Mustafa për deklaratën e Trumpit: Duhet të merret shumë seriozisht, por nuk shoh situatë favorizuese

16 qershor 2025 | 14:51

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është deklaruar lidhur me deklaratën e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka përmendur ndërmjetësimin e tij në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, si shembull të rolit të ShBA-së, në parandalimin e konflikteve.

Sipas Mustafës, zotimi i Trumpit për riangazhim në normalizimin e raporteve mes dy shteteve duhet të merret shumë seriozisht, megjithatë thotë që nuk sheh situatë që favorizon procese.

Ai ka thënë se do të donte që presidenti i ShBA-së të angazhohet në zbatimin e marrëveshjes Hoti-Vuciq dhe për një marrëveshje përfundimtare.

“Deklarata e presidentit Trump për riangazhim në çështjen e Kosovës duhet të merret shumë seriozisht dhe të trajtohet me kujdes. Do të kisha dëshiruar që presidenti Trump të angazhohet për zbatimin e marrëveshjes Hoti-Vuçiq të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë si dhe për një marrëveshje përfundimtare të negociuar në mes dy shteteve me ndërmjetësim amerikan dhe evropian. Por nuk shoh situatë që favorizon procese dhe zgjidhje të ngadalshme dhe të listimeve të kushteve”, ka thënë Mustafa për “Klan Kosovën”.

Më tutje, Mustafa ka thënë se përfshirja e Trumpit kërkon përgjegjshmëri dhe konsensus në Kosovë, prandaj vendi ynë duhet t’i ketë sa më parë institucionet – ose të shkojë në zgjedhje.

“Për këtë arsye Kosova duhet sa më parë ti ketë institucionet mbi bazën e zgjedhjeve të fundit ose të shkojë në zgjedhje të reja. Involvimi i presidentit Trump kërkon një lidership të fuqishëm dhe të përgjegjshëm, kërkon po ashtu konsesus dhe komunikim të brendshëm sepse mund të gjendemi para situatave sfiduese”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se konfiguracioni politik dhe i sigurisë në botë nuk është ai i vitit 2020 dhe i viteve të para tij.

“Krizat në botë, lufta në Ukrainë, konflikti Izrael-Iran, Gaza, presionet mbi Tajvanin…flasin se ka përfunduar qasja konvencionale e zgjidhjes së tyre”, ka thënë Mustafa.

Kujtojmë se Kosova dhe Serbia, gjatë mandatit të parë të presidentit Trump, në shtator të vitit 2020, kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë marrëveshjen e Uashingtonit për normalizim ekonomik, në praninë e tij, e cila përfshinte edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, por që nuk është zbatuar në tërësi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani I nderuar për Mirënjohjen e dhënë nga Famullitari…