Ministri Gashi takoi përfaqësues të organizatës “Let’s do it Kosova”

04 janar 2018 | 16:08

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur të enjten në takim një grup të të rinjve vullnetarë të organizatës “Let’s Do It Kosova”. Në këtë takim u diskutua gjatë rreth kushteve të punës vullnetare të të rinjve të Kosovës.

Ministri Gashi i ka njoftuar të pranishmit se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2018 ka një rritje buxhetore për sektorin e rinisë dhe se prioritet i Ministrisë për këtë vit do të jetë rinia.

Po ashtu ministri i ka njoftuar edhe me një program që pritet të themelohet në kuadër të Ministrisë së Rinisë i cili do të quhet Fondi Rinor, si dhe planifikimin për ndërtimin e një Qendre të Edukimit Jo-Formal për të rinjtë, e cila do të jetë qendra më e madhe rinore në rajon.

Ministri po ashtu ka theksuar se duke qenë se Udhëzimi Administrativ për Vullnetarizmin ka hapësira dhe zbrazëti të mëdha, po punohet në ndryshimin e këtij Udhëzimi Administrativ por edhe për hartimin e një Ligji për vullnetarizmin i cili do të përfshijë edhe çështjen e rinisë, ku theks të veçantë do të ketë njohja e punës vullnetare si përvojë e punës, si dhe do të pajisen vullnetarët me kartelën e vullnetarit.

Ai ka theksuar se bashkërisht edhe me organizatat tjera, me një bashkëpunim të jashtëzakonshëm do t’i shtyjmë proceset përpara dhe se MKRS-ja do të jetë mbështetëse e madhe e punës vullnetare të të rinjve.

Të rinjtë vullnetarë e njoftuan ministrin se problemi kyç me të cilin përballen janë kostoja e lartë për realizimin e aktiviteteve si pasojë e së cilës shumë ide dhe projekte të tyre mbesin të parealizuara.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i kësaj organizate Luan Hasanaj, ka falënderuar ministrin Gashi për pritjen, duke e falënderuar atë për gatishmërinë për të bashkëpunuar.

Ai ka thënë se do të punohet shumë në rritje të këtij bashkëpunimi në mënyrë që të realizohen aktivitetet e tyre vullnetare.

Gjithashtu Hasanaj ka vlerësuar edhe iniciativën për ndërtimin e një Qendre Rinore me përmasa rajonale, si një nevojë shumë e madhe e të rinjve të cilët aktualisht kanë mungesë të hapësirave për zhvillimin e aktiviteteve rinore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbi 10 milionë euro i ka kushtuar buxhetit të Kosovës…