh nga zemra mikun e mësuesin e dashur që veprimtarinë gati gjysmë shekullore arsimore e përmbylli me faqe të bardhë. Një numër i madh i mësuesve e veprimtarëve u nderuan me Mirënjohjet speciale të punuara me filigrane Prizreni.

Në fund të mbrëmjes, vërtetë solemne, mësues Nuhi Mazreku lexoi edhe këtë letër përshëndetëse.

Fjalë përshëndetjeje me rastin e pensionimit tim

 

Së pari dua t´ju përshëndes përzemërsisht të gjithëve, një nga një si i thonë fjalës dhe t´ju falënderoj për mundimin për të ardhur këtu, në këtë mbrëmje që ka për subjekt emrin e punën time 36 vjeçare në fushën e arsimit.

Kur isha fëmijë dëgjoja kureshtar të rriturit (edhe babën tim) teksa filozofonin për JETËN. Atëbotë, asnjëherë s´e kuptova konstatimin përgjithësues të tyre, se “jeta- qenka si të hysh në dhomë nga kjo derë e të dalësh prej saj nga dera tjetër”. Për mua, ky përfundim filozofik i tyre, tingëllonte krejt abstrakt atëherë.

Vlerësimi i tyre për Jetën, 60 vjet më parë, ishte brenda evolucionit dialektik të gjerave. Por ja që unë, nuk mundohesha fare ta kuptoja. Filozofia ime për jetën atëbotë rezultonte krejt ndryshe. Sepse gjashtëdhjetë vjet më parë kisha fuqi tjetër në trup e filozofi krejtësisht tjetër në mendje. Këtu ishte dallimi.

Të dashur mysafirë, sonte, ju kam ftuar këtu të kalojmë përzemërsisht një mbrëmje dhe për një çast edhe t´ju kujtoj se vlerësimi i dikurshëm i pleqve tanë për kalueshmërinë e kësaj jete paska qenë qind për qind i saktë. Dhe, deshëm apo nuk deshëm, edhe i frikshëm njëkohësisht.

Po ky shpjegimi im, i kuptuar vonë, sonte, nuk ka nevojë juve t´ju trazojë. As nesër, as pasnesër dhe asnjëherë. Sepse, kalueshmërinë e kësaj jete që filozofet e moçëm, qindra shekuj para nesh e emëruan si PANTAREI, e kalëron dikush tjetër. Kjo nuk e nënkupton pafuqinë a pamundësinë tonë. Në rrugën e gjatë jetësore, shumëçka qëndron në dorën e mendjen tonë. Për këtë mund t´ju flas sa të doni, sepse unë sivjet kam mbërri stacionin drejt të cilit kam vrapuar me dashuri plot 36 vite. Në këtë kuptim, gati ju afrova edhe lavdisë së Maratonit Olimpik.  

Të punosh gjithë kohën me vullnet dhe një ditë të pensionohesh, qenka… nuk di si qenka kjo punë! Edhe e këndshme edhe dhembshme, edhe e habitshme edhe e pabesueshme.

E këndshme, sepse kështu e kërkon trupi, edhe mendja. E pabesueshme, sepse e kam të pamundur të harrojë gjithë ato gjenerata nxënësish që gjatë 36 viteve, i prita e i përcolla me dashuri në çdo ditë pune.

Sido që të jetë, unë jam pensionuar tashmë. Kur njeriu arrin të përfundoi misionin e vet profesional me pensionim, e kuptuaka se edhe ky moment jetësor qenka një lloj shpërblimi. Për këtë arsye ju ftova që këtë shpërblim që ma dhuroi jeta ta ndaj së bashku me ju. Me këtë rast dëshiroj të kujtojmë rrugën e Shkollës Shqipe në Suedi, të festojmë sukseset e të nderojmë vlerat e përbashkëta. Sepse të gjithë këtu jemi të një urdhri, të një ideali e të një profesioni. Të gjithë të bindur, i kemi qëndruar gatitu gjuhës shqipe dhe jemi përpjekur ta ruajmë e ta përçojmë tek brezat e rinj mërgimtarë.  

Unë, me mbështetjen e familjes sime sonte do t´ju shtrojë sofrën, ju do ta mbushni mbrëmjen kënaqësi -siç dinë mësuesit dhe dy moderatorët tanë dashur do t´na shoqërojnë gjatë gjithë mbrëmjes.

Jeni të mirëseardhur, ju dua e ju falënderoj të gjithëve që sonte bëni madhështore këtë mbrëmje!

Mbrëmja e përfundimi i saj, me përmbajtjen e porosinë kishte vlera sipërore,  stil e sharm elitar. Ashtu siç e dëshironim ne e siç e meritonte i pensionuari mësuesi Nuhi Mazreku.

PS

Falënderoj gazetarin Astrit Gashi për dhënien e shumë informacioneve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni…