Motoristët nisen nga Prekazi drejt Hagës në mbështetje të liderëve të UÇK-së

15 tetor 2025 | 14:29

Nga Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz të mërkurën është bërë nisja e marshit simbolik me motoçikleta drejt Hagës, i organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, me qëllim për të shprehur mbështetje për drejtësinë dhe për liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Organizatori i marshit, Ismail Tasholli, ka thënë se ky rrugëtim bart një mesazh të fortë simbolik dhe kombëtar. “Sot e kemi filluar marshin. Synimi ynë është që karvanit t’u bashkohen pjesëtarë nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe diasporës. Do të ndalemi në Cyrih dhe më pas në Dyseldorf, ndërsa më 19 tetor do të arrijmë në Hagë”, ka thënë Tasholli në emisionin “Mesditë” në “Tëvë1”.

Ai ka thënë se nisja nga Prekazi nuk është e rastësishme, por mbart kuptimin historik të sakrificës dhe lirisë.

“Prekazi është pikënisja e çdo shqiptarizmi. Mesazhi ynë është i qartë – ‘Liria ka emër’. Kërkojmë drejtësi, transparencë dhe gjykim të paanshëm, jo politik”, u shpreh ai. Sipas tij, marshit do t’i bashkohen qindra motoristë nga vende të ndryshme të Evropës, përfshirë Italinë, Holandën, Greqinë dhe Zvicrën, ndërsa në Bruksel, pranë Parlamentit Evropian, do të dorëzohet një kërkesë për transparencë dhe monitorim të procesit gjyqësor në Hagë. “Nuk do të mbajmë fjalime gjatë rrugëtimit, për të mos e politizuar marshin dhe për të ruajtur karakterin e tij simbolik”, ka thënë Tasholli.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka filluar takimi i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von…