MUZEU POETIK I DHEMBJES SHQIPTARE
(Poezia antologjike nuk shkruhet, ajo ndodh si një tronditje e heshtur që ta zgjat jetën edhe kur s’të mban më shpirti.). Shënime rreth veprës poetike “Ëndërr në zarf” të Ismail Sylës, botuar nga Artini, Prishtinë, 2025

Prof. Dr. Ragip Gjoshi
Krijuesi letrar, poeti, eseisti dhe publicisti i njohur Ismail Syla në dhjetë përmbledhjet e tij me poezi, ka ndërtuar me sistem universin poetik për tri profilet e atdheut të tij, individuale dhe historike: Atdheun e Pabërë, Atdheun Depresiv dhe Atdheun Heroik. Ai, po ashtu ka estetizuar me sistem në krijimet e shkurtra – në epe – qindra frazeologji antologjike të gjuhës shqipe, fjalë të urta, duke vënë në funksion amdje edhe fjalorin e heshtur të estetikës së Kanunit të Lekë Dukagjinit. Përmes figurës mitologjike të Sfinksit, Ismail Syla në çdo përmbledhje ka ngritur dilemat ekzistenciale dhe filozofike që e mundojnë atë dhe njeriun e botës moderne..
Në këtë fundvit për lexuesin e ij Ismail Syla pas veprës “Leximi Eseistik” (ese letrare, filozofike dhe kulturologjike ) në gjeografinë e krijimtarisë poetike solli edhe përmbledhjen poetike “Ëndërr në zarf” .Kështu, poeti i mirënjohur Syla rishfaqet me një prej veprave më të plota poetike të letërsisë shqipe bashkëkohore, një libër ku poezia ndodh si përjetim i thellë dhe jo veç si këngëtim artistik. Vëllimi ndërtohet si kronikë emocionale, si poemë e gjatë dhe si një ditar i intimitetit shpirtëror, duke e kthyer fjalën në një organ të brendshëm të kujtesës. Brenda 154 poezive të strukturuara në katër kapituj, poeti modelon një univers ku tri boshtet e poezisë moderne – përjetimi, subjektiviteti i zhveshur dhe metafora organike – krijojnë një topografi të ndjenjave, ku çdo varg funksionon si stacion i një udhëtimi të brendshëm.
Struktura e librit – një dramaturgji e dhimbjes
Libri “Ëndërr në zarf” ndërton një univers poetik dhe narrativ ku ndërthuren dhimbja historike, reflektimet shpirtërore, kujtesa kolektive dhe dimensioni njerëzor i tragjedive të luftës. Struktura lëviz mes dy boshtesh: dokumentimit realist dhe diskursit poetik simbolik. Kjo dyfishësi i jep tekstit thellësi estetike dhe peshë emocionale.
Vepra është e ndarë në katër tufë-kapituj kryesorë që funksionojnë si katër akte të një drame kolektive: “Plagë që bari s’i mbulon”, “Kova – histori në katër akte”, “Nën thundrën e krimit” që përmban gjashtë nëncikle: Monologë dhembjesh, Plagë lufte, Të vetmuarit, Të braktisurat, Pa frymë njeriu dhe Artefakte dhembjesh dhe kreu i fundit “Duart që bien erë dhe”.
Plagë që bari s’i mbulon
Kapitulli i parë është themeli i dhembjes faktike. Poezitë shfaqin pamjet e zhdukjes, kërkimit, gërmimit dhe identifikimit. Bunarët, thasët me rroba, lodrat e fëmijëve, dhomat, shamitë – të gjitha janë të shndërruara në simbolika të heshtura të krimit. Poeti nuk poetizon tmerrin; e regjistron atë me saktësi dokumentare, duke e bërë lexuesin të hyjë në brendinë e traumës pa ndërmjetës. Ky kapitull sjell rrëfime të humbjeve njerëzore, varreve të hapura, bunarëve të fshehur dhe trupave të zhdukur. Dhimbja personale përzihet me heshtjen kolektive, duke krijuar një atmosferë të rëndë dhe të pambaruar. Tema kryesore të prologut të librit janë: humbja dhe trauma familjare, kujtesa e dhimbjes së papërfunduar, dhe heshtja si barrë e si dëshmi. Figurshmëria e vargjeve ndërthuret me metafora si “lodra në fund të pusit”, “hëna që sheh”, “guri që mungon” shënjojnë mungesën, të fshehtën dhe dhimbjen e heshtur. Ndërsa, personazhet e vargut janë nënat, fëmijët, familjarët e heshtur; ndërkohë vetë bunari dhe varri shndërrohen në “personazhe” që mbajnë kujtesën.
Kova – histori në katër akte
Ky kapitull është nga më origjinalët: një mikro-dramaturgji në katër akte – para luftës, gjatë luftës, te bunari, në muze. Kova, një objekt i zakonshëm, bëhet personazh i tragjedisë, duke kaluar nga funksioni praktik te funksioni muzeal. Ky transformim e bën objektin dëshmitar më të besueshëm se fjala e njeriut. Kjo pjesë vërteton se edhe poezia mund të ketë logjikë teatrore dhe muzeale njëkohësisht. Kjo pjesë e librit është një narracion i strukturuar si dramaturgji, që ndjek jetën para, gjatë dhe pas tragjedive të luftës. Ndërsa tematike e vargjeve është, krimi dhe mungesa e drejtësisë, jeta e ndërprerë dhe fashitja e normalitetit. Poeti në këtë kapitull për stil përdor monologë, dialogë të shkurtër dhe tension dramatik.
Nën thundrën e krimit
Kjo pjesë e vjen si kapitulli më i gjerë dhe më polifonik. Ai përmban gjashtë nënndarje, ku flasin zëra, objekte, njerëz të mbetur, hapësira dhe gjurmë. Poezitë janë të shkurtra, por të pasura në nëntekst: “Dhoma që nuk lëshon frymën”, “Zarfi pa adresë”, “Vëllai i tretur”, “Kutia e këpucëve”, “Dora në hi”. Këtu dhimbja nuk vjen vetëm nga fakti, por nga ajo që ka mbetur pas faktit – heshtja, vetmia, boshllëku i shtëpisë, pluhuri i gurtë i mungesës. Autori e ndërton këtë kapitull si një mozaik të fragmentarizuar, ku çdo copëz është një dritare në tragjedinë e papërcjellshme. Ky kapitull përqendrohet te pasojat e brendshme të traumës – izolimi, frakturat morale dhe heshtja. Motivet kryesore që dalin në sfond janë: vetmia dhe pafuqia, heshtja që fsheh të vërtetën dhe dhoma dhe objekti si dëshmi të mungesës. Figurshmërinë e përbëjnë objekte të thjeshta – çorapja e vetme, dhoma pa dritare, sendet e braktisura – bëhen simbole të humbjes dhe plasaritjes së jetës së mëparshme.
Duart që bien erë dhé
Skajet emocionale të veprës përmbahen në segmentin dokumentar-poetik për tragjedinë e familjes së Imer Deliut. Kjo është ndër pjesët më të fuqishme të gjithë strukturës. Gjuha këtu bëhet e thyer, e shkurtër, e ndërprerë–si një kujtim që s’gjen dot formë të plotë. Përdorimi i emrave (Hamide, Ademi, Jetoni, Lumnije, Diturina, Gentiana, Valmiri, Mendehija e të tjerë) e çon tekstin nga abstraktja te konkretja, duke e kthyer secilin emër në simbol të pafajësisë së prerë në mes. Figuracioni poetik – “dorën e ngrirë përpjetë”, “kraharor i shpuar”, “flakët në strehët e shtëpisë”, “rrugët e heshtura që lamë bashkë” – krijon një galeri imazhesh që shkundin lexuesin dhe e futin në zemër të tragjedisë. Alternimi mes rrëfimit faktik dhe vargjeve simbolike e thellon dimensionin etik dhe emocional të tekstit: dokumenti dëshmon, poezia përjetëson. Kapitulli final i ngjan një liturgjie përkujtimore. Emrat konkretë të viktimave – Hamide, Adem, Jeton, Lumnije, Valmir, etj. – kthehen në qendër të veprës, duke i dhënë librit dimensionin më njerëzor.
Poezitë janë të shkruara si portrete të shkurtra, si epitafe që munguan në realitet. Përmes tyre, poeti kryen një akt drejtësie simbolike, duke ua kthyer viktimave atë që iu mohua: identitetin e plotë. Pjesa e epilogut të librit është plot segmente reflektive, ku poeti radhit emra të viktimave dhe të dashurve si një ritual kujtese, duke i kthyer në një epilog të dhembjes kolektive. Në epiqendër është tematika me përkujtimin e të vdekurve, rikthimi i emrave në gojë si akt përjetësimi dhe emri si monument. Bie në sy stili i listimit ritmik krijon një lloj liturgjie poetike. Struktura e librit përfundon në dhe, tek simboli final i rikthimit. Dheu nuk është veç tokë; është ruajtësi i së vërtetës dhe i kujtesës. Epilogu e mbyll librin me një thjeshtësi tronditëse, duke rikthyer lexuesin te heshtja – jo si mungesë, por si prani.
Libri i radhës “Ëndërr në zarf” i Ismail Sylës është një nga përmbledhjet poetike më të realizuara tematikisht të shkruar rreth dhembjeve e traumës së luftës dhe zhdukjes së personave gjatë fundshekullit të kaluar në Kosovë. Ai nuk kërkon të shërojë plagën, por ta dokumentojë atë, duke i dhënë letërsisë një funksion etik dhe historisë një dimension emocional që shpesh mungon në dokumentet zyrtare. Në këtë kuptim, libri është një muze poetik, ku çdo poezi është një artefakt, çdo imazh një provë dhe çdo objekt një dëshmitar. Dimensioni emocional dhe historik i veprës duket si një memorial poetik i tragjedive të viteve 1998–1999, sidomos masakrave në Poklek dhe Abri, ku dhimbja personale lidhet me traumën e dhembjen kombëtare. Motivet kryesore emocionale janë: heshtja – si forcë dhe hapësirë e pushtuar nga mungesa, gjurmët – si dëshmi e fundit e jetës së shuar, uji dhe bunari – metafora të fshehtës dhe të pazbulesës dhe hijet – mbeturinat e kujtesës.
Tematika dhe motivet, stili – një atlas poetik i dhunës
Poezia e Sylës nuk e përshkruan traumën; ajo e konkretizon përmes sendeve që nuk gënjejnë. Kurse, heshtja dhe fjala e pezulluar, nënteksti ndërtohet mbi boshësi, mungesë, ndërprerje. Fjala shpesh ndalet aty ku realiteti është i padurueshëm. Ndërkaq, dheu dhe uji vjen si fund i qarkut dhe uji si shuarje, si mungesë e trupit. Këto dy elemente krijojnë stabilitetin simbolik që mban librin.
Stili i Ismail Sylës është i kontrolluar dhe i përmbajtur, i ndërtuar mbi disa karakteristika thelbësore. Stilistika që e shoqëron poetin është minimalizëm ekspresiv, sepse poezitë janë të shkurtra, të koncentruara, të zhveshura nga zbukurimet. Forca vjen nga konciziteti, nga prerja e vargut, nga fjala e kursyer. Ne stilin e autorit hetohet imazhi i pastër, fotografik ku ato dalin më shumë se metafora, dominon imazhi. Poeti ndërton vargun si kornizë, duke kujtuar estetikën e dokumentarit. “Kamera nuk e kap ngjyrën e vdekjes” është një shembull tipik i ironisë së dhimbshme vizuale. Në mjetet stilistike Syla përdor objektet-simbol, ku objektet nuk janë elemente dekorative, por qendra semantike: kova, zarfi, kutia e këpucëve, çanta e shkollës, shalli etj. Këto të kujtojnë teknikat e poezisë evropiane të traumës .Stilistikën e Sylës e ndjek polifonia e zërave .Libri flet me shumë zëra, por asnjëri nuk bërtet. Zëri i nënës, i fëmijës, i vëllait, i shtëpisë, i dhomës, e ku të gjithë shfaqen si hije të buta, por të pandalshme. Kështu, etika e kujtesës së autorit nuk ngrihet në akuzë, nuk përdor patos, nuk e përdor dhimbjen për efekt estetik. Përkundrazi, ai ruan dinjitetin e viktimave duke shkruar me thjeshtësi, me respekt, me maturi.
“Ëndërr në zarf” është një libër që e tejkalon kufirin e një botimi poetik dhe hyn në fushën e një dokumentari poetik të një arke të dëshmive. Forca e tij nuk qëndron vetëm në vargje, por në koncept, strukturë, ritëm dhe etikë. Libri ka koherencë të jashtëzakonshme: çdo poezi i përket tërësisë. Ka strukturë dramaturgjike që rrallë shihet në librat shqip. Ka thjeshtësi të ndritshme, e cila shndërrohet në intensitet emocional. Ka dëshmi pa retorikë, një nga cilësitë më të vështira të poezisë së traumës. Në një kohë kur letërsia shpesh largohet nga realiteti, Ismail Syla e risjellë poezinë në territorin e dëshmisë morale. Kjo e bën librin jo vetëm të vlefshëm eseistikë, por edhe të rëndësishëm në rrafshin social.
Përmbyllje
Të gjitha poezitë përbëjnë një arkiv dhimbjeje të përditshme, ku objektet e zakonshme bëhen dëshmitarë të humbjes, vuajtjes dhe përjetimit të kujtesës. Lidhja me ngjarjet e Poklekut është e dukshme: poezia shpreh atë që artikulli dokumentar tregon në formë faktuale – humbjen e jashtëzakonshme dhe dhimbjen e papërballueshme, por në mënyrë simbolike dhe emocionale.
Libri “Ëndërr në zarf” shfaqet si një hulumtim i thellë i kujtesës, dhimbjes dhe përjetimeve ekzistenciale të subjektit lirik. Titulli, i ndërtuar mbi dy figura kyçe, funksionon si metaforë hermeneutike: “ëndrra” tregon hapësirën intime të pavetëdijshme, ndërsa “zarfi” simbolizon enën e komunikimit të vonuar. Kjo metaforë arkivo–poetike sugjeron se kujtimet ruhen dhe çlirohen vetëm kur hapet kjo kohë e mbyllur, duke krijuar një dialog midis së kaluarës dhe së tashmes. Përmbledhtas, vepra është një ndërthurje e fuqishme mes poezisë dhe historisë, që e ngre tragjedinë individuale në nivel kolektiv, duke dëshmuar jo vetëm atë që ndodhi, por edhe mënyrën se si kujtohet, përjetohet dhe transmetohet dhimbja. Në këtë mënyrë, “Ëndërr në zarf” funksionon si monument letrar i humbjes, qëndrueshmërisë dhe humanitetit.
“Ëndërr në zarf” është një nga librat më të strukturuar tematikisht për dhimbjen dhe traumën e luftës në poezinë shqipe të viteve të fundit. Veçohet për stilin e matur, strukturën dramaturgjike, përdorimin e artefakteve si figura poetike, etikën e lartë të kujtesës, aftësinë për të sjellë dhimbjen pa patetizëm. Libri është një rekuiem modern, një muze poetik, një akt drejtësie simbolike.




