
Miftaraj për bllokadën në Kuvend: Përgjegjësinë më të madhe e ka LV-ja, të ndalet kaosi institucional për shkak të pasojave
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se përgjegjësinë më të madhe për bllokadën në Kuvendin e Kosovës e ka partia e parë, e cila është Lëvizja Vetëvendosje (LV).
Këtë deklaratë, Miftaraj e ka dhënë gjatë takimit diskutues me titullin “Kuvendi në pauzë, demokracia në sprovë: A është kompromisi dhe konsensusi zgjidhja?”. Kjo ngjarje organizohet me mbështetjen e Friedrich Ebert Stiftung (FES), Zyra në Prishtinë.
Miftaraj ka theksuar se shtetet partnere të Kosovës janë duke bërë thirrje vazhdimisht që të bëhet një zgjidhje, në mënyrë që të kenë një partner në Kosovë për të çuar përpara politikat në të mirë të vendit.
“Partitë politike do të duhej të reflektonin dhe pa pikë dyshimi këtu përgjegjësia bie në bazë të fuqisë politike që secila parti politike ka në Kuvendin e Kosovës. Këtu nuk amnistohet, por përgjegjësinë më të madhe e ka Lëvizja Vetëvendosje me 48 deputetë, të cilët do të duhej të gjenin një zgjidhje për të dalë nga ky ngërç politik që besoj se është duke kaluar në një kaos institucional. Sa më shumë vonohemi, pasojat do të jenë më pak të rikuperueshme”, ka thënë ai.
Miftaraj ka folur edhe për vendimin e fundit të Gjykatës Supreme, e cila ka përcaktuar në mënyrë të qartë që ushtrimi i pozitës së deputetit dhe ministrit njëkohësisht është në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe ligjin.
Ai ka theksuar se ministrat dhe kryeministri çdo vendim që e marrin, e bëjnë në kundërshtim me ligjin.
Më tutje, Miftaraj ka deklaruar se Kosova është në pritje të një numri të madh të marrëveshjeve që kanë të bëjnë me asistencë financiare prej Bashkimit Evropian (BE) e vende të tjera.
Miftaraj ka thënë se Gjykata Kushtetuese në asnjë vend në botë, por as në Kosovë, nuk mundet t’i bindë partitë politike ose me i obliguar ato për të pasur dialog dhe konsensus politik për të ardhur të një zgjidhje për konstituimin e Kuvendit. /Betimpërdrejtësi