Mosdënimi i gjenocidit të Serbisë, përgjegjësi e politikës së vendeve euroatlantike

09 dhjetor 2019 | 12:01

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqi, ka treguar se nuk e kanë habitur deklaratat e presidentit serb për mohimin e masakrës së Reçakut. Ai ka thënë se në kohën kur janë kryer këto krime Aleksandër Vuçiqi ka  udhëhequr Ministrinë e Informimit në Serbi dhe e ka të vështirë të shkëputet nga politika e gjenocidit.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se mosdënimi i gjenocidit të Serbisë është përgjegjësi e politikës së vendeve euroatlantike. “Serbia para disa vitesh është dashur të dënohej për politikat e gjenocidit që i ka udhëhequr në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci. Deklaratat e fundit të Vuçiqit, por edhe të zyrtarëve të tjerë serbë, janë dëshmi se ata nuk kanë hequr dorë nga ato politika, bile në disa raste vetëm se janë trimëruar, siç është rasti me Gjykatën Speciale të  Kosovës me seli në Hagë. Mosdënimi i gjenocidit të Serbisë ishte dhe është përgjegjësi e politikës së vendeve euroatlantike”, ka thënë Krasniqi.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës ka bërë me dije se dialogu Kosovë – Serbi edhe mund të vazhdojë, por me këtë mentalitet të politikës serbe ky proces nuk mund të sjellë ndonjë rezultat pozitiv. “Dialogu edhe mund të rinisë, por me këtë frymë që dominon në Serbi nuk mund të pritet asnjë rezultat pozitiv. Shkurt, është si ‘me gri ujë në havan’. Deklaratat e Vuçiqit për ne nuk duhet të jenë risi. E tillë ka qenë politika e programuar serbe që nga koha e ‘Naçertanies’ e deri te programet e akademikëve të Millosheviqit. Edhe sot është e tillë”, është shprehur ai.

Krasniqi ka deklaruar se politika e Kosovës në raport me Serbinë duhet të ndryshojë, por se a do të ndodhë kjo, sipas tij, mbetet të shihet. “Fryma politike që është udhëhequr në Kosovë që nga fillimi i bisedimeve në Bruksel, e sidomos nga politika e bashkëpunimit që është vazhduar që pas zgjedhjeve të vitit 2014, e veçmas mosgatishmëria e partive opozitare për të mos u marrë vesh për asnjë interes nacional, janë tregues se gjërat në politikën tonë nuk ndryshojnë lehtë. Ndryshimet bëhen aty ku ka vesh për të dëgjuar tjetrin se çka po thotë e jo kush po e thotë. Politika në Kosovë duhet të ndryshojë! A do të ndryshojë, duhet të shohim se a do të ndryshojë komunikimi i njerëzve të veshur me pushtet”, është shprehur Krasniqi.

 “Epoka e re”: Z. Krasniqi, Serbia po vazhdon ta mohojë gjenocidin që ka bërë në Kosovë. Më 5 dhjetor presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se masakra e Reçakut është “trillim” dhe Wolkerin e quajti mashtrues. Për këtë deklaratë pati reagime nga vendorët dhe ndërkombëtarët. Këto deklarata të zyrtarëve të Serbisë e vështirësojnë procesin e dialogut, edhe pse ndërkombëtarët vazhdimisht bëjnë thirrje për rinisje të këtij procesi?
Krasniqi: Nëse kemi parasysh faktin se Kuvendi i Kosovës më 8 maj 2019 e ka miratuar “Rezolutën për gjenocidin e kryer serb në Kosovë”, ku kërkoi që 15 janari të shpallet “Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë”, dihet se më 15 janar 1999 në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes forcat serbe kanë vazhduar dhe kryer një nga krimet më të shëmtuara gjenocidare që kishte ndodhur deri në atë kohë. Krimi i gjenocidit që u krye në Reçak me të drejtë e revoltoi komunitetin ndërkombëtar dhe e mobilizoi atë për t’i dhënë fund politikës së gjenocidit në Kosovë. Rezoluta e Kuvendit i obligon përfaqësuesit e popullit të Kosovës në institucione që ta mbrojnë atë në plotësi. Mua personalisht nuk më habisin deklaratat e Vuçiqit, pasi ai në kohën kur janë kryer krimet ka udhëhequr Ministrinë e Informimit në Serbi dhe ka pasur për qëllim që politikën e krimit e të gjenocidit ta shtrijë në çdo pore të shoqërisë serbe dhe atë detyrë e ka kryer me bindje dhe shumë përkushtim. Prandaj ai e ka vështirë të shkëputet nga politika e gjenocidit. Dialogu edhe mund të rinisë, por me këtë frymë që dominon në Serbi, nuk mund të pritet asnjë rezultat pozitiv. Shkurt, është si “me gri ujë në havan”. Deklaratat e Vuçiqit për ne nuk duhet të jenë risi. E tillë ka qenë politika e programuar serbe që nga koha e “Naçertanies” e deri te programet e akademikëve të Millosheviqit. Edhe sot është e tillë.

 “Epoka e re”: A mendoni se pas kësaj gjuhe të Vuçiqit do të duhej të ndryshonte diçka Kosova në raport me dialogu me Serbinë?
Krasniqi: Fryma politike që është udhëhequr në Kosovë që nga fillimi i bisedimeve në Bruksel, e sidomos nga politika e bashkëpunimit që është vazhduar që pas zgjedhjeve të vitit 2014, e veçmas mosgatishmëria e partive opozitare për të mos u marrë vesh për asnjë interes kombëtar, janë tregues se gjërat në politikën tonë nuk ndryshojnë lehtë. Ndryshimet bëhen aty ku ka vesh për të dëgjuar tjetrin se çka po thotë e jo kush po e thotë. Politika në Kosovë duhet të ndryshojë! A do të ndryshojë, duhet ta shohim se a do të ndryshojë komunikimi i njerëzve të veshur me pushtet.

 “Epoka e re”: Si i keni parë reagimet e ndërkombëtarëve për këtë çështje? Do të duhej të ishin më të ashpër me Serbinë?
Krasniqi: Reagimet janë të mira, por shumë të vonuara. Serbia para disa vitesh është dashur të dënohej për politikat e gjenocidit që i ka udhëhequr në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci. Deklaratat e fundit të Vuçiqit, por edhe të zyrtarëve të tjerë serbë, janë dëshmi se ata nuk kanë hequr dorë nga ato politika, bile në disa raste vetëm sa janë trimëruar, siç është rasti me Gjykatën Speciale të  Kosovës me seli në Hagë. Mosdënimi i gjenocidit të Serbisë ishte dhe është përgjegjësi e politikës së vendeve euroatlantike.

 “Epoka e re”: Derisa zyrtarët serbë nuk e pranojnë gjenocidin e bërë në Kosovë, në anën tjetër ish-komandantë të UÇK-së dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së po përballen me Gjykatën Speciale. Edhe ju jeni intervistuar nga Specialja. Sa po e dëmton Specialja luftën çlirimtare dhe shtetin tonë në aspektin e jashtëm?
Krasniqi: Lufta çlirimtare e asnjë kombi nuk mund të dëmtohet, nuk mund të dëmtohet as lufta jonë çlirimtare, por lëndohen shumë: liria, drejtësia e demokracia. Pse? Pse po vendoset një standard në “drejtësi” që nuk ka asnjë lidhje të vetme me drejtësinë e vendosur si vlerë nga komuniteti ndërkombëtar. Me cilin standard të njohur ndërkombëtar përndiqen çlirimtarët e jo kriminelët që mbollën, kultivuan dhe ekzekutuan për vite gjenocidin? Këto janë politika absurde, që mendja e urtë e njeriut nuk mund t’i pranoi. I pranojnë vetëm të fuqishmit që nuk pyesin për drejtësinë ose thonë: Drejtësia jemi ne.

“Epoka e re”: OVLUÇK-ja po kërkon shfuqizimin e Speciales. A është e mundshme një gjë e tillë nga institucionet e reja, pasi kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka paralajmëruar se do të ketë diskutim për Specialen në Kuvendin e Kosovës dhe me Brukselin?
Krasniqi: Të gjithë duhet ta kujtojnë vargun e një kënge: “Kujto punën pa u bërë, se kur të bëhet mos bëj zë”! Njerëzit e mençur reagimet i bëjnë me kohë e jo si “kofini pas të velurave”. Këtë që po e them, po e them jo me dëshirë, por me zemër të thyer: Përfaqësimi i Luftës Çlirimtare, në çdo segment të saj, e veçmas në institucionet e shtetit, ka qenë e ka mbetur nën çdo nivel të përfaqësimit e të përgjegjësisë. Dhe e gjithë kjo ka ndodhur e është duke ndodhur për shkak të lakmisë e të pangopësisë së të ashtuquajturve “komandantë”, të futur në politikë pa dije e të paasnjë virtyt!  Nuk kam e as që kam pasur ndonjë dyshim ndonjëherë, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë, ka mbetur dhe është kryevlerë kombëtare, por dikush, pas luftës, të virtytshmit e saj e të gjithë rezistencës kombëtare, i luftoi dhe i zëvendësuan me të dëgjueshmit që i morën jashtë vlerave të saj. Mjafton ta shikoni se si është qeverisur Kosova, veçmas në dy vjetët e fundit?! Kjo nuk ishte pasqyrë e derivuar nga vlerat sakrifikuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e as të Klandestines Kombëtare të pas Luftës së Dytë Botërore.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK), Valon Prestreshi, ka…