Meta humbet shkencëtarin kryesor të inteligjencës artificiale

14 nëntor 2025 | 08:19

Një nga figurat më të rëndësishme të inteligjencës artificiale në botë, Yann LeCun pritet të largohet nga Meta për të themeluar një start-up të tijin. LeCun, i cili mbante pozicionin e kryeshkencëtarit për AI në Meta, është fitues i Çmimit Turing – shpesh i quajtur “Nobeli” i kompjuterizimit – dhe profesor në New York University.

Ai konsiderohet një nga pionierët e “mësuarit të thellë” (deep learning), teknologjia bazë e sistemeve moderne të inteligjencës artificiale.

Sipas informacioneve të disponueshme, kompania e re e LeCunit do të fokusohet në zhvillimin e të ashtuquajturve “modele botërore” (world models) – sisteme IA që synojnë të kuptojnë dhe të parashikojnë pasojat e veprimeve të tyre përmes simulimit të mjedisit. Qëllimi është krijimi i sistemeve të AI-s që “mendojnë” për botën në mënyrë më të afërt me njeriun.

Largimi i tij vjen në një periudhë kur Meta po investon fuqishëm në zhvillimin e teknologjive të reja të AI-s, në garë të drejtpërdrejtë me OpenAI, DeepMind Technologies dhe Anthropic. Kompania ende nuk ka dhënë një koment zyrtar për largimin e LeCunit, por burimet tregojnë se ai tashmë është në bisedime për mbledhjen e kapitalit për start-up-in e ri.

Ekspertët vlerësojnë se largimi i LeCunit përbën një humbje të madhe për Meta-n, pasi ai ishte figurë kyçe në departamentin hulumtues FAIR (Facebook AI Research). Njëkohësisht, nisma e tij e re mund të përshpejtojë trendin e kalimit të studiuesve të profilit të lartë nga kompanitë e mëdha të teknologjisë drejt start-upeve të fokusuar në hulumtim.

Nëse planet e tij konkretizohen, largimi i Yann LeCunit shënon fundin e një epoke për ekipin e AI-s të Metës dhe fillimin e një kapitulli të ri për një nga mendjet më me ndikim në fushën e inteligjencës artificiale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 6 mijë protestues nga gjitha trojet shqiptare pritet të…