“Modaliteti në gjuhësi”, promovohet libri i ri i Vjosa Sadriu – Hamitit

30 maj 2025 | 16:07

Ka dalë nga shtypi libri më i ri i studiueses dhe profesoreshës Vjosa Sadriu-Hamiti, me titull “Modaliteti në gjuhësi”, botuar nga Botimet XHAD në Prishtinë.

“Modaliteti në gjuhësi” është libër që synon të bashkojë gjuhën e dijes me dijen e gjuhës, duke shqyrtuar jo vetëm aspektet gramatikore dhe semantike të modalitetit, por edhe dimensionet e tij filozofike, pragmatike dhe diskursive.

“Modaliteti në gjuhësi” mëton të jetë një ndihmesë origjinale në shqip për këtë fushë interesante të dijes. Libri mëton që domenin e modalitetit ta shpjegojë me gjuhë të saktë, edhe terminologjike, por të kapshme për publikun e gjerë lexues.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se prof. dr. Vjosa Sadriu-Hamiti është një ndër emrat të çmuar mbi temën e modalitetit në gjuhë, një fushë komplekse dhe pak e trajtuar në gjuhësinë shqipe. “Me punën e saj të palodhur dhe mendimin shkencor të thelluar, ajo jo vetëm që e pasuron literaturën tonë, por edhe frymëzon breza të tërë studiuesish. Libri i saj ‘Modaliteti në gjuhësi’ nuk është thjesht një kontribut akademik, por një udhërrëfyes i çmuar – një trashëgimi që ajo e mbron dhe e zhvillon me përkushtim”, ka deklaruar Rama.

May be an image of 1 person, book and text

Ky është libri i dytë i profesoreshës Vjosa Sadriu-Hamiti.

Librin e parë “Epistemische Modalität – die Äußerungsmöglichkeiten im Deutschen und ihre Äquivalente im Albanischen“[Modaliteti epistemik – Mundësitë e shprehjes në gjermanisht dhe ekuivalentet e tyre në shqip] e ka botuar në Gjermani në vitin 2019.

Parathënia e librit “Modaliteti në gjuhësi”:

Modaliteti është fushë e gjuhësisë dhe e filozofisë, fare pak e trajtuar te ne, me të cilën merrem tash e dy dekada. Përtej modalitetit në rrafshe gramatikore dhe semantike, domenin e modalitetit e kam parë si perspektivë nëpërmjet së cilës mund të shqyrtohet mënyra se si njeriu e koncepton botën, duke përdalluar të mundshmen nga e pamundshmja, të domosdoshmen nga e rastësishmja, të dëshirueshmen nga e nevojshmja.
Kërkimet e mia në këtë fushë i nisa në kohën e studimeve pasuniversitare, të magjistraturës (2005-2006), në Universitetin e Prishtinës. I kam thelluar dhe zgjeruar tutje gjatë studimeve të doktoratës në Universitetin e Vjenës, nën drejtimin e Prof. Peter Ernst. Modalitetin e kam studiuar jo vetëm në rrafsh krahasimtar, si analizë të plotë të strukturave modale të gjuhës gjermane dhe të gjuhës shqipe, jo vetëm në aspektin gramatikor, por edhe në rrafshe semantike, pragmatike dhe filozofike, domethënë edhe teorike. Rezultatet e punës sime kërkimore kanë dalë në një sërë artikujsh shkencorë që i kam botuar në revista prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare në dekadën e fundit. Kam sfiduar koncepte të konsoliduara. E kam trajtuar modalitetin nga këndvështrime të reja.
Kurorë e rrugëtimit tim akademik dhe shkencor u bë libri im monografik në gjermanisht, në esencë disertacioni im i doktoratës, “Epistemische Modalität – die Äußerungsmöglichkeiten im Deutschen und ihre Äquivalente im Albanischen“[Modaliteti epistemik – Mundësitë e shprehjes në gjermanisht dhe ekuivalentet e tyre në shqip], botuar nga Shtëpinë botuese prestigjioze Harrassowitz më 2019. Dijetari gjerman, Prof. Dr. Peter Bartl, i cili ka bërë edhe studime të vlefshme për shqiptarët, më shkruante ndër të tjera më 3 gusht 2019: “Haben Sie besten Dank für die Übersendung Ihrer Dissertation, die ich inzwischen aufmerksam gelesen habe. Ich war beeindruckt von der hervorragenden sprachlichen Gestal-tung der Arbeit: ein so fehlerfreies Manuskript hatte ich bisher noch nicht in den Händen gehabt.“ [“Ju falënderoj shumë për dërgimin e disertacionit tuaj, të cilin ndërkohë e kam lexuar me vëmendje. Jam i impresionuar nga trajtimi i shkëlqyer gjuhësor i punimit: një dorëshkrim kaq pa gabime nuk e kam pasur deri më tani në duar.“ Ky vlerësim i çmuar vinte disa vite mbasi e kisha mbaruar doktoratën në Universitetin e Vjenës me ‘summa cum laude’.
“Modaliteti në gjuhësi” është vepër që e përmbledh gjuhën e dijes dhe dijen e gjuhës, të cilat, mbas një pune të gjatë kërkimore, botohet në një libër origjinal në shqip.

May be an image of book and text
Libri strukturohet në pesë kapituj që e trajtojnë këtë fushë të ndërliqshme të gjuhësisë nga aspekte të ndryshme.
Kapitulli i parë i shqyrton parimet themelore të modali-tetit si kategori gjuhësore, duke nxjerrë në pah lidhjet e saj me fushat përtej gjuhës, veçanërisht me filozofinë dhe me logjikën modale. Kapitulli i dytë i trajton mënyrat se si modaliteti përjetohet dhe përçohet në kontekste të përditshme të të folurit dhe të përkthimit, por edhe në procesin e nxënies dhe/apo mësimor, aty ku ndërtohet kuptimi gjuhësor dhe ndërgjuhësor. Kapitulli i tretë fokusohet në shprehjet gjuhësore të modalitetit, duke i analizuar krahasimisht format dhe mjetet në dispozicion të gjuhëve shqipe dhe gjermane, duke i përvijuar ndërtimet e tyre leksikore, sintaksore dhe semantike. Kapitulli i katërt e çon më tutje këtë kërkim, duke i trajtuar foljet modale dhe rolin e tyre në strukturën morfosintaksore të të dyja gjuhëve, për t’i hetuar afritë dhe ndryshimet sistemore ndërmjet tyre. Kapitulli i pestë i përmbledh rezultatet e punës kërkimore mbi bazën e një korpusi të zgjedhur letrar, në shqip dhe në gjermanisht, si dëshmi konkrete e realizimeve gjuhësore në letërsi. I shtjellon po ashtu qasjet metodologjike që janë ndjekur në punë të analizës kontrastive. Në këtë kapitull të mbramë të librit modaliteti shqyrtohet hollësisht nëpërmjet foljeve modale, me theks jo vetëm te funksionet e tyre në planin gjuhësor, por edhe te mënyrat se si ato dëftojnë qëndrime, qëllime apo domosdoshmëri në rrafsh diskursiv.
Libri “Modaliteti në gjuhësi” mëton që domenin e modalitetit ta shpjegojë me gjuhë të saktë, edhe terminologjike, por të kapshme për publikun e gjerë lexues nëpërmjet një analize të përimtuar, duke nxjerrë në pah kompleksitetin dhe nuancat e modalitetit, me përqendrim të veçantë te foljet modale, të cilat janë më shumë sesa thjesht mjete gramatikore. Këto folje shërbejnë si porta drejt realiteteve të mundshme, duke krijuar lidhje kuptimore ndërmjet realitetit aktual dhe atij potencial. Në këtë këndvështrim, studimi i modalitetit shkon përtej analizës gramatikore në një përpjekje për ta kuptuar natyrën e mundësive dhe të kufizimeve, duke i shqyrtuar mënyrat se si gjuha e reflekton dhe e ndërton realitetin.
Analiza krahasuese (shqip-gjermanisht) nxjerr në pah pasurinë dhe kompleksitetin e këtij fenomeni në dritën e foljeve modale që e shprehin atë. Modaliteti mund të transformohet në kohë, i ndikuar nga faktorë kulturorë dhe gramatikorë. Analiza evidenton jo vetëm nuancat dalluese të modalitetit, por edhe ndikimin që kanë foljet modale në ndërveprimet njerëzore dhe në formësimin e komunikimit të përditshëm.

May be an image of text that says 'ကမတစော် VJOSA HAMITI HAMITI VJOSA HAMITI ANA NẼ MODALITETI GJUHESI PRISHTINE PRISH NỀ'
Studiuesi Jongeboer e ka cilësuar modalitetin një “labirint” konceptual – “Im Irrgarten der Modalität” (“Në labirintin e modalitetit”) – ku ndërthuren shtresat gramatikore dhe kuptimore të gjuhës. Ky përkufizim nuk mjafton për ta shpjeguar kompleksitetin e tij. Ai mund të konceptohet si një univers i veçantë: botët e modalitetit në gjuhë, që gjuha i ndërton për vete dhe për ta përfytyruar vendin e saj në botë. Modaliteti e përcakton pozicionin e folësit ndaj përmbajtjes së thënies dhe e vendos aktin gjuhësor në një rrafsh që shkon përtej komunikimit të drejtpërdrejtë. Në këtë dritë, ai del më shumë se një nocion i thjeshtë gjuhësor, një mënyrë e të qenit në gjuhë.
Modaliteti nuk është thjesht një kategori gramatikore apo një hallkë e strukturës sintaksore. Ai është gjurmë e mendimit, refleks i dyshimit, pasqyrim i dëshirës dhe shprehje e potencialitetit. Në planin gjuhësor, ai paraqitet si zë i brendshëm i folësit, një mundësi e hapur për të shprehur gjëra të pashprehura plotësisht: një dritare drejt realiteteve alternative, të pranishme dhe të paprekshme njëkohësisht. Në filozofi, modaliteti lidhet me nevojën dhe domosdoshmërinë, ndërsa në gjuhësi me qëndrimin, me mundësinë dhe me lirinë.
Libri “Modaliteti në gjuhësi” mëton të jetë një ndihmesë origjinale në shqip për këtë fushë interesante të dijes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së dhe ish-eprori i lartë i UÇK-së, Ferat…