Muriqi në ekipin ideal të javës në La Liga
Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi ka zënë vend në formacionin më të mirë të javës në kampionatin spanjoll.
“Pirati” është përfshirë në 11-shen e xhiros së 20-të pas paraqitjes fantastike te Mallorca kundër Athletic Bilbaos, ku edhe ia siguroi fitoren ekipit të tij.
Mallorca triumfoi me shifrat 3:2, ndërsa të tre golat i shënoi Muriqi, duke realizuar për herë të parë “hat-trick” në La Liga.
Muriqi është vlerësuar me notën 8.8 për paraqitjen që e pati në përballjen kundër Bilbaos vikendin e shkuar.
Me tre golat e realizuar në këtë ndeshje, Muriqi është golashënuesi i dytë më i mirë si në historinë e Mallorcas ashtu edhe këtë sezon në La Liga.
Për Mallorcan, 31-vjeçari deri më tani ka shënuar 48 gola kurse në kampionat ka realizuar 14 gola në 19 paraqitje deri më tani këtë sezon.
Së fundmi, ish-ekipi i tij Fenerbahçe po insiston për transferimin e Muriqit këtë muaj, ndonëse sulmuesi i Kosovës ka kontratë me Mallorcan deri në vitin 2029.



