NAIM FRASHËRI E REXHEP QOSJA DHE SHPËRFYTYRIMI YNË I SOTËM

12 qershor 12:16

Prof. dr. Begzad Baliu

Të nderuar të pranishëm!
Fjalën time dua ta përfundoj sot me disa paralele të identifikimit të veprës së Rilindësve në përgjithësi dhe veprës së Naim Frashërit në veçanti, me jetën dhe veprën e Profesor Rexhep Qosjes, në të vërtetë dua që fjalën time ta përmbylli me reflektimin e mendimit dhe veprës së Naim Frashërit dhe Rexhep Qosjes në jetën tonë.

Nëse Jeronim De Rada ishte rilindësi i periudhës së parë më me ndikim, sepse rrezatimi i Rilindjes Europiane u shfaq para se gjithash në koloninë e shqiptarëve të Italisë; nëse Naim Frashëri ishte rilindës i periudhës së dytë më me ndikim dhe rrezatoi para se gjithash në Jug të Shqipërisë; nëse Gjergj Fishta ishte rilindësi i tretë më me ndikim në gjysmën e parë të shekullit XX në Shqipërinë Veriore; Profesor Rexhep Qosja ishte padyshim rilindësi më me ndikim në gjysmën e dytë të shekullit XX dhe në kapërcyell të shekullit XXI. Natyrisht, secili në mënyrën e tij. I pari (De Rada) vendosi themelet e romantizmit shqiptar; i dyti (Naimi) kurorëzoi iluminizmin si vetëdije gjuhësore, kulturore dhe identitare të kombit; i treti (Fishta) ridefinoi konceptet shpirtërore (gjuhë-fe-atdhe) si përbërësit e domosdoshëm të rizgjimit të nacionalizmit kombëtar në fillim të shekullit XX; i katërti (Profesor Qosja) duke shfrytëzuar përvojën historike dhe diturore të tre të parëve u vendos në krye të lëvizjes kombëtare në kapërcim të shekullit XXI, dhe me veprën diturore bëri kalimin e shoqërisë shqiptare nga diktatura në demokraci e nga kolonializmi në pavarësi.

Por, kur një ditë historianët e kësaj periudhe do të shkruajnë historinë e popullit shqiptar do të shohin dhe doemos do të theksojnë se si: De Rada përfundoi në varfëri; Naim Frashëri përfundoi me një jetë të përmasave modeste; Fishta përfundoi i përndjekur si autor dhe si frymë; ndërsa Qosja po i kalon vitet e pleqërisë duke parë se si fotografia e tij po prehet me gërshërë nga ngjarjet historike, duke e parë se si po mënjanohet nga studiot dhe madje lajmet e televizioneve, duke dëgjuar se si veprat e tij po mënjanohen nga Komisionet e çmimeve vjetore, duke lexuar se si disa nga bashkëkohësit e tij të intervistuar në shtypin e shkruar dhe elektronik po e mënjanojnë emrin e tij sa të jetë e mundur nga rrëfimet e tyre, madje edhe atëherë kur prania e emrit dhe veprës së tij janë kusht i domosdoshëm për të thënë të vërtetën historike të një kohe a të një ngjarjeje, si dhe për të shpjeguar trajtën estetike të një gjinie e të një lloji letrar.
Asgjë e re.

Ata që i njohin përvojat e historisë botërore, mjafton të kujtojnë fatin e Viktor Hygos dhe të kuptojnë fatin e De Radës së përjashtuar nga institucionet që i idealizoi; fatin e Naim Frashërit dhe frymës së tij në kapërcyell të shekullit XX; fatin e Gjergj Fishtës dhe përmbysjes së tij pas Luftës së Dytë Botërore, e pse jo edhe të Profesor Qosjes dhe përmasës kritike e të papërballueshme të mendimit të tij.
Nuk është larg koha kur bashkëkohësit strehoheshin rreth tij (ashtu sikur strehoheshin rreth De Radës), sepse ja kishin frikën gjenocidit serb në Kosovë apo rikthimit të diktaturës neostaliniste në Shqipëri; nuk është larg koha kur rreth tij afroheshin me nderim (ashtu sikur afroheshin pranë mësuesit të iluminizmit perëndimor Naim Frashërit) sepse e lakmonin përvojën perëndimore të koncepteve të tij për zgjidhjen e çështjes kombëtare; nuk është larg koha kur rreth tij bashkëkohësit afroheshin përulshëm (ashtu sikur përuleshin pranë tij bashkëkohësit e Patër Gjergjit) sepse lakmonin lavdinë e tij në këtë botë më shumë se sa përjetësinë në botën tjetër; por pranë tij e kanë vështirë të qëndrojnë sot luftëtarët për pushtet dhe për pasuri materiale, përfituesit e të gjitha llojeve në këtë kohë tranzicioni, që nuk po i shihet fundi në dy shtetet shqiptare.

E vërteta, më parë se sa për mendimin kritik ndaj pushteteve, përvetësimeve, nepotizmit, primitivizmit, korrupsionit, po e vëmë re se Profesor Rexhep Qosjes ja kanë frikën ata që po e shohin nga pozita e dëshmitarit të madh të historisë, ashtu sikur ia kishin frikën stalinistët Trockit.
Vitet e fundit po e shohim me habi se si historianë të letërsisë, të kulturës e të sociologjisë së mendimit shqiptar të viteve ’60 e ’70 e këndej, në Shqipëri e në Kosovë, po përpiqen ta fshehin emrin e tij prej literaturës dhe prej dokumentimit të saj; po e shohim me habi se si ngjarjet e mëdha të viteve ’80 në Kosovë e ish-Jugosllavi, duke përfshi këtu edhe betejat e mëdha të fituara nga ai kundër inteligjencies serbe, po përpiqen t’i shpjegojnë pa frymën dhe mendimin intelektual e shkencor të veprës së tij; po e shohim me ironi se si lëvizjet e mëdha të popullit shqiptar në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoni, po përpiqen t’i ridimensionojnë duke e fshehur emrin dhe veprën e tij, duke përfshirë këtu edhe mënjanimin nga ballinat e faqeve elektronike dhe reklamat hyrëse të emisioneve kulturore televizive. Pra, po i lexojmë dhe po i shohim se si arritjet më të larta demokratike në Shqipëri dhe madje lirinë e Kosovës, po përpiqen t’i paraqesin pa veprën mendimore të Profesor Qosjes, i cili nga vitet ’60 e këndej e ka bërë ridimensionimin e mendimit intelektual dhe shkencor; i cili nga vitet ’70, e këndej e ka bërë emancipimin e mendimit shkencor përballë ideologjisë staliniste në Shqipëri dhe vetëqeverisjes jugosllave në Kosovë; i cili, nga vitet ’80 e këndej, me fjalën e tij, guximit qytetar i dha edhe dimensionin intelektual; i cili, me veprën dhe frymën e tij, në vitet ’90, përgatiti dhe mbrojti ndërkombëtarisht kryengritjen ushtarake në Kosovë, si një nga hapat e fundit për çlirimin e Kosovës.

E megjithatë, nuk habitemi kur shohim se si pushtetarë të sotëm partiakë dhe jopartiakë, grupe të interesit dhe organizata të ashtuquajtura joqeveritare, kompani private dhe kompani publike, bashkohen më lehtë, me heshtjen kundër mendimeve, në të vërtetë me heshtje kundër veprave të tij, sikur është bie fjala traktati Pushteti i korruptuar – protagonistët dhe viktimat, se sa bashkoheshin dikur patriotët rreth veprave moraliste e patriotike të Naim Frashërit.
Asgjë e jashtëzakonshme, do të thoshte një shkrimtar yni.

Bashkëkohësit e Naim Frashërit i bashkonte etika e lartë, vlerat universale, ndjenjat e pastra kombëtare, dashuria ndaj atdheut dhe shqetësimet për fatin e tij, dashuria për gjuhën dhe respekti për atë si njësi kombëtare përgjithësisht; ndërsa bashkëkohësit kundër veprës së Rexhep Qosjes i bashkon frika, demagogjia, korrupsioni i përbashkët, nepotizmi si kategori e gjerë shoqërore, uzurpimi dhe privatizimi i institucioneve publike, arrivizmi intelektual, akademizmi egocentrik dhe provincialist, kiçi politik dhe gjuha e panxënë, kultura krahinariste, abuzimi dhe fshehja e saj nën veladonin e fesë etj.
Të nderuar të pranishëm!

Duke u përgjigjur në pyetjen e studiueses Feride Papleka mbi librin e parë Episode letrare”(1967) dhe reflektimin e idesë së saj në kohën tonë, Profesor Qosja thotë: në atë vëllim “kam përmbledhur shkrimet për disa autorë nga Shqipëria shtetërore edhe për disa nga Kosova, nga letërsia e traditës dhe nga letërsia e sotme shqipe. Duke bashkuar shqiptarët e ndarë në një libër kisha iluzionin se po bashkoja gjithë shqiptarët dhe gjithë trojet e tyre të ndara! Iluzion jo modest prej të cilit nuk jam liruar kurrë dhe prej të cilit nuk dua të jem i liruar as sot kur po i shkruaj këto fjalë”.(Paplekaj, 2018: 254).

Nuk e di a është e nevojshme, të nderuar të pranishëm, të them se këto iluzione të Profesor Qosjes, të vitit 1967, i gjemë në të gjitha lëvizjet e mëdha kombëtare: te Lëvizja për Flamur e Republikë dhe te Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (1968) e Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972); te manifestimet për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1978) dhe Demonstratat e marsit të vitit 1981; te demonstratat e vitit 1989 dhe te Betimi i UÇK-së(1998) dhe nuk e di a ka nevojë të theksohet se mësimet e Naim Frashërit dhe porosia e madhe e tij, ende janë iluzion prej të cilit djalëria shqiptare e formuar në frymën e Naim Frashërit dhe Rilindjes Kombëtare nuk dëshiron të lirohet. Nuk e di a është e nevojshme të përsëris se porosia e madhe e Naim Frashërit dhe iluzionet e dikurshme të Profesor Rexhep Qosjes sot nuk janë as pikëpamje romantike, sikur u përpoqën t’i paraqesin disa intelektualë pas demonstratave të vitit 1981, as iluzion prej të cilit nuk dëshiron të lirohet Profesor Qosja.

Porosia e madhe e Naim Frashërit është e pranishme mes nesh, si kurrë më parë dhe porosia e tij është mision!

Prishtinë-Tiranë, 21 maj 2021

(Pjesë e një studimi më të hapur, i cili do të botohet në vëllimin e kësaj konference)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori italian, Nicola Orlanda ka uruar Kosovën për ditën e…