Nait Hasani: Lamtumirë, Lumi, shoku im

20 nëntor 2025 | 00:49

Veprimtari i çështjes kombëtare dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nait Hasani, ka kujtuar me dhimbje shokun e tij, Lumni Lushajn, i cili humbi jetën në një aksident komunikacioni më 18 nëntor. Hasani ka thënë se vdekja e Lumni Lushajt është një humbje e madhe, pasi ai ishte një luftëtar për çlirimin e Kroacisë dhe një njeri që bëri gjithçka për luftën e UÇK-së; një njeri që dha gjithçka nga jeta dhe dituria e tij për shtetin e Kosovës dhe të Kroacisë.

Kujtimi i plotë i Nait Hasanit:

Lamtumirë,

Lumi, shoku im,

Dje, në një aksident tragjik afër Prizrenit, humbi jetën shoku im, Lumni Lushaj. Kjo humbje është e madhe për familjen, shokët dhe për Kosovën.

Vdekja e tij është humbje e madhe e një luftëtari për çlirimin e Kroacisë, e një njeriu që bëri gjithçka për luftën e UÇK-së, e një njeriu që dha gjithçka nga jeta dhe dituria e tij për shtetin e Kosovës dhe të Kroacisë.

Ai ishte i afërt me çdo njeri. Ishte pjesë e presidencës kroate, njeri me integritet dhe autoritet të pazëvendësueshëm, njohës i jashtëzakonshëm i fushave të sigurisë. Ishte njeri kyç në lidhjet mes Kosovës dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë; kishte ndikim të rëndësishëm edhe tek shtetet mike në marrëdhëniet me Kosovën, si Izraeli, si dhe në bashkëpunimin me kongresmenë si Engel e Rabin në mbështetje të Kosovës.

Lumi ishte dritë. Ai hapte dyert kudo për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Ike shumë herët, shoku im. Na le dhimbjen dhe krenarinë bashkë. Ne jemi krenarë me veprën tënde, ne që të patëm mes nesh – një atdhetar të paepur të Kosovës.

Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës!

Lavdi veprës sate, Lum!

Trupi yt pastë prehje në parajsë, Lum!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Ushtria Çlirimtare e Kosovës- me propozim të Udhëheqësit…