Ministrja gjermane përgëzon ministren Gjonaj për rezultatet e reformës në drejtësi

04 qershor 2021 | 06:24

Në Nju Jork, në Kombet e Bashkuara, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka zhvilluar një takim me homologen e saj, ministren e Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Republikës Federale të Gjermanisë, Christine Lambrecht.

Homologet diskutuan mbi rëndësinë e Sesionit të Posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme për Antikorrupsionin duke theksuar se impenjimi politik i treguar në luftën kundër korrupsionit duhet të vijojë me veprime dhe masa respektive.

Ministrja Gjonaj ka theksuar se si Kordinator Kombëtar kundër Korrupsionit, bashkëpunimi i frytshëm mes vendeve të zgjerohet edhe në këtë fushë.

Si edhe reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit është gjithashtu një nga përparësitë e mëdha të qeverisë shqiptare.

Në qendër të këtij takimi ishin po ashtu rezultatet e arritura të reformës në drejtësi në Shqipëri.

Ministrja Lambrecht ka përgëzuar ecurinë e kësaj reforme unike si dhe rezultatet e vettingut duke garantuar se Gjermania do të vazhdojë të qëndrojë krah Shqipërisë në këtë proces të rëndësishëm.

Ministrja Federale Gjermane ka përkrahur dhe inkurajuar më tej punën e ministres Gjonaj, si dhe ka theksuar vijueshmërinë dhe rritjen gjithashtu të mbështetjes së Gjermanisë dhe asistencës teknike në lidhje me reformën në rrejtësi.

Në takim u dakordësua për të intensifikuar komunikimin midis stafeve teknikë për të përforcuar bashkëpunimin e mëtejshëm.

Ministrja Gjonaj falenderoi për mbështetjen e vyer të Gjermanisë jo vetëm për reformën në drejtësi, por edhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin, pasi Gjermania padyshim ka qenë një partner kyç.

Gjonaj në Nju Jork mbajti fjalim në Sesionin e Posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme mbi “Sfidat dhe Masat për Parandalimin dhe Luftimin e Korrupsionit”.

Ministrja Gjonaj në ditën e dytë të vizitës do të zhvillojë takime të tjera me zyrtarë të lartë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Modelja dhe aktorja kosovare Arta Elezaj nuk ka të ndalur…