Mustafa e lë të hapur mundësinë të bëhet president pas zgjedhjeve të reja

22 nëntor 2020 | 12:41

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është duke e lënë të hapur të marrë edhe pozitën më të lartë shtetërore, atë të presidentit të Kosovës, por vetëm pas zgjedhjeve të reja.

Gjatë ditëve të ardhshme, ai ka paralajmëruar tryezë për të diskutuar për emrin e mundshëm të shefit të shtetit.

Nëse nuk merren vesh për president, Mustafa ka paralajmëruar marrëveshje për zgjedhje.

“Në këtë mandat, LDK-ja e ka kryeministrin e vendit. Nuk pretendojmë edhe pozitën e Presidentit. Nëse shkojmë në zgjedhje, çdo opsion mbetet i hapur”, ka thënë Mustafa.

Lideri i partisë më të madhe në qeveri ka thënë se zgjedhjet nuk duhet të mbahen, por nëse dështon pajtimi për një emër të presidentit atëherë zgjedhjet janë të pashmangshme.

“E vlerësojmë se zgjedhjet në këtë situatë pandemie nuk do duhej të mbahen. Por, në qoftë se nuk pajtohemi për Presidentin, do të pajtohemi për zgjedhje”, ka thënë Mustafa për “Telegrafin”.

Aktualisht, Kosova s’ka president ndërsa në zyrën e shefit të shtetit ndodhet kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, një përkrahëse e politikave të LV-së dhe të Albin Kurtit.

Deri tash në krye të shtetit ishte Hashim Thaçi, i cili ka dhënë dorëheqje pasi është duke u ballafaquar në Hagë për “krime të luftës”.

Vetëvendosje është duke kërkuar zgjedhje të reja, derisa AAK është duke insistuar në pozitën e presidentit ose proces të ri elektoral.

PDK-ja nuk e ka bërë krejtësisht të qartë pozicionon për pozitën e presidentit. Së fundmi, Shaqir Totaj, nënkryetar i PDK-së, ka thënë se synojnë ta marrin kryeministrin nëse vendosin të hyjnë në koalicion.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aeroplanët e Izraelit kanë kryer sulme në disa vende në…