
Mosmarrëveshja për kanalizim në Malishevë përfundon me të shtëna
Një konflikt për çështje kanalizimi në Malishevë ka eskaluar në kërcënime dhe përdorim arme, duke çuar në arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e një pistolete me gas.
Rasti është raportuar më 10 gusht 2025, rreth orës 14:00, në rrugën “Ibrahim Mazreku”. Sipas hetimeve, palët e përfshira – Halil Mazreku, rreth 48-vjeçar, Enver Mazreku, rreth 49-vjeçar dhe Bali Mazreku, rreth 20-vjeçar, kishin një mosmarrëveshje të mëhershme për kanalizimin, e cila u shndërrua në përleshje me kërcënime dhe të shtëna.
Në vendngjarje policia ka gjetur 7 gëzhoja dhe 4 fishekë që dyshohet t’i përkasin një pistolete me gas. Pas sigurimit të provave, është identifikuar i dyshuari Bali Mazreku, i cili dyshohet se ka përdorur armën. Fillimisht, gjatë bastisjes në shtëpinë e tij nuk është gjetur asgjë, por më pas ai ka treguar vendin ku e kishte fshehur armën – një pistoletë me gas të tipit Zoraki 917-8, me 7 fishekë, e cila është sekuestruar si dëshmi materiale.
Me urdhër të prokurorit rasti është iniciuar si “Vetëgjyqësi”, “Kanosje”, “Përdorim i armës” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”. I dyshuari Enver Mazreku dhe i dyshuari Bali Mazreku janë ndaluar për 48 orë dhe dërguar në Qendrën e Mbajtjes.