
Modriq – Real, fundi i një epoke magjike dhe të lavdishme
Luka Modriq i dha fund epokës së lavdishme me Real Madridin. Legjenda kroate ka lënë gjurmë të pashlyeshme në “Santiago Bernabeu” ku arriti të bëhej një prej mesfushorëve më të mirë në histori të futbollit. 39-vjeçari u inkuadrua në minutat e fundit të ndeshjes gjysmëfinale të Botërorit të Klubeve mes Real Madridit dhe Paris Saint-Germainit, e cila ishte edhe paraqitja e tij e fundit në fanellën e “Los Blancos”.
Me mbretërit, ish-futbollisti i Tottenhamit i ka zhvilluar 597 ndeshje zyrtare që prej transferimit aty prej më shumë se një dekade, kur në krye të ekipit ishte Jose Mourinho. Në këtë periudhë, “Magjistari kroat” i ka fituar plot 28 trofe, duke u bërë futbollisti më i trofeshëm në histori të klubit madrilen. Modriqi ka fituar gjithçka që mund ta fitojë një lojtar, përfshirë këtu Ligën e Kampionëve, La Ligan, Kupën e Spanjës, Superkupën e Spanjës, Superkupën e Evropës dhe Botërorin e Klubeve. Ndër të tjera, ai e ka fituar edhe Topin e Artë në vitin 2018.
Përfaqësuesi kroat i ka shënuar 43 gola me fanellën e bardhë, ndërsa i kishte edhe 95 asistime. Fatkeqësisht, ai u largua nga Madridi në sezonin me zero trofe. Kroati ka arritur marrëveshje me Milanin si lojtar i lirë pasi i skadoi kontrata me “Mbretërit”. Ai do të luajë së paku një vit në “San Siro”, duke vendosur më pas nëse do të pensionohet apo do të vazhdojë të luajë edhe një vit tjetër.