Musliu: Vetëvendosje e ka humbur kontrollin politik, po abuzon me pushtetin

19 maj 2025 | 10:32

Deputetja e betuar e Partisë Demokratike të Kosovës Ganimete Musliu, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po abuzon me pushtetin.

Para nisjes së vazhdimit të 18-të të seancës konstituive, ajo deklaroi se LVV-ja ka zgjedhur të bllokojë institucionet, të përvetësojë asetet shtetërore dhe të përdorë pushtetin për interesin e vet politik.

“Lëvizja Vetëvendosje dhe ministrat e saj në detyrë janë duke e mbajtur peng konstituimin e Kuvendit, një akt ky i pastër antikushtetues dhe antidemokratik.Arsyet janë të qarta: Vetëvendosje ka humbur kontrollin politik dhe tani përpiqet me çdo kusht të mbajë pushtetin përmes abuzimit me institucionet dhe me rendin tonë kushtetues”, tha ajo.

Musliu theksoi se ndërkohë që vendi ndodhet në krizë, ministrat në detyrë të kësaj qeverie vazhdojnë të përdorin asetet shtetërore si pronë private: automjetet zyrtare për nevoja personale, fonde publike për propagandë partiake, dhe vendime të njëanshme që shkelin etikën dhe ligjin. Ky është keqpërdorim i pastër i pushtetit.

“Në vend që të lehtësojë tranzicionin institucional dhe të hapë rrugë për zgjidhje demokratike, Vetëvendosje po thellon krizën duke dëshmuar se e sheh shtetin thjeshtë si plaçkë politike”, shtoi Musliu.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i LVV-së, Faton Peci para mediat lidhur me risitë…