
Mirë që një serb i dyshuar humb shtetësinë, por si mundet një ‘non grata’ të udhëheq politikat e qeverisë?
Shkruan: Hisen Berisha
(Koherenca dhe transparenca janë burimi kryesor i legjitimitetit. Nuk mund të ketë drejtësi pa drejtësi konsistente. Nuk mund të ketë siguri pa integritet institucional) Shteti i Kosovës së fundmi mori një veprim që duhet përshëndetur: hoqi shtetësinë një qytetari serb, pjesëtar i Policisë së Kosovës, i dyshuar për bashkëpunim me shërbimet sekrete të Serbisë. Në një kontekst të brishtë të sigurisë dhe me kërcënime të vazhdueshme ndaj sovranitetit tonë, ky është hap i drejtë – dhe i nevojshëm. Por, sa mund të shihet ky vendim si sinjal i një qëndrueshmërie parimore të qeverisë në raport me sigurinë kombëtare? Këtu lind paradoksi: mirë që nga njëra anë iu hoq shtetësia një personi të dyshuar për lidhje me strukturat serbe, por në anën tjetër kemi një person si Dejana Mihajllova (Dejona Mihajli), e shpallur “non grata” nga institucionet e Republikës së Kosovës në vitin 2014 për arsye të ndjeshme të sigurisë, sot jo vetëm që është rikthyer, por është ngritur në një pozicion kyç brenda strukturës udhëheqëse të Vetëvendosjes? Ajo është sot kryetare e komiteteve programore të LVV-së dhe personi kyç në hartimin e politikave qeverisëse. E njëjta Dejana, që dikur u konsiderua rrezik për rendin dhe sigurinë publike të Kosovës, tani është pjesë e qeverisjes së vendit – pa asnjë sqarim publik përse vendimi non grata nuk u revokua formalisht, apo si ndodhi rikthimi i saj në pozita të larta. Kjo kontradiktë e madhe e zbeh kredibilitetin e çdo vendimi tjetër që qeveria merr në emër të sigurisë dhe interesit shtetëror. A ka dy standarde në vlerësimin e rrezikut kombëtar – një për ata që janë jashtë rrethit të pushtetit dhe një tjetër për ata që janë brenda tij? Kjo qasje selektive nuk e ndihmon shtetin, nuk e forcon demokracinë, e aq më pak e mbron integritetin institucional. Përkundrazi, i jep shkas mosbesimit qytetar dhe minon themelet e shtetësisë për të cilat u derdh gjak. Për një shtet të vogël si Kosova, koherenca dhe transparenca janë burimi kryesor i legjitimitetit. Nuk mund të ketë drejtësi pa drejtësi konsistente. Nuk mund të ketë siguri pa integritet institucional. Quo vadis, Republikë? Kah po shkon, dhe me çfarë parimesh udhëhiqesh?