Narkoza e vizave, mit apo realitet (1)

21 dhjetor 2018 | 11:04

Shkruan: Agron Hoti

Pse ky shkrim?

Ky shkrim, i cili do të botohet në vazhdime, ka për synim të japë një pasqyrë ndryshe apo, thënë më mirë, një pasqyrë më krahasuese nga ajo që shohim, dëgjojmë dhe lexojmë në lidhje me problematikën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Shkrimi nuk ka për qëllim të mbrojë e sulmojë askënd, nuk ka për qëllim të relativizojë, neutralizojë, apo absolutizojë asgjë, nuk ka për qëllim t’i bëjë argatin askujt e as qefin dikujt, por vetëm mundohet të pasqyrojë një gjendje të një shteti që sapo ka dalë nga lëvozhga e tij dhe nga i cili po kërkohet më shumë sesa, në fakt, ky shtet ka mundësi të ofrojë dhe reflektojë.

Po të ishte e lehtë që për 10 vjet shtet të arrihej qeverisje bavareze apo singapuriane, atëherë krijimi i shteteve të reja do të shënonte shifra rekorde në glob. Por, në një Kosovë me shtetësi ende të pakonsoliduar në rrafshin ndërkombëtar duke mos u njohur nga BE, OKB, NATO, OSBE, Këshilli i Evropës etj., me një Serbi, bisedimet me të cilën absorbojnë tërë elanin politik të Kosovës që së paku 15 vjet duke lënë anash problemet reale me të cilat përballet qytetari çdo ditë, me një të kaluar që mendja e njeriut vështirë se mund të përshkruajë vuajtjet dhe dhimbjet e popullit shqiptar, me rentabilitet dhe resurse të kufizuara për zhvillim ekonomik, me një kompleksitet qeverisjesh vendore dhe ndërkombëtare që vështirë t’i gjendet filli, sigurisht se është utopike të presësh më shumë.

Bota e sotme nuk është ajo që ishte dje, e nesërmja do të jetë tepër më ndryshe sesa e sotshmja, e shumë më ndryshe sesa e djeshmja. Përderisa prej 1945-s deri në vitin 1990 kishim një botë bipolare, ku marrëdhëniet ndërkombëtare politike e ekonomike ishin pak a shumë brenda kornizave të një rendi ndërkombëtar, prej vitit 1990 e deri më sot bota është duke u përballur me një globalizim, i cili edhe pse ishte koncipuar që t’i rrisë shkëmbimet tregtare në shkëmbim të uljes së varfërisë dhe shpërndarjes së pasurisë te të gjithë, ai bëri krejtësisht të kundërtën, rriti monopolet, nxori nga binarët e rendin e dakorduar ndërkombëtar, nxiti shumë zhvillime kontradiktore dhe polarizoi botën si asnjëherë më parë.

Sipas Foreign Affairs, përderisa para vitit 2006 tri nga gjashtë kompanitë më të fuqishme në glob ishin kompani nafte dhe vetëm një e teknologjisë informative, në vitin 2016 brenda 6 kompanive më të fuqishme në glob mbeti vetëm një e naftës, ndërkohë që pesë të tjerat të gjitha gjigante të teknologjisë informative. Sipas World Economic Forum, janë 20 kompanitë më të fuqishme në glob të teknologjisë informative dhe internetit që prijnë sot në glob për qarkullim financiar vjetor mbi 8 trilionë dollarë, pra larg më shumë sesa ç’fitojnë kompanitë e naftës dhe industrisë së rëndë.

Intensifikimi i komunikimit në nivel global, rritja e shkëmbimeve tregtare në përmasa të papara, rritja e monopoleve anekënd globit kanë filluar ta godasin qëllimin e globalizimit për një botë të hapur dhe pa barriera. Dhe këtë e ka mundësuar pikërisht interneti. Nuk ka shtet në botë që sot të mos jetë i cenueshëm nga sulme të ndryshme kibernetike. Siguria e të dhënave personale kurrë nuk ka qenë më e rrezikuar. Pra, këto janë vetëm disa nga sfidat me të cilat është duke u përballur bota. Edhe Kosova nuk përbën përjashtim. Prandaj, në vend se Kosova të jetë pjesë e rrjeteve të ndryshme rajonale, e globale ajo vazhdon të mbetet e izoluar, e izolimi i vjen pikërisht nga projekti evropian, për të cilin Evropa ka ëndërruar me shekuj të tërë.

Kërkesat e BE-së ndaj Kosovës për liberalizimin e vizave janë sikur kur i kërkon një djaloshi/vajze 10-vjeçar/e që të vrapojë apo punojë sa një burrë/grua 20 vjeçar/e, diçka që anatomia e organizmit të njeriut nuk mund ta bëjë. Dhe meqë dhe shteti është si anatomia e organizmit të njeriut, atëherë është e pamundshme që një shtet i ri, me një të kaluar tepër të dhimbshme, me një mjedis rajonal të paqëndrueshëm, me një dinamikë globale që sot askush s’e kupton plotësisht, të arrijë që për 10 vjet shtet të hyjë në konkurrencë me shtete që ekzistojnë që mbi 300 vjet e më gjatë.

Sigurisht se Kosova ka shumë probleme, por probleme – bile të mëdha – kanë edhe demokracitë më të fuqishme në glob. Fakti që shtetet me traditë nuk ia kanë dalë, e as që do t’ia dalin ndonjëherë, të krijojnë mjedise pa probleme, tregon se Kosova ka një rrugë të gjatë para vetes, shumë të gjatë, për të hyrë në konkurrencë me demokraci të zhvilluara. Një mendje e ftohtë e kupton që një fëmijë i lindur nuk mund të rritet për një ditë, por duhen vite për këtë, pra duhet rrjedha normale. Edhe shteti i lindur rishtazi nuk është më ndryshe, pra duhet të fillojë të ecë, të zhvillohet dhe të hyjë në konkurrencën rajonale e globale që nuk përfundon kurrë.

Mirëpo, ky shkrim nuk ka për qëllim të ngacmojë, lëmojë apo ledhatojë askënd, pra as atë që e pëlqen apo s’e pëlqen këtë shkrim. Krejt në të kundërtën shkrimi është merr e le sa të duash gjithnjë duke reflektuar për alternativa që i shërbejnë debatit publik për temën e liberalizimit të vizave që vazhdon ta mbajë shoqërinë e Kosovës në narkozë të pafundme, ndërkohë që bota është duke bërë hapa gallopantë drejt zhvillimit dhe prosperitetit.

Evropa e Re

“Asnjë popull tjetër i botës nuk është aq i panjohur për evropianët e Perëndimit për sa i përket prejardhjes, historisë dhe gjuhës sa shqiptarët. E, megjithatë, ata janë popuj kryesorë, të lashtë e të rëndësishëm, që çdo historian do të dëshironte t’i njihte: historia e tyre do të plotësonte zbrazëti të mëdha në historinë e vjetër e të re të Evropës. Por… ata sot nuk luajnë më ndonjë rol të veçantë. Ata janë të nënshtruar, ata janë fatkeq dhe historiani shpesh është po aq i padrejtë, sa dhe njeriu i zakonshëm; ai nuk i përfill ata, të cilëve nuk iu ka prirë fati” (Johan Tunman, 1774, Leipzig,  “Kërkime në historinë e popujve të Evropës Lindore”).

E fati dhe fakti që ishim “kryesorë” dhe “të lashtë” pothuaj asnjëherë nuk u mor parasysh nga Evropa. Nuk ka as edhe një popull të vetëm në Evropë të jetë dëmtuar më shumë sesa shqiptarët pas Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Përderisa Evropa pas Luftës së Dytë Botërore bënte plane për integrimin e gjithëmbarshëm të saj, së paku të asaj pjese perëndimore që ishte nën bllokun e NATO-s, shqiptarët e mbetur në hapësirat e ish-Jugosllavisë po terrorizoheshin para syve të botës dhe po depërtoheshin në Turqi. Shkaku i mosprishjes së balancave mes Perëndimit dhe Lindjes qytetarët shqiptarë brenda hapësirave të ish-Jugosllavisë paguan çmimin më të rëndë që mund të paguajë një popull, e që ishte dhuna e terrori konstant para dhe përgjatë tërë trajektores jugosllave.

Drama maratonike e lëvizjes së lirë të njerëzve brenda Evropës kishte filluar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, duke u parë si nevojë e domosdoshme për ta rritur komunikimin mes popujve si mundësia më e mirë për t’i qetësuar mendjet e nxehta që kishin terrorizuar Evropën shekuj me radhë. E tëra fillon më 19 shtator 1946 në Universitetin e Cyrihut, kur Winston Churchill, Udhëheqësi Konservator Britanik, kërkonte pajtimin gjermano-francez dhe krijimin e një Organizate Evropiane si kusht për paqe dhe liri në gjithë kontinentin evropian.

E dërrmuar nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, Evropa nga reaktive ndezi motorët për t’u bërë pro-aktive duke ndërmarrë një sërë hapash, të cilët kishin një qëllim të vetëm: afrimin e popujve evropianë që ndër shekuj ishin hasmuar me luftëra të pafundme dhe dërrmuese. Në këtë drejtim u themeluan Këshilli i Evropës, Organizata Evropiane për Bashkëpunim Ekonomik (OEEC më vonë OECD), Komuniteti Evropian për Thëngjill dhe Çelik (ECSC), Komuniteti Ekonomik Evropian (EEC), NATO, OSBE, Politikat Ekonomike dhe Monetare të BE-së (EMU), Unioni Doganor, Tregu i Përbashkët i BE-së, Marrëveshja e Schengenit, Traktate të ndryshme, deri te Traktati i Lisbonës. Gjithsesi që të gjitha këto arritje as që do të mund të paramendoheshin pa mbështetjen e ShBA-së, interesi i së cilës ishte luftimi i komunizmit.

Sigurisht se në këtë vazhdë BE-ja kishte edhe dështimet e veta. Ndër më kryesoret janë kundërshtimi francez i vitit 1954 për mosthemelimin e Komunitetit Evropian për Mbrojtje nga frika e rimilitarizimit të Gjermanisë Perëndimore. Vlen të theksohet se ishte vetë Franca e cila kërkonte një lloj ushtrie evropiane përballë kërcënimeve të Bashkimit Sovjetik  dhe në fund pati votuar kundër. Dështim tjetër ishte edhe mosmiratimi i Kushtetutës së BE-së si rezultat i referendumit kundërshtues në Holandë dhe Francë në maj 2005.

Pa marrë parasysh të metat, projekti i BE-ë, vazhdonte të shënonte progres deri në krizën financiare globale të vitit 2008 dhe krizën e refugjatëve sirianë gjatë vitit 2015 dhe 2016, e cila i dha goditjen më të madhe projektit evropian. Filloi me krizën greke, vazhdoi me Brexit dhe është duke vazhduar me rritjen e forcave populliste dhe nacionaliste gjithandej BE-së. Se si do të duket BE-ja në vitet që vijnë mbetet të shihet, edhe pse për ne s’ka alternativë.

Se sa i rëndësishëm ishte Projekti Evropian këtë e proklamonte edhe Margaret Thatcher më 20 shtator 1988 në hapjen e vitit akademik pranë College of Europe në Bryzh të Belgjikës, e cila fliste në një moment kyç të debatit mbretërues të saj asaj kohe të Britanisë së Madhe për të ardhmen e Evropës, ku kishin filluar të rriteshin zërat se në Britani të Madhe kishte lindur lëvizja euro-skeptike. Pra, lëvizjet në ardhje drejt bashkimit të Gjermanive, jepnin percepcionin që brenda kontinentit evropian shumë shpejt do të prisheshin balancat e fuqive, sepse një Gjermani e bashkuar do të kishte, ndër të tjera, armatën më të madhe në Evropë, diçka që nuk mund të pranohej lehtë nga Franca dhe Britania e Madhe.

Zelli integrues

Pa marrë parasysh percepcionet dhe zhvillimet politike, BE-ja asnjëherë nuk ndali hapat integrues siç ishte qëllimi për lëvizje të lirë të njerëzve brenda një hapësire të caktuar. Më konkretisht, pesë shtete (Belgjika, Franca, Gjermania perëndimore, Luksemburgu dhe Holanda) në vitin 1985 patën nënshkruar Marrëveshjen e Shengenit me qëllim të garantimit të lëvizjes së lirë të njerëzve brenda territorit të këtyre pesë shteteve.

Vetëm pas 10 vjetëve angazhim maratonik të BE-së, pra më konkretisht në vitin 1995, kjo marrëveshje kishte arritur të hynte në fuqi, duke ngërthyer në vete edhe Spanjën dhe Portugalinë dhe duke e rritur numrin e shteteve anëtare nga 5 në 7. Sot hapësira e Shengenit ngërthen në vetvete 26 shtete, 22 nga të cilat janë shtete anëtare të BE-së. Përpos shteteve anëtare, hapësirën e Shengenit e shfrytëzojnë edhe të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës.

E Bullgaria, Rumania dhe Kroacia ende nuk janë anëtare të Shengenit, edhe pse janë anëtare të BE-së. Zvicra dhe Norvegjia, edhe pse nuk janë anëtare të BE-së, janë pjesë e Shengenit. Britania e Madhe, edhe pse anëtare e BE-së (deri në mars 2019), nuk ishte anëtare e Eurozonës dhe Zonës Schengen. Pra, siç shihet, BE-ja ka një sërë kombinimesh të ndryshme saqë nganjëherë është e vështirë të dihet se kush ku është. Megjithatë, kompleksiteti i BE-së nuk është në fokusin e këtij shkrimi. Përqendrimi këtu ka të bëjë me dramën maratonike të vizave për qytetarët e Kosovës si të vetmit qytetarë të Evropës që ende nuk gëzojnë lëvizjen e lirë të premtuar, diçka që shkon në kundërshtim të plotë me procesin e hapjes dhe zgjerimit të procesit të integrimit evropian në tërësinë e tij. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Behxhet Sh.SHALA - BAJGORA  Letra e Trampit dhe kultura e…