Moti
DAVID LODGE
Mbrëmja e kësaj dite, në Hartfield, ishte shumë e gjatë dhe melankolike. Moti shtoi çfarë mundi nga ngrysja. Filloi një shi i ftohtë e i stuhishëm dhe asgjë s’ngjante me korrikun përveç pemëve dhe shkurreve që po i përlante era dhe gjatësisë së ditëve që pamjet mizore i bënin më të dukshme / JANE AUSTEN, Emma (1816)
Londër. Semestri vjeshtor mbaroi dhe Lordi Kancelar rrinte ulur në Sallën e Lincoln Innit. Mot i paqëndrueshëm nëntori. Ka aq shumë baltë në rrugë, sikur ujërat sapo janë tërhequr nga faqja e dheut dhe nuk do të ishte e jashtëzakonshme nëse takojmë një Megalosaurus, dyzet këmbë të gjatë, që ecën si hardhucë elefantike në Kodrën e Holbornit. Tymi që del nga kapakët e oxhakut krijon një shi të zi të imtë me fjolla bloze aq të mëdha sa një fjollë bore e rritur – dikush mund të imagjinojë se mbante zi për vdekjen e diellit. Qentë nuk dallohen nga lluca. Kuajt, pak më mirë; spërkatën deri te maskat e syve. Këmbësorët përplasin çadrat e njëri-tjetrit në ndotjen e përgjithshme të disponimit të keq dhe humbin pikëmbështetjen në cepat e rrugëve, ku dhjetëra mijëra këmbësorë të tjerë kanë rrëshqitur dhe shkarë që nga agimi (nëse ka gdhirë ndonjëherë), shtojnë depozita të reja koreje mbi koren e baltës, qepen ngulshëm atyre skajeve në trotuar dhe grumbullohen në interes të përbërë / CHARLES DICKENS, Shtëpia e zymtë (1853)
PËRVEÇ STUHIVE të çuditshme në det, motit iu kushtua pak vëmendje në prozë deri në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë. Ndërsa në shekullin nëntëmbëdhjetë, romancierët thuajse shkruajnë gjithmonë për të. Kjo pjesërisht si pasojë e rritjes së vlerësimit të Natyrës të sjellë nga poezia dhe piktura romantike, e pjesërisht për shkak të rritjes së interesit letrar për individualen, shprehet për gjendjen e ndjenjave që ndikojnë dhe ndikohen nga perceptimet tona të botës së jashtme. Siç e vuri Coleridgei në odën e tij mbi “Dëshpërimin”:
Oj Zonjë! Ne marrim vetëm atë që japim
Dhe vetëm në jetën tonë Natyra jeton.
Të gjithë e dimë se moti ndikon në disponimin tonë. Romancieri është në pozitë të volitshme të shpikë çfarëdolloj moti që i duhet për gjendjen shpirtërore që ai ose ajo dëshiron ta evokojë.
Prandaj, moti shpesh është shkas i efektit që John Ruskin e quajti mashtrim patetik, projektim i emocioneve njerëzore mbi fenomenet në botën natyrore. “Të gjitha ndjenjat e dhunshme… përshtypjet tona për gjërat e jashtme prodhojnë falsitet, që në përgjithësi do t’i karakterizoja si mashtrim patetik”, shkroi ai. Siç nënkupton edhe emërtimi, Ruskini mendoi se kjo ishte diçka e keqe, simptomë e dekadencës së artit dhe letërsisë moderne (në krahasim me klasiken) dhe vërtet shpesh është arsye e të shkruarit të fryrë, vetëkënaqës. Por, nëse përdoret me inteligjencë dhe maturi, është mjet retorik i përshtatshëm për efekte prekëse dhe të fuqishme, pa të cilat fiksioni do të qe shumë më i varfër.
Jane Austen mbante dyshim Augustinian[1] lidhur me imagjinatën romantike dhe e satirizoi në karakterizimin e Mariannesë te Ndjenjë dhe ndjeshmëri. “Jo të gjithë si ti pasionohen në gjethet e fishkura”, vëren ftohtë motra e saj Elinor pas rapsodisë së vjeshtës së Mariannesë, “Sa më ka ënda, ndërsa ec, t’i shoh kur më bien rrebesh nga fryma. Çfarë ndiejnë, stina, ajri të frymëzuara bashkërisht!” Moti në romanet e Jane Austen është zakonisht diçka që ka ndikim të rëndësishëm praktik në jetën shoqërore të personazheve të saj e nuk është tregues metaforik i jetës së tyre të brendshme. Bora në kapitujt 15 dhe 16 të Emës është shembull tipik në këtë kuptim. Herën e parë përmendet në mes të darkës të zotit Weston para Krishtlindjeve, ku zoti John Knightley, i cili, në radhë të parë, s’kishte dashur të vinte, hyn në dhomë dhe njofton me Schadenfreude[2] të fshehur se “po binte shumë borë me një erë të fortë përmbytëse”, duke shkaktuar terror në zemrën e babait hipokondriak të Emës, zotit Woodhouse. Pason një diskutim ku të gjithë kanë diçka për të thënë, më shumë diskutim vetëzbulues sesa për çështjen në fjalë, derisa z. George Knightley kthehet nga ekzaminimi i motit dhe jep një përshkrim më të arsyeshëm dhe ngushëllues. Ai dhe Ema vijnë në përfundim se meqë zoti Woodhouse, sido që të bëhej, do të shqetësohej gjithë mbrëmjen, vendosin t’i thërrasin karrocat. Z. Elton përfiton nga ky largim i papritur për t’u futur i pashoqëruar në karrocën e Emës ku edhe i shpall dashuri. Kjo po që ishte edhe e papritur edhe thellësisht e turpshme për Emën, pasi ajo mendon se ai i vardisej ndihmëses së saj, Harrietës. Për fat të mirë, moti i ditëve të ardhshme është alibi e mirëseardhur për shmangien e takimit me të dyja palët:
Moti qe më se i favorshëm për të… Toka ishte mbuluar me borë dhe atmosfera ishte në atë gjendje të luhatshme mes ngricës dhe shkrirjes, që nga të gjitha, është më e pafavorshmja për lëvizje. Me mëngjeset që fillonin me shi ose borë dhe mbrëmjet e ngrira, ajo për ditë të tëra mbeti e burgosura më e nderuar.
Moti përshkruhet sepse është i rëndësishëm për storjen, por përshkrimi është mjaft i drejtpërdrejtë.
Megjithatë, me raste, edhe Jane Austen e përdor me maturi mashtrimin patetik. Kur lumturia e Emës është në rënie e sipër, kur ajo zbulon të vërtetën, me të gjitha implikimet e turpshme të sjelljes lidhur me Jane Fairfaxin, kur vonë e kupton se e dashuron zotin Knightley, por ka arsye të besojë se ai do të martohet me Harrietën, në ditën më të keqe të jetës së saj, “moti shtoi çfarë mundi nga ngrysja”. Ruskin do të thoshte se moti është i paaftë për qëllime të tilla. Por, stuhia e verës është analogji e saktë për ndjenjat e heroinës lidhur me të ardhmen, sepse pozita e saj e caktuar dhe e rëndësishme në shoqërinë e vogël dhe të mbyllur të Highburyt vetëm do ta bënte “pamjen mizore” të martesës së Harrietës me Knightleyn “më të dukshme”. Mirëpo, stina e papërshtatshme është shenjë jo e besueshme: të nesërmen dielli lind përsëri dhe George Knightley shfaqet për t’i propozuar Emës.
Aty ku Jane Austenit i rrëshqet mashtrimi patetik aq vjedhurazi saqë mezi e vëmë re, Dickensi na godet me të në paragrafin e famshëm hyrës të Bleak House (Shtëpia e zymtë). “Mot i paqëndrueshëm nëntori”. Personifikimi i motit si “i paqëndrueshëm” është frazë e zakonshme, por këtu bart shenja të pakënaqësisë hyjnore, që lidhet ngushtë me aludimet në Dhiatën e Vjetër. “Sikur ujërat posa të jenë tërhequr nga faqja e dheut”, i bën jehonë përshkrimit të Krijimit në Zanafillë dhe storjes së Përmbytjes. Këto aludime biblike përzihen me mënyrën viktoriane në një kozmologji më moderne postdarviniane, me referencat mbi Megalosaurusin dhe rënien e sistemit diellor nga entropia. Gjithë efekti është mjeshtëri befasuese e defamiljarizimit.
Në një kuptim, kjo është pamja reale e rrugëve të Londrës të shekullit të nëntëmbëdhjetë në mot të keq, një montazh i detajeve tipike të përshkruara thjesht dhe fjalëpërfjalshëm: tymi që dilte nga kapakët e oxhakut… qentë nuk dallohen nga lluca… kuajt spërkatën deri te maskat e syve… çadrat përplasen. Por, imagjinata metaforike e Dikensit e transformon këtë skenë të zakonshme në një vizion apokaliptik të kryeqytetit krenar të Perandorisë Britanike që rikthehet në moçal primitiv ose anticipon zhdukjen përfundimtare të jetës në tokë. Veçanërisht mahnitëse është saltoja e dyfishtë metaforike nga fjolla e blozës, te fjolla e borës në zi, te vdekja e diellit.
Është një lloj skenari që më vonë e hasim në fantashkencë (vizioni i Megalosaurusit që lëviz në Holborn Hill anticipon King Kongun që ngjitet në Empire State Building, “vdekja e diellit” finalen rrëqethëse te Makina e kohës të H. G. Wellsit) dhe te profetët postmodernë, si Martin Amis, që shkruajnë për fundin e botës. Ai denoncon idenë e një shoqërie të denatyruar për shkak të lakmisë dhe korrupsionit, që Dickensi e provon në intrigë shumështresore të përqendruar mbi pasurinë kontestuese. Me mendjemprehtësi thotë se balta, në qytetin e Londrës, grumbullohet në interes të përbërë, duke na kujtuar ndëshkimin biblik për paranë si fitim i pistë. Zoti Kancelar në fillim të fragmentit përshkruhet (në një seri deklaratash të shkurtra si tituj të “Lajmeve të orës dhjetë”) si kryesues i gjykatës, e duket sikur kryeson motin dhe asocimi bëhet disa paragrafë më poshtë: “Kurrë nuk mund të ketë mjegull aq të dendur, asnjëherë nuk mund të ketë aq baltë dhe llucë të thellë, që të përputhet me gjendjen përhumbëse dhe ngecjet e Gjykatës së Lartë të Kancelarit, që në sytë e qiellit dhe tokës është më fatalja e mëkatarëve të lashtë”.
Përktheu nga anglishtja: Meliza Krasniqi. Marrë nga numri 25 i revistës “Akademia”.
[1] Letërsia augustiniane është një stil i letërsisë britanike i krijuar gjatë mbretërimit të Mbretëreshës Anne, Mbretit George I dhe George II në gjysmën e parë të shekullit XVIII, duke përfunduar në vitet 1740, me vdekjen e Alexander Pope dhe Jonathan Swift, në vitin 1744 përkatësisht në vitin 1745. Ishte një epokë letrare që shfaqi zhvillimin e shpejtë të romanit, një shpërthim në satirë, ndryshimin e dramës nga satira politike në melodramë dhe një evolucion drejt poezisë së eksplorimit personal.
[2] Kënaqësi e përftuar nga fatkeqësia e tjetrit.



