
Mohimi i Dialogut Strategjik është mashtrim ndaj qytetarëve
Shkruan: Hisen Berisha
Në ditët e fundit, në komente dhe reagime të ndryshme, po shihet një përpjekje e qëllimshme për të mohuar ekzistencën e Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA dhe për të relativizuar pasojat e pezullimit të tij.
Ky diskurs është i rrezikshëm sepse krijon konfuzion te qytetarët dhe shërben, pa apo me dashje, si mburojë për dështimet e qeverisë kujdestare në raport me partnerët strategjikë të Kosovës. Ky është një rrezik i madh politik e kombëtar që nuk mund të lihet pa përgjigje.
Është e domosdoshme të sqarojmë me fakte:
1. Dialogu Strategjik ka ekzistuar realisht. Nuk është shpikje, as ‘fantazmë diplomatike’. Ka qenë një mekanizëm politik dhe institucional i shpallur nga vetë administrata amerikane në vitin 2023, i shoqëruar me takime të nivelit të lartë, me tryeza pune dhe me dokumente orientuese. Nuk është traktat ndërkombëtar i ratifikuar në Kuvend, por është një kornizë e qartë bashkëpunimi midis dy qeverive, siç ekzistojnë edhe me shtete të tjera aleate të SHBA-së.
2. Përmbajtja e Dialogut përfshinte fusha jetike për Kosovën:
– Sigurinë dhe mbrojtjen – koordinimin me SHBA për forcimin e FSK-së, mbrojtjen kibernetike dhe përgatitjen drejt NATO-s.
– Ekonominë dhe investimet – nxitjen e investimeve amerikane në energji, miniera dhe teknologji, të domosdoshme për zhvillim dhe vende pune.
– Qeverisjen dhe sundimin e ligjit – mbështetje për reformat institucionale dhe luftën kundër korrupsionit.
– Arsimin dhe shkëmbimet akademike – programe të reja për studentë e institucione arsimore.
3. Pezullimi i Dialogut është një humbje reale dhe serioze për Kosovën:
– Në politikën e jashtme, Kosova mbetet pa një kanal të institucionalizuar me Washingtonin, duke humbur ndikim në raport me Serbinë.
– Në ekonomi, ndalen iniciativat për investime amerikane, duke dëmtuar zhvillimin e qëndrueshëm.
– Në siguri, ngadalësohet koordinimi për përgatitjen e FSK-së drejt NATO-s.
– Në strategji afatgjatë, Kosova del nga agjenda prioritare e SHBA-së, ndërsa Serbia fiton terren në Uashington e Bruksel.
4. Mohimi i Dialogut është mashtrim ndaj qytetarëve.
Të thuash se ‘Kosova nuk ka humbur asgjë sepse Dialogu nuk ka ekzistuar kurrë’ është tentativë për ta fshehur dëmin që i është bërë shtetit nga veprimet e papërgjegjshme të qeverisë.
Mohimi nuk i zhbën faktet dhe as nuk e rikthen besimin e humbur me SHBA.
5. Përgjegjësia është e qeverisë, jo e qytetarëve dhe as e opozitës.
Të akuzosh ata që e thonë të vërtetën për ‘propagandë pro-serbe apo pro-ruse’ është lojë e shëmtuar.
Në fakt, pikërisht dobësimi i marrëdhënieve me SHBA është dhurata më e madhe që i bëhet Beogradit dhe Moskës.
Kush e mohon këtë, mbyll sytë para realitetit.
Si përfundim dua të thëm se “Dialogu Strategjik” ka qenë një mekanizëm real, i dobishëm dhe i domosdoshëm për Kosovën. Pezullimi i tij është alarm kombëtar sepse dëmton politikisht, ekonomikisht, zhvillimisht dhe në aspektin e sigurisë.
Kush e mohon këtë fakt, në vend që të ndihmojë Kosovën, thjesht legjitimon dështimin e qeverisë dhe përforcon narrativën e Serbisë e Rusisë.
Kosova nuk ka luksin të humbë SHBA-në si aleat strategjik. Mohimi i këtij realiteti është dëm kombëtar.
(Autori është gjeneral në pension dhe ish deputet i Kuvendit të Kosovës)