Murati: Platforma për dialog ta ketë brenda parimin e reciprocitetit me Serbinë

25 prill 2018 | 17:27

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, ka kritikuar platformën shtetërore për finalizimin e dialogut të Kosovës me Serbinë.

Ai ka thënë se ky dokument është një shkresë që aspak nuk i plotëson kriteret për të qenë platformë. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Murati ka thënë se çfarëdo platforme e bisedimeve me Serbinë do të duhej të përmbante në vete parimin e reciprocitetit në marrëdhëniet me Serbinë.

“Çfarëdo platforme e bisedimeve me Serbinë do të duhej ta përmbante në vete parimin e reciprocitetit në marrëdhëniet me Serbinë. Ky reciprocitet do të mund të shtrihej në dy rrafshe. E para, të gjenden zgjidhje reciprokisht të njëjta për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë me ato që do të aplikohen në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok, në anën tjetër të zbatohet reciprociteti në të drejta si për shqiptarët që jetojnë kudo në Serbi me ato të serbëve në Kosovë”, ka thënë Murati.

Ai ka paralajmëruar se nëse nuk zbatohet ky parim në këto bisedime, Kosova rrezikohet të bëhet një shtet i dështuar. “Përndryshe, nëse ne vazhdojmë të flasim vetëm për Kosovën, nëse ne vazhdojmë të bëjmë kompromis pas kompromisi, po e shndërrojmë Kosovën jo vetëm në një shtet jofunksional të varur në tërësi nga pakica serbe dhe indirekt nga Beogradi, por po rrezikojmë ta bëjmë edhe atë që njihet si failed state, apo shtet i dështuar”, është shprehur ai.

Kryetari i LB-së ka folur edhe për iniciativat e PDK-së dhe LDK-së për të ndërtuar një konsensus nacional për çështjet e rëndësishme shtetërore, duke i mirëpritur ato. Sipas tij, Kosova duhet të ketë platformë vetëm për bisedimet, kurse për të tjerat çështje nevojitet vetëm konsensus. “Është për t’u përshëndetur çfarëdo nisme për të arritur konsensus kombëtar e shtetëror për temat që vërtet na prekin si shtet e shoqëri. Sidoqoftë, ditët e fundit thuajse ka filluar një garë se kush po prin në këto nismat për platforma e konsensus. Letra e z. Veseli, kryetarit të PDK-së, kishte disa defekte serioze. Unë mendoj se Kosovës i duhet platformë vetëm për bisedimet me Serbinë, përderisa për çështjet e tjera duhet konsensus, sidomos për reformën zgjedhore”, ka thënë Murati.

“Epoka e re”: Z. Murati, Qeveria e Kosovës javën e kaluar e ka miratuar platformën për finalizimin e dialogut me Serbinë. Cili është qëndrimi juaj për këtë platformë?
Murati: Lëvizja për Bashkim e ka bërë publike se ky dokument është një shkresë që aspak nuk i plotëson kriteret e të qenit një platformë. Personalisht m’u duk si një rezolutë e thjeshtë e Kuvendit të Kosovës. Në këtë shkresë vendosen disa objektiva, si ajo e arritjes së një marrëveshjeje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë, njohja reciproke, ulësja në OKB, shpejtimi i integrimit në NATO dhe BE (këto dy të fundit ishin krejt të palogjikshme në këtë tekst) etj. Se cili do të jetë pozicioni ynë për të arritur këto objektiva, se cilët janë hapat për t’i arritur këto objektiva, se cilat do të jenë kushtet tona, ky dokument nuk tregon. Për më tepër, aty, në mënyrën më të papërgjegjshme, vazhdon të mos flitet për shqiptarët e Kosovës Lindore, gjë që shpreh edhe një herë mentalitetin joshtetëror të këtyre faktorëve. Kështu, logjikshëm, në mënyrë implicite del se këto objektiva do të arrihen duke biseduar me Serbinë vetëm për çështjet e brendshme të Kosovës dhe për pakicën serbe në Kosovë. Ne mendojmë se kjo ka qenë një qasje e gabuar që prej fillimit të dialogut me Serbinë, dhe kjo e ashtuquajtur platformë, është vetëm vazhdimësi e logjikës së njëjtë. Nuk ka asgjë të ndryshme në këtë dokument nga ajo që kemi parë në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë deri më tani.

“Epoka e re”: Shumë shpejt kjo platformë do të diskutohet edhe në Kuvendin e Kosovës, ku pritet ta marrë formën përfundimtare. Me çfarë duhet të plotësohet kjo platformë?
Murati: Çfarëdo platforme e bisedimeve me Serbinë do të duhej ta përmbante në vete parimin e reciprocitetit në marrëdhëniet me Serbinë. Ky reciprocitet do të mund të shtrihej në dy rrafshe. E para, të gjenden zgjidhje reciprokisht të njëjta për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë me ato që do të aplikohen në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok, në anën tjetër të zbatohet reciprociteti në të drejta si për shqiptarët që jetojnë kudo në Serbi me ato të serbëve në Kosovë, duke përfshirë në këtë situatë edhe vendet e garantuara në Kuvendin e Serbisë dhe të drejtën e vetos, ashtu siç e kanë serbët në Kuvendin e Kosovës. Pastaj të zbatohen të njëjtat parime të ndërtimit dhe funksionimit të gjyqësorit, policisë e deri tek asociacioni i komunave me shumicë shqiptare. Përndryshe, nëse ne vazhdojmë të flasim vetëm për Kosovën, nëse vazhdojmë të bëjmë kompromis pas kompromisi, po e shndërrojmë Kosovën jo vetëm në një shtet jofunksional të varur në tërësi nga pakica serbe dhe indirekt nga Beogradi, por po rrezikojmë ta bëjmë edhe atë që njihet si failed state, apo shtet i dështuar.

“Epoka e re”: Parimisht opozita e ka kundërshtuar këtë platformë duke e cilësuar të varfër. Cili duhet të jetë qëndrimi i opozitës ndaj këtij dokumenti?
Murati: Opozita do të duhej të angazhohej për një konsensus shtetëror dhe kombëtar, i cili do të bazohej mbi principin e reciprocitetit, të cilin e elaborova më lart. Për të qenë i sinqertë, kam shumë pak shpresa se kjo do të ndodhë. LDK-ja, në njërën anë, konceptualisht jo vetëm se nuk dallon nga Qeveria aktuale, por ajo qoftë kur ka qenë në opozitë më herët, qoftë kur ka qenë në pushtet, ka ndjekur të njëjtën vijë politike sa i përket dialogut me Serbinë. Dialog vetëm për çështje të brendshme të Kosovës, kompromise, me shpresën se mos Serbia po na njeh në fund. Me asgjë deri më tani LDK-ja nuk ka dëshmuar se ka ndryshuar qasje. Në anën tjetër, LV-ja është krejtësisht e çorientuar në raport me dialogun dhe qëndrimet e saj janë krejtësisht jokonsistente. Ky çorientim vjen edhe për shkak të faktit se kundërshtimin shumëvjeçar të dialogut me Serbinë përmes parullave “Jo negociata, Vetëvendosje” dhe të një sërë kushtesh për të bërë dialogun, duke iu afruar pushtetit, e ndërruan në “dialog të brendshëm me serbët”. Tani kryetari i LV-së, z. Kurti, erdhi me idenë e tri fazave që duhet të realizohen para se të fillojë dialogu me Serbinë. Është pak e vështirë në këto rrethana të dihet cili në të vërtetë është pozicioni i vërtetë i LV-së sa i përket dialogut me Serbinë?! A është për këtë dialog me kushtet e vjetra a jo? A është për dialog vetëm me serbët lokalë? Apo është për dialog me Serbinë pas realizimit të tri fazave paraprake? Në këto rrethana ende nuk po shoh dritë në fund të tunelit, dhe jemi duke rrezikuar shumë që të lëshojmë një rast të mirë për ta përmbyllur ciklin e konfliktit shqiptaro-serb duke adresuar çështjet e mbetura, sidomos çështjen e Kosovës Lindore, dhe tri komunave serbe në veriun e Kosovës, duke hapur kështu mundësitë që Kosovën ta shndërrojmë në shtet funksional.

“Epoka e re”: PDK-ja dhe LDK-ja kanë propozuar dy iniciativa të ndara përmes të cilave synohet arritja e një konsensusi nacional për çështjet e mëdha. Si i keni parë këto iniciativa?
Murati: Është për t’u përshëndetur çfarëdo nisme për të arritur konsensus kombëtar e shtetëror për temat që vërtet na prekin si shtet e shoqëri. Sidoqoftë, në ditët e fundit thuajse ka filluar një garë se kush po prin në këto nisma për platforma e konsensus. Letra e z. Veseli, kryetarit të PDK-së, kishte disa defekte serioze. Unë mendoj se Kosovës i duhet platformë vetëm për bisedimet me Serbinë, përderisa për çështjet e tjera duhet konsensus, sidomos për reformën zgjedhore. P. sh., për ushtrinë ka konsensus për krijimin e saj. Çështja është a po realizohet me ndryshime kushtetuese apo me ligj. Andaj pse duhet të kemi platformë e cila do të përmbante këtë çështje?! Njëjtë është me agjendën e integrimeve evropiane, për të cilën ka konsensus të gjerë. Pse duhet të ketë platformë që garanton luftimin e krimit dhe korrupsionit? Për këtë çështje duhet vetëm vullnet politik i atyre që janë në krye të Qeverisë. Në anën tjetër kemi edhe çështjen e Asociacionit, e cila në këto rrethana na lë pak hapësirë veprimi. Asociacionin është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013 dhe gjithashtu Gjykata Kushtetuese e ka vulosur ekzistencën e tij me vendimin e vitit 2016. Vetëm ndryshimi konceptual i bisedimeve me Serbinë do të mund ta ndryshonte realitetin sa i përket Asociacionit. Në anën tjetër, kemi ftesën e kryetarit të LDK-së, z. Mustafa, për një takim ndërpartiak për të biseduar për çështjet e rëndësishme të vendit, parimet se si do të trajtohen këto çështje si dhe për caktimin e datës së zgjedhjeve. Ajo që ndihet në këtë ftesë, është përpjekja për të zënë një pozicion sa më të mirë në opinionin publik në momentin e dhënë. Unë besoj se idetë për organizimin e tryezave të tilla janë të dobishme, porse organizimi praktik i tyre duhet të vijë pas një pajtimi paraprak të subjekteve politike, në mënyrë që askush të mos ndihet se po e merr flamurin në këtë drejtim.

“Epoka e re”: Dy subjektet më të mëdha opozitare, LDK-ja dhe LV-ja, kanë paralajmëruar mundësinë e ngritjes se një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Është momenti i duhur për një veprim të tillë?
Murati: Është krijuar një praktikë jo e mirë, që kushdo që është në opozitë, orë e çast të kërkojë që vendi të shkojë në zgjedhje. Është e vërtetë se ne kemi një Qeveri me shumë pak funksionalitet dhe me krizë të madhe numrash. Është e vërtetë se kemi një Qeveri krejtësisht të varur nga deputetët e Listës Serbe. Megjithatë, çfarëdo zgjedhjesh të shpejta, nuk garantojnë stabilitet për Qeverinë e ardhshme. Para çfarëdo vendimi për zgjedhje të ardhshme, partitë politike duhet të arrijnë një konsensus për reformën zgjedhore. Çfarëdo zgjedhjesh në nguti, e pa reformë zgjedhore, do të vazhdojnë të deformojnë jo vetëm vullnetin e votuesve, por edhe vetë sistemin e vlerave brenda subjekteve politike. Rrjedhimisht, do të kemi çdoherë e më pak institucione legjitime, sepse sistemi aktual krijon hapësirë të madhe për manipulime brenda listave të partive politike.

Muhamet KOCI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i Partisë Demokratike…