Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e radhës.
Në këtë mbledhje, sipas njoftimit të KQZ-së, në mesin e vendimeve ishte edhe ai për largimin nga lista e votuesve të mbi 1 mijë e 500 personave të vdekur.
Njoftimi i plotë i KQZ-së:
Mbledhja e 51-të: KQZ vazhdon përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve lokale 2025
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 51-të në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.
Në fillim të mbledhjes, u prezantua raporti informues lidhur me ecurinë e përgatitjes së zgjedhjeve lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
· Sipas raportit informues, është duke u zhvilluar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës dhe që nga fillimi i saj më 28 qershor dhe deri më 24 gusht 2025, janë pranuar 8,107 kërkesa, prej të cilave 7,432 janë aprovuar, ndërkaq 675 të tjera janë refuzuar për shkak se nuk kanë bashkangjitur fotografinë e tyre duke mbajtur në dorë dokumentin identifikues. Afati për ndërrim të Qendrës së Votimit do të mbyllet këtë të premte, më 29 gusht 2025.
· Po ashtu, anëtarët u informuan lidhur me periudhën e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovë votimme postë në zgjedhjet lokale 2025. Sipas të dhënave, nga data 23 korrik, kur ka filluar procesi i regjistrimit, dhe deri më 25 gusht (ora 09:00), janë aprovuar 21,436 kërkesa të paraqitura përmes platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org, ndërkaq janë refuzuar 5,244 për shkak se aplikuesit nuk kanë paraqitur dokumentin që dëshmon adresën e banimit apo adresa e deklaruar nuk është e njëjtë me adresën në dokumentin që e dëshmon atë. Afati për regjistrim do të mbyllet këtë të premte, më 29 gusht 2025.
Në vazhdim të mbledhjes, në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025, KQZ mori disa vendime, si në vijim:
· Miratimi i programt për Trupat Menaxhuese të Zgjedhjeve dhe stafin zgjedhor për zgjedhjet lokale 2025 – Ky program do të përfshijë mijëra persona të cilët do të angazhohen në procesin zgjedhor, përfshirë ditën e zgjedhjeve, siç janë: trajnerët; anëtarët e Këshillave të Vendvotimit; anëtarët e ekipeve mobile për votimin e personave me nevoja të veçanta; numëruesit në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe stafin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve. Programi i trajnimit ka për qëllim pajisjen me njohuri të stafit që do të angazhohet në zgjedhje për të gjitha procedurat e votimit dhe numërimit në vendvotim; votimin me kusht; votimin e personave me nevoja të veçanta, procedurat e numërimit në QKN; procedurat për paketimin e materialit zgjedhor.
· Miratimi i procedurës për Votimin e Personave me Nevoja të Veçanta (VPNV) – Ky udhëzuesi synon lehtësimin dhe garantimin e të drejtës kushtetuese për të votuar për të gjithë qytetarët pa përjashtim dhe ka për qëllim të përcaktojë mënyrën e regjistrimit, evidentimit dhe votimit të Peronave me Nevoja të Veçanta, të cilët nuk mund të votojnë në vendvotimin e tyre. Udhëzuesi përshkruan në detaje procesin dhe përgjegjësitë e Këshillit të Votimit të Ekipit Lëvizës, duke siguruar një proces zgjedhor transparent, gjithëpërfshirës dhe në përputhje të plotë me standardet ligjore dhe rregulloret zgjedhore në fuqi.
· Largimi nga lista votuese e personave të vdekur – KQZ mori vendim për largimin e 1,514 personave, të cilët në ditën e zgjedhjeve do të kenë moshën 95 vjeç ose më shumë. Të gjithë këta persona janë pjesë e një liste të verifikuar se kanë ndërruar jetë. Në këtë rast, numri i përgjithshëm i personave të evidentuar është mbi 2,748 persona, prej të cilëve është arritur të identifikohen 402 të gjallë dhe 712 të tjerë nuk është arritur të verifikohen. Procesi i verifikimit është realizuar nga Zyrtarët Ekzekutiv të KQZ në 35 komuna të ndryshme të Kosovës.
· Vendim për hapjen e Qendrës së Votimit në lagjen “Marigona Residence” në Graçanicë – Duke u mbështetur në kërkesën e votuesve të Komunës së Graçanicës, banues në lagjen “Marigona Residence”, Zyrtari Ekzekutiv i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Graçanicë ka bërë vlerësimin e objektit shkollor “International School of Prishtina – ISP” që ndodhet në këtë lagje dhe se i njëjti mund të përdoret për Qendër Votimi. Gjithashtu, shërbimi votues ka bërë analizimi ne të dhënave të votuesve që janë banorë të kësaj lagje dhe rezultaton se mbi 260 votues caktohen për të votuan në këtë qendër të re të votimit, me kod 3414. Në zgjedhjet e kaluara, këta votues kanë qenë të caktuar të votojnë në Qendrën e Votimit 3408 – Sh.F.M.U. “Miladin Mitić”, në fshatin Preoc në një distancë rreth 3 km.
Gjithashtu, në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për zëvendësimin e dy anëtarëve të Komisioneve Komunale në komunën e Vushtrrisë dhe Gllogocit, si dhe miratoi kurrikulen e trajnimit për trajner dhe Trupa të Menaxhimit të Zgjedhjeve.