Meta kujton Demaçin: Do të mbetesh maratonomaku shqiptar i palodhur i lirisë

26 korrik 2020 | 11:33

Në nderim të 2-vjetorit të ndarjes nga jeta të Adem Demaçit, vjen një mesazh nga presidenti Ilir Meta, i cili ka përkujtuar figurën shumë të dashur për shqiptarët, i cilësuar si Mandela e Kosovës.

Përmes një mesazhi, kreu i shtetit thekson se Demaçi, ishte emblema e qëndresës shqiptare, heroi i pashembullt për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzor.

Mesazhi i plotë i Presidentit Meta:

Nuk do t’i gjej kurrë fjalët e duhura për të shprehur dhimbjen e thellë që la pas ikja jote në përjetësi dy vite më parë, Baca Adem Demaçi, emblema e qëndresës shqiptare, Heroi ynë i pashembullt për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzor.

Sot ne përulemi me respekt e mirënjohje të thellë para kujtimit të jetës dhe veprës tënde të lavdishme e frymëzuese për të gjitha gjeneratat e shqiptarëve, si një model kombëtar i skalitur në historinë tonë dhe të luftës për pavarësinë e Kosovës.

Do të mbetesh maratonomaku shqiptar i palodhur i lirisë, ‘Mandela i Europës’ dhe ‘Saharovi’ ynë me më shumë vite burg të vuajtura në ish-Jugosllavi si i burgosur politik, që i’a dole të përballosh e t’i sfidosh me fisnikëri e mençuri sakrificat pambarim për çështjen kombëtare, Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane e të njohur ndërkombëtarisht me kufijtë e saj.

Mirënjohje të thellë për gjithçka na le trashëgimi dhe amanet Baca Adem!

Përqafime të ngrohta e vëllazërore për familjen shumë të dashur Demaçi! ??❤️??

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka përkujtuar Adem Demaçin…