MONUMENTI LETRAR I SKËNDERBEUT

04 janar 2021 | 01:44

Trilogjia “Gjergjat në drita përkrenaresh” – Avni Dehari, Sh.b. “Orfeu”, Prishtinë 2018

Prof. Shaip EMËRLLAHU

Ka shumë monumente,që i janë kushtuar figurës legjendare të Skënderbeut. Është para së gjithash ai monument, që atij ia ka skalitur plot venerim populli ynë- në epose e në këngë epike. Janë monumentet në skulpturë, në pikturë dhe në vepra simfonike. Po ashtu, janë veprat e shumta memorialistike, historike e letrare, që nisin qysh nga vepra e parë e Marin Barletit “Historia e Skënderbeut”, pastaj me botime të Dhimitër Frankut, Gjon Muzakut, për të vazhduar më pas me poemat e Jeronim de Radës (Skanderbeku i pafan), Naim Frashërit (Histori e Skënderbeut), të ndjekura me vepra të Fan Nolit, Ismail Kadaresë, Sabri Godos, Bilal Xhaferit…, si dhe shumë krijime të tjera në prozë e poezi. Për këtë simbol të qëndresës shqiptare, në mbrojtje të trojeve të veta, por që u bë një kështjellë mbrojtëse edhe për vet Evropën e kohës, janë të panumërta nga një varg autorësh evropianë e botërorë: studime historike, romane kalorësiake, poema, piktura, opera, simfoni…, të cilat e vlerësojnë lart këtë figurë, duke e renditur atë pa mëdyshje,mes rrethit të ngushtë të personaliteteve më të shquara të të gjitha kohërave.
Ndër aktivitet e shumta mbarëkombëtare, që po organizohen gjatë vitit 2018, i shpallur ky si Viti i Skënderbeut, në përkujtim të 550 vjetorit të vdekjes së tij, merr një vlerë të posaçme edhe prezantimi/promovimi i sotëm i trilogjisë “Gjergjat në dritë përkrenaresh”, e botuar në Prishtinë nga shtëpia botuese “Orfeu”, me autor Avni Dehari. Duhet të sjellim në vëmendje se, autori është tashmë i njohur për lexuesin me një krijimtari të kahershme, e botuar kjo krijimtari në Kosovë, në Shqipëri dhe në Zvicër. Përgjithësisht, ato vepra i janë drejtuar lexuesve të moshave shkollore, duke tentuar të përcjellin mesazhe edukative patriotike e morale, të gërshetuara këto mesazhe edhe me informacion historik, etnografik e gjeografik- për vendlindjen, për dheun e të parëve. Këto krijime, metaforikisht mund t`i përfytyrojmë si stacione të larmishme e të këndshme, ku lexuesit, adoleshentë e të rinj, janë endur me flatrat e fantazisë së tyre – nëpër kohë dhe nëpër vise të ndryshme të atdheut të tyre. Atje kanë takuar heronj të historisë, rapsodë e mentorë të urtë, prej të cilëve, fitojnë dhe formojnë personalitet dhe identitet.
Por, kjo vepër e re, e konceptuar si trilogji, përbën një arritje të shënuar jo vetëm për autorin, por edhe për pasurimin e fondit – tashmë aq të vyer të botimeve skënderbejane. Dhe ky është një fond që mbetet përherë i hapur, pasi figura e heroit tonë, Gjergj Kastriotit, është një pikë e fortë referenciale për t’iu drejtuar kësaj figure në çdo kohë e në çdo situatë që kalon kombi ynë. Madje, ai është po aq pikë referenciale edhe për të tjerët, për ata përtej nesh, sidomos si simbol i vlerave dhe i fuqisë që vijnë prej bashkimit. Ky bashkim është ajo energjia vigane, që e bën të fortë edhe të voglin, i cili mund të triumfojë si Davidi i lashtësisë me Goliatin. Po ashtu,ky bashkim gjeneron vlera të mëdha – si simbol i bekimit të sakrificave, kur ato bëhen imediatisht për vendin tënd. Por, po aq janë të bekuara, kur ato sakrifica bëhen edhe për mbrojtjen e vlerave progresiste europianiste. Heroi ynë, Gjergj Kastriot Skënderbeu, ishte pikërisht një misionar i tillë, prijatar i popullit të vet, por edhe një vizionar dhe kalorës i lirisë, që vështronte përtej oborrit të shtëpisë e të fisit të vet. E kjo i ka dhënë atij vlerësimet aq të larta prej kancelarive dhe prej figurave botërore, nëpër rrjedha të të gjitha kohëve. Mjaft nga studiuesit evropianë, kanë shkruar me dokumente e argumentuese në ato kohë të vështira, shqiptarët i dhanë më shumë Evropës se ç’përfituan prej saj, duke e transkriptuar sot këtë konstatim, edhe si një borxh të madh të saj, ndaj këtij vendi të vogël. Një borxh ky, që matet me shumë e shumë jetë njerëzish të vrarë, me shumë pasuri e shumë vise të shkatërruara e të braktisura, në përballje me fuqinë më të madhe pushtuese të kohës – Perandorisë otomane.

Trilogjia e veprës, është e konceptuar në një unitet të brendshëm. Pra, rrjedh jeta e heroit në tre pamje themelore: fëmijëria në vendlindje, në mjediset familjare të Kastriotëve, pastaj marrja peng së bashku me të vëllezërit nga sulltani, ku ai rritet dhe kunis t’i zgjohet ndjenja e detyrës ndaj atdheut, deri sa do të vijë çasti që të marrë mbi vete barrën e udhëheqësit të popullit në rrugën e lirisë. Kjo është kurba e jetës së heroit, ku spikatin tërë ato vlera, që tani i takojnë historisë së tij të lavdishme. Kjo histori i ka hedhur atij mbi krye kurorën e lavdisë, që jo vetëm nuk zbehet në rrjedhë të shekujve, por ajo merr shkëlqim përherë edhe më të madh.
Në të gjitha episodet e përshkruara, figura e Skënderbeut është vizatuar artistikisht, sa në dimensionin e tij heroik, aq dhe atë njerëzor. Kjo mënyrë trajtimi e bën të afërt me lexuesin, duke ndërtuar raporte komunikuese me të dhe kjo krijon premisat e nevojshme, që ky lexues i ri – t’i bëjë të vetat natyrshëm vlerat e përcjella. Pra, të shikojë te Skënderbeu heroin, monumentin e historisë, por edhe njeriun e gjallë, të cilit i ndjen gjithçka posi një njeriu që e ka përballë: edhe emocionet, edhe mëdyshjet, gëzimin dhe hidhërimin e dramën njerëzore. Këtu mendojmë se ruhet një baraspeshë e vlerësuar, sepse vërtet kemi të bëjmë me një Skënderbe të letërsisë, pra, një figurë fiction, por ama autoriteti dhe pesha e tij historike e kërkojnë edhe një kufizim nga letërsia e tepërt. Duket se,autori e ruan mirë këtë raport, duke i kombinuar të dyja kompetencat: ato letrare dhe ato historike. Sigurisht, që të arrihet kjo,nuk është aq e lehtë dhe nuk funksionon me receta. Ajo arrihet menjë kombinim mes intuitës dhe inteligjencës e finesës artistike.
Trilogjia çelet me tregimin që rrëfen lindjen e Dragoit të Arbërisë, Gjergj Kastriotit, si një shenjë e bekuar për shqiptarët. Gjin Aleksi, komandant Tanushi, Kamani, Krutani, Mrika, Gjoni e gjithë bujarët e luftëtarët e kohës, në këtë çast solemn, përshkruhen të ndezur nga hareja e ia marrin një valleje të moçme lufte. Është një skenë vërtet prekëse: fyelltarëve sa s’u pëlcasin bulçitë prej ngazëllimit, lahutat, gajdet dhe kavallet jehojnë si kurrë më parë. “Rroftë Arbëria”, “Rroftë Gjergji”, oshtin Kruja, oshtijnë malet si kurrë më parë. Dhe tregimi që mbyll trilogjinë, përshkruan çastin kur në shtratin para vdekjes, Gjergji dëshmon porosinë e tij të madhe të bashkimit mes shqiptarëve, që tashmë është bërë legjendë. Është ai moment i paharruar, që vjen si porosia e heroit nëpër shekuj, kur ai u vendos përpara bashkëluftëtarëve të tij – tufën e thuprave. Të bashkuara, ato nuk thyhen dot prej një dore, por thyhen aq lehtazi të veçuara. Pra, përcillet porosia e bashkimit të aspiratave dhe të energjive mes shqiptarëve, porosi dhe mësim që mbeten aq aktual e të çmuar edhe sot e kësaj dite. Pikërisht brenda kornizës së këtyre dy tregimeve, si hyrje e si përmbyllje e tërë veprës, ndërtohet gjithë jeta e begatë e Heroit tonë kombëtar. Figura e Gjergj Kastriotit, zbulohet me mjeshtëri në këta tre libra të autorit Avni Dehari, sa në rrafshin heroik, aq edhe në atë njerëzor. Ai shfaqet si udhëheqës e strateg vizionar, por edhe luftëtari sypatrembur i betejave mes ushtarëve të tij. Kjo e dëshmon qartazi profilin e tij, si një lider i lidhur fort ngushtë me popullin e vet, që vjen si apel dhe si model mjaft ndikues edhe për kohët e sotme.
Janë mjaft pjesë të këtyre librave që shpalosin në mënyrë bindëse e plot emocion skena të larmishme nga jeta e Skënderbeut: mes malësorëve, në kuvende me bashkëluftëtarët e në beteja me armiqtë, në marrëdhënie me kancelaritë e kohës dhe me përballimin e kurtheve, intrigave e lajkave prej oborrit sulltanor dhe prej atyre të vetëve, që i ishin shitur armiqve. Pikërisht tërë kjo atmosferë e ndërlikuar, nga njëra anë mes pengesash dhe nga ana tjetër mes atij besimi e vetëmohimi për të përballuar e sprapsur pushtuesit, i japin kësaj figure një profil të lartë madhështie e nderimi të pasosur në shekuj. Poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri, në veprën e tij të gjatë epope Histori e Skënderbeut, mes të tjerash, e përshkruan bukur e me solemnitet emocional çastin e kthimit të Skënderbeut në Krujë, ku shquajnë vargjet:
Krujë, o qytet i bekuar,
Prite, prite Skënderbenë
Po vjen si pëllumb i shkruar,
Të shpëtojë mëmëdhenë…
Dhe heroi ynë, në këtë çast të madh historik, vinte të shpëtonte jo vetëm Shqipërinë, por edhe qytetërimin evropian. Sepse, sikundër ka shkruar shkrimtari ynë i përmasave botërore, Ismail Kadare, ai nismëtoi (projektoi) programin më europianist shqiptar dhe se historia heroike e kthyer tashmë në mit e Skënderbeut, ka qenë dhe mbetet një histori fund e krye:shqiptare dhe evropiane. “Është pjella e parë e përbashkët e Shqipërisë me Europën dhe, si e tillë, përveç që na nderon, na jep shpresë…”, shprehet në mënyrë thelbësore e lapidare shkrimtari Kadare.
Kjo trilogji e shkrimtarit Avni Dehari,i drejtohet gjithë lexuesit shqiptar, e sidomos shkollarëve e të rinjve, duke mbartur kështu një mision të lartë edukimi për ta. Për Gjergj Kastriotin, ka shumë monumente madhështore të derdhura në brons: në sheshet e Tiranës, Krujës, Prishtinës, Shkupit, Romës, Zvicrës… Edhe kjo trilogji,është një monument, në këtë rast një monument i derdhur me fjalë zemre prej gjuhës sonë shqipe, asaj gjuhe, që buronte e gjëmonte në gojën e heroit tonë legjendar.

Kumtesë e lexuar me rastin e përurimit të trilogjisë “Gjergjat në drita përkrenaresh” të shkrimtarit Avni Dehari, Shkup, 2018.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për president i Barcelonës, Emili Rousaud thotë se Lionel…