(Mos) mbajtja e shamisë në shkolla nuk është prioritet

14 gusht 2022 | 14:16

Shkruan: Ismet Rashiti

Dashtë e padashtë jemi përfshirë në një debat të panevojshëm dhe krejt të parakohshëm lidhur me (mos) mbajtjen e shamisë në shkollat fillore. Është interesant se tema të tilla nxjerrin kokë pikërisht në situata të rënda në rrugën tonë të shtetndërtimit dhe kjo është dëshmuar sa e sa herë gjatë këtyre dy dekadave të konsolidimit shtetëror të Kosovës. Aq më tepër sot, kur është i pranishëm provokimi i një lufte me përmasa botërore nga Rusia. Kjo mbase është një temë tjetër që kërkon trajtim serioz nga kompetentët e sigurisë shtetërore, por le t’i kthehem  debatit në fjalë.

Në rastin konkret, tema e (mos) mbajtjes së shamisë në shkolla fillore, do të ishte interesante për debat, në një vend sovran, me demokraci të konsoliduar, me një zhvillim ekonomik shumë më të lartë, me një nivel tjetër arsimor, shkencor, kulturor  dhe gjithsesi me një vetëdije më të formuar shtetndërtuese.

Aktualisht Kosova nuk e ka asnjërën prej këtyre parakushteve : Jemi të lirë, por nuk jemi sovran. Kemi pavarësi me disa komuna nën ndikimin serb. Jemi vend me gjendje të vështirë ekonomike, kemi një sistem të ulët arsimor dhe për pasojë një vetëdije kolektive, jo të mjaftueshme kombëtare e shtetndërtuese. Kemi një Bashkësi Islame krejt të pakoordinuar dhe të painstitucionalizuar dhe po ashtu institute dhe akademi të paralizuara tërësisht.

Në këso rrethanash është absurde që (mos)bartja e shamisë në shkolla të bëhet « top prioritet » ose temë debati në shoqërinë tonë me njëmijë probleme tjera që kërkojnë zgjidhje  urgjente. Këto debate, nuk janë aspak të lehta dhe nuk mund të mos shkaktojnë përçarje në një shoqëri që vetëm para dy dekadash ka përjetuar gjenocidin e shtetit serb. Ndaj konsideroj se tash për tash dhe për shumë vite tjera, tema të tilla, nuk duhet të jenë prioritet në shoqërinë tonë, meqë nuk ekzistojnë as kapacitetet minimale për gjetjen e një konsensusi për të gjithë dhe mbi bazën e shoqërive demokratike. Në rrethanat aktuale, Kosova nuk mund të krahasohet me demokracitë e konsoliduara shumë dekada më parë, me një zhvillim tjetër shumë më të lartë dhe me një vetëdije të plotë kolektive rreth kombit, shtetit dhe regjionit.

Sipas Kushtetutës dhe ligjeve, Kosova është shtet laik, mirëpo nuk mund të thuhet se institucionet tona janë laike, kur brenda institucionit arsimor, kryhen rite fetare. Kur vet mësimdhënësi e shkelë ligjin duke predikuar ose duke u lutur para nxënësve në kohë të punës. Nga ana tjetër edhe religjioni, sidomos sektet e ndryshme që thirren në islam, janë përfshirë në fushata politike të cilat po e sfidojnë shtetin në shumë aspekte. Laicitetit, pra, nënkupton ndarjen e shtetit nga feja dhe gjithsesi zbatimin e ligjeve civile nga gjykata civile. Në rastin e Kosovës edhe shteti, edhe feja, i ndërhynë njëra tjetrës dhe në kështu, në  mënyrë drastike shkelet Kushtetuta dhe ligjet e vendit.

Në rrethana normale dhe në kohën e duhur, nëse do të ishte i nevojshme, një debat i tillë do të  duhej të fillonte nga institucione të larta akademike, shkencore, kulturore dhe assesi nga individ dhe grupe të politizuara, të ndikuara dhe aspak të thirrura për një gjë të tillë sublime. Ardhja e kërkesave të tilla në këtë mënyrë, nga ekstreme të ndryshme dhe në këto kohë të vështira, lënë shumë për të dëshiruar, ndaj është detyrë urgjente  e profesionistëve dhe hoxhallarëve patriot që fenë ta vendosin ashtu siç duhet dhe ku e ka vendin. Nga ana tjetër institucionet shtetërore, gjykatat civile dhe të gjithë mësimdhënësit, duhet të janë në nivel të përgjegjësisë dhe detyrave që i ngarkon kushtetuta e vendit tonë, duke kërkuar me ngulm zbatimin e ligjeve.

Me një fjalë laiciteti në shkolla dhe institucione shtetërore në vetvete buron prej laicitetit të shtetit, i cili gjithsesi duhet ta marrë edhe vlerën e garantit të harmonisë fetare.

Në këto rrethanash, një përgjegjësi të madhe e kanë të gjitha partitë politike, të cilat për një grusht votash  dhe për inat të njëra tjetrës, po tolerojnë gjëra që mund të jenë shumë të kushtueshme për perspektivën e vendit tonë. Natyrisht, në një shtet demokratik, të gjithë njerëzit duhet të ndihen të lirë dhe të lumtur, por gjithsesi duke respektuar të drejtat e njeriut dhe rregullat e përbashkëta si shoqëri ! Me një fjalë laicitetit për të cilin jemi përcaktuar me kushtetutë, qëndron në ngulitjen e dëshirës për të zbuluar të vërtetën shkencore. Dihet se shtetet perëndimore janë laike, por niveli i laicitetit është i ndryshëm në vende të ndryshme, varësisht nga rrethanat historike, gjeografike dhe zhvillimi i kapaciteteve kulturore dhe ekonomike që kanë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për…