MFK-ja dhe FKGK-ja nënshkruajnë marrëveshje për mbështetje financiare të sektorit privat

03 tetor 2019 | 18:15

Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) i mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC) ka nënshkruar Marrëveshjen për zbatim me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), si mekanizëm kryesor në Kosovë që mbështetë qasjen në financa për sektorin privat.

Kjo marrëveshje rregullon bashkëpunimin në mes të dy organizatave për ngritjen e ekspertizës dhe krijimin e dritares për kredidhënie për projekte dhe garanci për energji të ripërtërishme.

Sipas kësaj marrëveshje, MFK-ja do të mbulojë shpenzimet e nevojshme për veprimet e FKGK-së që synojnë rritjen e kapaciteteve dhe njohurive financiare të tregut të energjisë solare.

“Ky është një zhvillim i rëndësishëm që ndihmon zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe sektorin e energjisë në veçanti. KCGF ka ofruar me sukses miliona euro garanci kreditore për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, prandaj ne jemi të interesuar të diversifikojmë portfolion tonë duke punuar me projekte të energjisë së ripërtërishme dhe duke mundësuar kredimarrje në bazë të financimit të projekteve, ” – ka deklaruar Besnik Berisha, drejtori menaxhues i Fondit të Garancisë së Kredisë së Kosovës (KCGF).

Kjo marrëveshje fokusohet në tri intervenime kyçe që kanë për qëllim financimin e energjisë së ripërtërishme në Kosovë: sigurimi i asistencës teknike dhe zhvillimi i kapaciteteve për krijimin e një dritare garantuese për financimin e projekteve të energjisë së ripërtërishme, lansimi i projektit përshpejtues i cili përqendrohet në kontrollimin e cilësisë dhe zhvillimin e projekteve të energjisë së ripërtërishme të gatshme për financim bankar, dhe standardizimi i tregut përmes një pakete ku përfshihen trajnime dhe standardizim i projekteve për të ndihmuar bankat partnere të FKGK-së të vlerësojnë faktorët e riskut gjatë vlerësimit të projekteve të energjisë solare.

MFK-ja përmes financimit nga MCC-ja ka bërë hulumtime afro dyvjeçare duke angazhuar palët kryesore të interesit dhe duke analizuar rolin e garancive në ofrimin e financimit komercial për projektet e vogla në fushën e energjisë së ripërtërishme. Ky hulumtim ka analizuar barrierat kryesore të dhënies së kredive bankare në bazë të parashikimeve të performancës së projekteve në fushën e prodhimit të energjisë së ripërtërishme.

Një pjesë e këtij projekti përfshinë ndërtimin e kapaciteteve të FKGK-së, që do të shërbejë si një katalizator kyç brenda Kosovës.

Alexander Dixon, drejtor menaxhues për financa, investime dhe tregti nga MCC-ja ka deklaruar se bashkëpunimi ndërmjet MFK-së dhe FKGK-së është pjesë e fokusit të MCC-së në përdorimin e financimit të kombinuar për të ofruar kapital privat.

“Ky bashkëpunim ka për qëllim të katalizojë zhvillimin e sektorit të energjisë së ripërtërishme të Kosovës ku FKGK do të luajë një rol rëndësishëm në tërheqjen e kapitalit privat dhe kapitalit nga institucionet financiare zhvillimore. MCC-ja ka kënaqësinë të ndërtojë kapacitete të reja mbi bazën ekzistuese që ka krijuar qeveria e shtetit Amerikan në sektorin financiar”, ka thënë ai.

Përmes këtij bashkëpunimi, FKGK-ja në bashkëpunim me partnerët e konzorciumit do të ofrojë financimin komercial për projekte të vogla në fushën e gjenerimit të energjisë së ripërtërishme.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shumë pak ka zgjatur aventura e re e Valon Behramit…