
Nait Hasani për ndarjen nga jeta të ish-ushtarit të UÇK-së, Ramadan Hoti: Ike herët, daja Dan
Mbrëmë ka ndërruar jetë ish-ushtari i UÇK-së dhe i TMK-së, si dhe ish-i burgosuri politik, Ramadan Hoti – daja Dan nga Samadrexha e Suharekës. I ndjeri ishte daja dhe bashkëveprimtar i ish-të burgosurit politik e deputetit, Nait Hasani.
Ngushëllimi i plotë i Hasanit:
Ike herët, daja Dan – Ramadan Hoti
Qenka vështirë të shkruaj për vdekjen tënde, daja Dan. U rritëm bashkë si fëmijë, thurnim ëndrrat për jetën dhe jetuam bashkë me vuajtjet dhe burgjet për kërkesën “Kosova Republikë”. Luftuam bashkë kundër pushtimit serb nën emblemën e UÇK-së, e fituam luftën, i dhamë vendit lirinë dhe bëmë shtetin – e bëmë Kosovën shtet me UÇK-në. Kudo, dajë, në çdo kohë ishe pjesë e lëvizjeve për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar të trojeve shqiptare. Bëre atë që duhej me shokët – i dhe emër Kosovës me luftën tënde si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ti je shembëlltyra e luftëtarit, ti je simboli i ushtarit të UÇK-së, ti je nderi i atdheut. Erdhe nga lufta me çlirimin e vendit, e ndërtove vendin si ushtar në TMK. Ti je vetë liria që e gëzojmë sot, daja Dan. Emri yt është pjesë e flamurit të UÇK-së dhe do të kujtohesh me nderime ndër breza. Ike herët, por na le veprën tënde çlirimtare. Na le burrërinë, sepse qëndrove drejt si burrë, nuk u përkule asnjëherë para asnjë vështirësie në jetë. Gjithnjë i gatshëm për mbrojtjen e atdheut. Me jetën dhe veprën tënde si ushtar krijove vlera kombëtare.
Brezat do të kujtojnë fjalën tënde, qëndrimin tënd, dashurinë për familjen dhe atdheun. Ike herët dhe na le vetëm, daja Dan – më dhemb në shpirt, por ti je me mua kudo dhe çdoherë!
Lavdi veprës dhe jetës sate, daja Dan!
Lavdi UÇK-së!
Shpirti yt pushofte në paqe, daja Dan!