Mjekësia Sportive shumëfishon numrin e shërbimeve mjekësore

29 shtator 2022 | 16:11

Mjekësia Sportive e ka shumëfishuar numrin e shërbimeve mjekësore, pasi në qershor të këtij viti u vendos në një objekt modern, i ndërtuar në bazë të standardeve evropiane, me hapësira të bollshme dhe pajisje mjekësore të dorës së fundit.

Nga muaji qershor deri në muajin shtator të vitit 2022 në Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive janë kryer 6 mijë e 588 ekzaminime sistematike  shëndetësore të sportistëve, 218 kontrolla specialistike, kurse në Njësinë e Fizioterapisë dhe Rehabilitimit janë trajtuar 40 persona.

Kjo qendër tani ka rol afirmativ nëpërmjet vizitave sistematike grupore dhe individuale me vlerësimin e aftësive fizike të sportistëve aktiv dhe qytetarëve që merren në mënyrë rekreative me sport.

QKMS organizon në bashkërendim me klubet dhe federatat e caktuara së paku dy herë në vit, kontrollime sistematike shëndetësore për sportistët, sipas orarit dhe sporteve përkatëse.

QKSM, po ashtu, përmes bashkëpunimit dhe bashkërendimit me shërbimet tjera specialistike, mundohet të sigurojë nivelin sa më profesional dhe të plotësuar për ruajtjen dhe përparimin e shëndetit të tyre.

Në një periudhë sa më të shkurtër të mundshme synohet të bëhet digjitalizimi i të dhënave të sportistëve, që pastaj do të mund të shërbejë në përpunimin e të dhënave për qëllime studimore dhe statistikore që mund të japin vlerësime të vlefshme për grupmoshat, sipas indikatorëve të ndryshëm matës.

Në proces është hartimi i planifikimit strategjik për sportin në Kosovë, në të cilën Mjekësia Sportive do të ketë vend me rëndësi dhe kjo i hap rrugë investimeve dhe zhvillimit të Mjekësisë Sportive në Kosovë, si një vlerë e shtuar për sistemin shëndetësor në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Katër aksidente trafiku kanë ndodhur gjatë ditës së sotme në…