Ministri Gashi kërkon përkrahjen e Turqisë për UNESCO

21 dhjetor 2017 | 11:10

Republika e Kosovës dhe Republika e Turqisë kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës.

Marrëveshja është nënshkruar të mërkurën në Ankara në mes të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi dhe ministrit të Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, Numan Kurtulmus. Të dy vendet, nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar, pajtohen që në të ardhmen të bashkëpunojnë në nisma të ndryshme kulturore, për mbështetjen e promovimit të artistëve dhe të performuesve nga të dy vendet, aktivitete të përbashkëta kulturore qoftë në Kosovë apo në Turqi, për forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe për promovimin e njohurive të ndërsjella të të arriturave në fushën e kulturës.

Të dy ministrat e kanë vlerësuar këtë si hap të rëndësishëm për thëllimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve, për ta çuar në një nivel tjetër bashkëpunimin kulturor, ndonëse kulturat e dy vendeve kanë shumë të përbashkëta për shkak të rrethanave historike.

“Bashkëpunimi në shumë aktivitete kulturore mes dy vendeve ka ekzistuar edhe në të kaluarën, por sot është një ditë e veçantë ngaqë po e zyrtarizojmë bashkëpunimin kulturor. Ky nënshkrim hap rrugën dhe fuqizon atë. Pa dyshim se kjo marrëveshje përfshin bashkëpunimin në të gjitha fushat e kulturës, teatrin, galerinë, pastaj ansamblet që kanë Republika e Kosovës dhe e Turqisë të cilat shpeshherë kanë shkëmbyer aktivitetet. Kjo marrëveshje është edhe një bazë e mirë që do ta mundësojë jetësimin e shumë marrëveshjeve të veçanta mes institucioneve të kulturës së dy vendeve”, ka thënë ministri Gashi, duke e falënderuar homologun turk për pritjen dhe gatishmërinë për ta zyrtarizuar këtë marrëveshje.

Ministri Gashi ka theksuar se marrëdhëniet në mes të Kosovës e Turqisë janë të mira dhe i ka falënderuar qeverinë e popullin turk për përkrahjen që kanë dhënë për Kosovën. Ndërkaq ministri Kurtulmus u shpreh se ndihet i lumtur që Kosova e Turqia nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës. “Kjo marrëveshje do t’i forcojë lidhjet mes dy shteteve. Kosova, populli i saj, kultura dhe historia e saj, janë shumë të afërta me shtetin tonë. Përmes kësaj marrëveshjeje do ta rrisim punën e përbashkët edhe mes institucioneve”, është shprehur ministri turk i kulturës.

Kosova e Turqia pajtohen për ta promovuar trashëgiminë kulturore

Në takimin mes dy delegacioneve u diskutuan edhe një varg çështjesh të tjera të interesit të përbashkët në fushën e kulturës, për shtimin e aktiviteteve konkrete, siç janë edhe javët e kulturës. Gjithashtu, ministri Gashi ka kërkuar nga homologu turk të angazhohet për ta ndihmuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ku mori përkrahjen e plotë për t’i koordinuar veprimet dhe për të lobuar për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë si dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Marrëveshja që u nënshkrua sot parasheh që palët të pajtohen që ta mbështesin dhe nxisin bashkëpunimin e drejtpërdrejtë në mes të institucioneve kulturore përkatëse që kanë në përgjegjësi fusha si: arkivat kombëtare, bibliotekat, galeritë, muzetë, letërsinë, artet pamore dhe performuese, aktivitete botuese, kinematografinë dhe mediet e tjera audio-vizuale.

Këto shkëmbime kulturore, në bazë të marrëveshjes, parashihet të arrihen përmes ekspozitave të ndryshme, aktiviteteve të ndryshme muzikore, vallëzimit, baletit, shfaqjeve teatrale. Në fushën e trashëgimisë palët janë pajtuar për ta inkurajuar, ruajtur, mbrojtur e promovuar trashëgiminë kulturore përkatëse në bazë të reciprocitetit, bashkëpunimin e drejtpërdrejtë të agjencive të specializuara për ruajtjen dhe rindërtimin e objekteve të prekshme dhe të paprekshme të trashëgimisë, promovimin dhe respektimin e identitetit kulturor dhe diversitetin, inkurajimin e shkëmbimit të ekspertëve, bashkëpunimin në fushën e trashëgimisë edhe në organizatat ndërkombëtare të specializuara, në të cilat Kosova e Turqia janë anëtare si dhe për ndërmarrjen e të gjitha masave parandaluese dhe korrigjuese për importin, eksportin, transitin dhe transferimin e paligjshëm të pronësisë së pronës kulturore.

Palët janë marrë vesh edhe për mbrojtjen e së drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta të shtetasve të palës tjetër. Po kështu, bashkëpunimi është rënë dakord që të realizohet edhe në letërsi dhe botime ku, ndër të tjera, parashihet bashkëpunimi mes shkrimtarëve dhe përkthyesve të veprave letrare dhe shoqatave e organizatave të shkrimtarëve, pjesëmarrja e shkrimtarëve në ngjarjet letrare me karakter ndërkombëtar që ndodhin në vendet respektive, bashkëpunimin e botuesve, bashkëpunimin mes bibliotekave kombëtare të të dy vendeve për shkëmbimin e specialistëve, materialeve informuese, librave dhe botimeve të tjera nga fondet e tyre.

Ndërkaq në fushën e kinematografisë palët janë pajtuar ta inkurajojnë bashkëpunimin ndërmjet krijuesve të filmit, duke përfshirë edhe bashkëprodhimet filmike si dhe pjesëmarrjen në festivale të ndryshme të filmit. Në kuadër të kësaj vizite, ministri Gashi ka vizituar edhe Mauzoleun e Kemaj Pasha Ataturkut, themeluesit të Turqisë moderne, me ç’rast ka dorëzuar një kurorë dhe është nënshkruar në librin e përkujtimeve. Po ashtu, ministri ka vizituar edhe muzeun personal që është themeluar për nder të Ataturkut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një tërmet mesatar ka goditur Teheranin, duke krijuar panikë tek…