Myrvete Dreshaj dhe Have Shala, vajzat e para që u ulën krahas burrave në odën shqiptare për pajtimin e gjaqeve

06 shkurt 2024 | 11:10

Roli i ish-të burgosurave politike në Lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991 në Kosovë (2)

Hyrja e Myrvete Dreshajt dhe Have Shalës në odën e burrave, ku po mbahej e pamja për dëshmorin Gani Dacin, shënon hyrjen e parë të vajzës/gruas shqiptare në odën shqiptare, në këtë rast në funksion të pajtimit të gjaqeve, e dedikuar, sipas traditës dhe mentalitetit patriarkal, kryesisht për burra

Lulëzim ETEMAJ

Aksioni i filluar nga grupi i të rinjve të Pejës kërkonte punë, përkushtim, fitimin e mbështetjes, në radhë të parë nga familjet e dëmtuara, por edhe mbështetjen e qytetarëve të tjerë, të të gjitha moshave, djem, vajza, burra dhe gra. Në të kundërtën nuk mund të arrihej qëllimi që ata i kishin vënë vetes – pajtimin ndërshqiptar dhe shuarjen e gjakmarrjes përmes faljes së gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave. Në funksion të këtij misioni nismëtarët e realizojnë edhe takimin e parë me qytetarë në të pamën (11) e organizuar për dëshmorin Gani Daci (22 vjeç) për shpjegimin e qëllimit të nismës së tyre. Ai, ashtu si dhe Qamil Morina (19 vjeç) e Ali Hysvukaj (19 vjeç), ishte vrarë nga forcat serbe në demonstratën e organizuar në Pejë më 31 janar 1990 (12). Hyrja e Myrvete Dreshajt dhe Have Shalës në odën e burrave, ku po mbahej e pamja, shënon hyrjen e parë të vajzës/gruas shqiptare në odën shqiptare, në këtë rast në funksion të pajtimit të gjaqeve, e dedikuar, sipas traditës dhe mentalitetit patriarkal, kryesisht për burra. Dëgjimi me vëmendje i fjalës së tyre mbi rëndësinë e pajtimit të gjaqeve si dhe situatën e rëndë politike në të cilën po kalonte Kosova, i pasuar nga reagimi pozitiv edhe nga burrat pleq plisbardhë, ishte një shenjë e mirë, shumë premtuese, njëherësh edhe inkurajuese për nismëtarët.

Dy muaj besë të arritura nga ndërhyrja e parë më 2 shkurt 1990 në Lumbardh të Deçanit; një pajtim, më 10 shkurt, te Buqollët në Raushiq të Pejës; si dhe dy falje gjaqesh, këto ishin rezultatet e para të shënuara nga grupi i të rinjve të Pejës. Ishin shënuar, po ashtu, dhjetëra kontakte dhe biseda me familjet e dëmtuara dhe pritej shtrirja e dorës së pajtimit mes tyre.

Në përputhje me vendimin e marrë për ta filluar pajtimin e gjaqeve, që pajtimi i gjaqeve të shtrihej në të gjithë Kosovën (13), me ndihmën e Have Shalës formohet Këshilli i Pajtimit të Gjaqeve në Rahovec. Po ky këshill më 17 mars 1990 organizon tubimin e parë publik të faljes së gjaqeve në Kosovë. Në të u falën pesë gjaqe dhe katër plagë. Krahas ndihmës dhënë për përgatitjen e tij nga Have Shala dhe Myrvete Dreshaj, kjo e fundit u drejtohet të pranishmëve me një fjalë rasti, përmes së cilës kërkon mbështetjen e aksionit të rinisë për pajtimin e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave. Krahas hyrjes së parë në odë të tyre, paraqitja publike e Myrvete Dreshajt shënon, përmes marrjes së parë të fjalës në publik për ta kërkuar pajtimin e gjaqeve, avancimin e rolit të vajzës shqiptare, si ish-e burgosur politike, në pajtimin e gjaqeve.

Në ndërkohë, grupit të të rinjve të Pejës, pas arritjes së pajtimit të parë, më 10 shkurt 1990, i bashkëngjiten edhe dy ish-të burgosura të tjera politike, Akile Dedinca (1963), nga fshati Vragoli i Fushë-Kosovës, dhe Zoge Shala (1966) nga fshati Rashiq, komuna e Pejës. Kështu, numri i vajzave, ish-të burgosura politike, në raport me numrin e djemve, në këtë grup tani ishte katër me tre, në favor të vajzave. Kuptohet, bëhet fjalë për një periudhë të caktuar, pasi që Akile Dedinca kthehet pas një kohe për ta përhapur pajtimin e gjaqeve edhe në vendbanimin e saj. Porse, si bërthamë, grupi i të rinjve të Pejës do të ketë raport konstant, tri ish-të burgosura politike: Have Shala, Myrvete Dreshaj dhe Zoge Shala, dhe tre ish-të burgosur, po ashtu politikë: Adem Grabovci, Brahim Dreshaj dhe Lulëzim Etemaj.

Nuk është vetëm Këshilli i Pajtimit në Rahovec që është themeluar me mbështetjen e nismëtareve të pajtimit të gjaqeve. Myrvete Dreshaj e ndihmon edhe themelimin e Këshillit të Pajtimit dhe fillimin e pajtimit të gjaqeve edhe në Tetovë e Gostivar, ku qëndron së bashku me Lulëzim Etemajn për një kohë të caktuar më të përfunduar të tubimit për pajtimin e gjaqeve të mbajtur më 1 maj 1990 te Verrat e Llukës. Përkrahje të kohëpaskohshme Tetovës dhe Gostivarit i ofrojnë edhe Zoge Shala dhe Shyhrete Malaj.
Në Tetovë dhe Gostivar, bartësve të nismës së pajtimit të gjaqeve: Adnan Abdullahi – Voka, Afrim Ibrahimi – Fanda, Dashmire Rizvani, Resmije Abdurrahmani, Hirijete Tahiri, Besime Muharremi, krahas Mehmetriza Murtezanit – Gega, Valdete Fejzullahit, Tahir Abdullahit, Afërdita Cekës, Mensur Fejzullahit, Izet Fejzullahit, Nuredin Alijit, Xhevat e Nexhat Ahmetit, Fatime Fejzullahit, Isak Sherifit, profesorëve Ramadan Sinani dhe Fadil Sylejmani, Vebi dhe Remzi Beqirit, Luan Veliut, Naser Veliut, Skender Isenit, Xhevat Ademit, iu bashkëngjitën që herët ish-të burgosurat politike Nafije Zendeli (1971) dhe Valdete Fejzullahi (1972-2004).

Në funksion të shtrirjes së pajtimit përmes themelimit të këshillave të rinj, apo dhe zhvillimit të veprimtarisë pajtimtare, Myrvete Dreshaj dhe Have Shala i ofrojnë mbështetje edhe Drenasit, Gjakovës, Rozhajës, Besianës, Rugovës, ku në Këshillin e Pajtimit vepronte ish-e burgosura politike Zyrafete Muriqi (1966), Koshutan (Pejë), po ashtu e dënuar si anëtare e Grupit “IDEALI”, si dhe Istogut, ku ishte aktive ish-e burgosura politike nga kjo komunë, Lumnije Dreshaj (1967), me vendbanim në fshatin Vrellë.

Shyhrete Malaj (1963), Hogosht (Kamenicë), Hidajete Krasniqi (1960), Leshan (Pejë), Fikrije Musa (1968), Velikarekë (Besjanë) janë tri ish-të burgosura të tjera politike, të cilat, pas rënies në kontakt me Myrvete Dreshajn, Have Shalën, Zoge Shalën, Akile Dedincën apo ndonjërin nga tre nismëtarët e tjerë të pajtimit të gjaqeve, janë angazhuar në veprimtarinë pajtimtare dhe kanë vepruar në anë të ndryshme të Kosovës, si në Këshillin e Pajtimit në Hogosht (14) (Shyhrete Malaj), në kuadër të Këshillit të Pajtimit të Pejës (Hidajete Krasniqi), apo në rrethe të ndryshme, siç ishte rasti i Fikrije Musës (15). Lumnije Azemi (1963), ndërkaq, është studentja tjetër, ish-e burgosur politike që angazhohet po në pajtimin e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave, duke u bërë veprimtare e Këshillit të Pajtimit në Ferizaj (16).

Pjesëmarrja e vajzës shqiptare në drejtimin e pajtimit të gjaqeve, një nga segmentet më përdalluese të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve

Angazhimi i madh, si i nismëtarëve ashtu edhe i veprimtarëve të tjerë të shumtë, dhe mbështetja që gjeti iniciativa për pajtimin e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave, janë dy faktorët kryesorë të cilët bënë që për një kohë të shkurtër, afërsisht mbi një muaj, të themeloheshin këshillat e pajtimit në pjesën më të madhe të Kosovës. Si rrjedhojë, ishte shtuar edhe numri i gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave të falura. Pajtimi, që pas tubimit të parë publik në Rahovec, i mbajtur më 17 mars 1990, i pasuar me tubime të tilla të mbajtura në të njëjtën ditë në Sankoc, Korroticë të Epërme, Vukoc të Drenicës dhe në Mitrovicë, tashmë kishte dalë jashtë odës shqiptare, aty ku kishte filluar. Ashtu sikurse në oda, vajzat shqiptare, ish-të burgosura politike, edhe në këto tubime luajtën rol të pazëvendësueshëm qoftë në organizimin, qoftë në drejtimin e tyre.

Paraqitja e Zoge Shalës në tubimin e mbajtur në Shtupeq të Madh të Rugovës, më 25 mars 1990, si kumtuese e emrave të personave që falën gjaqet dhe shtrinë dorën e pajtimit, Myrvete Dreshajt dhe Have Shalës me një fjalë rasti para të pranishmëve, me theks të veçantë për rëndësinë, si në aspektin human ashtu dhe në atë kombëtar të pajtimit të gjaqeve, pasohet me paraqitje edhe në tubime të tjera. Një ndër ta, nga më të mëdhenjtë, është tubimi i mbajtur më 1 maj 1990 te Verrat e Llukës, komuna e Deçanit. Në këtë tubim, pavarësisht prej pengesave të shumta dhe dhunës së policisë serbe, ia arritën të mblidhen mbi 500 mijë shqiptarë nga e gjithë hapësira e Shqipërisë së këndej Drinit. Tubimi u drejtua nga Have Shala së bashku me Jashar Salihun, po ashtu ish-i burgosur politik. Në të u arritën gjithsej 106 pajtime: 62 gjaqe, 25 plagë dhe 19 ngatërresa.

Në tubimin tjetër masiv, të mbajtur të nesërmen, më 2 maj 1990, në Gjonaj të Hasit, Have Shala u drejtohet mbi 100 mijë të pranishmëve, duke kërkuar mbështetje dhe gatishmëri prej tyre për t’i falë të gjitha gjaqet, plagët dhe ngatërresat që t’i jepet fund gjakmarrjes. Njëjtë vepron edhe Myrvete Dreshaj në tubimin e organizuar më 28 korrik 1990 në “Rudinën e Pajtimit”, bri Malit të Thatë, në Çegran të Gostivarit, ku, pavarësisht prej pengesave dhe ndjekjeve nga policia maqedonase, ishin tubuar mbi 50 mijë pjesëmarrës. Në këtë tubim u bë promovimi i shtrirjes së dorës së pajtimit nga nëntë familje: u falën tri gjaqe dhe gjashtë ngatërresa. Nismëtarja e pajtimit të gjaqeve, Myrvete Dreshaj, kishte ndihmuar së bashku me Lulëzim Etemajn edhe përgatitjen e tubimit. Në mesin e organizatorëve të shumtë, burra dhe gra, djem dhe vajza, që punuan me përkushtim, janë edhe ish-të burgosurat politike Nafije Zendeli dhe Valdete Fejzullahi.

Bazuar në numrin e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave të falura, këshillave të pajtimit të formuara, tubimeve publike si dhe vullnetarëve të angazhuar, aksioni për pajtimin e gjaqeve i kishte tejkaluar për kohë të shkurtër kornizat e tij. Tashmë ai ishte shndërruar në çdo aspekt në lëvizje gjithëpopullore. Në funksion të analizës së punës së deriatëhershme dhe planveprimtarisë për të ardhmen, më 19 maj 1990 në Strellc të Epërm të komunës së Deçanit mbahet Kuvendi I i Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve. Sipas të dhënave të paraqitura nga përfaqësuesit e 21 këshillave të pajtimit, brenda kësaj periudhe më shumë se tremujore ishin shënuar 1 266 pajtime: 653 gjaqe, 223 plagë dhe 388 ngatërresa. Punimet e Kuvendit i drejtoi Anton Çetta. Me miratimin e pjesës më të madhe të pjesëmarrësve u vendos që Grupi i të Rinjve të Pejës ta formojë Këshillin Koordinues të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë (17), me qendër në Pejë. Grupin e të Rinjve të Pejës e përbënin pesë nismëtarët: Have Shala, Myrvete Dreshaj, Adem Grabovci, Brahim Dreshaj dhe Lulëzim Etemaj. Përmes këtij vendimi, Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991 në Kosovë bashkëdrejtohej, edhe zyrtarisht de jure, nga dy vajza dhe tre djem, të gjithë ish-të burgosur politikë.

Pjesëmarrja e vajzës shqiptare në drejtimin e pajtimit të gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave paraqet një nga segmentet më përdalluese të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve karshi të gjitha formave të mëparshme të pajtimit të gjaqeve që i ndeshim në historinë e popullit shqiptar.

Në përputhje me përgjegjësinë që ua kishte ngarkuar Kuvendi I nismëtarëve të pajtimit të gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave, Have Shala drejton punimet e Kuvendit II, i cili mbahet më 18 nëntor 1990 në Osek Hylë të Gjakovës. Mbajtja e kuvendit ishte caktuar dhe organizuar me vendim të Këshillit Koordinues. Krahas Have Shalës, në të marrin pjesë edhe Myrvete Dreshaj, Zoge Shala dhe Lulëzim Etemaj.

Nga raportet e paraqitura nga përfaqësuesit e 18 këshillave në Kuvend, rezultoi se, që nga data 2 shkurt 1990 ishin arritur të faleshin 702 gjaqe, 250 plagë dhe 508 ngatërresa, ndërsa kishin mbetur pa u pajtuar edhe 169 gjaqe, 35 plagë dhe 69 ngatërresa.

Kuvendi II, pas një sërë debatesh, ndër të tjera, miratoi edhe programin për veprimin e mëtejmë, deri në njëvjetorin e nismës, më 2 shkurt 1991, si dhe e konfirmoi si të drejtë qëndrimin e mbajtur deri atëherë nga anëtarët e Këshillit Koordinues, si dhe nga pjesa më e madhe e këshillave të pajtimit, për të mos ndërhyrë dhe kërkuar falje për gjaqet, plagët dhe ngatërresat e shkaktuara pas datës 2 shkurt 1990, si dhe për të mos kërkuar faljen e gjakut në rastet kur vrasja ishte e karakterit politik.

(Punimi është botuar në revistën e Shkencave Albanologjike, “Studime albanologjike”, nr. 23, Shkup 2023. Fusnotat publikohen në fund të punimit. Vijon.)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i pop-it, 42-vjeç, nuk ka veshur asgjë përveçse një…