Narkoza e vizave – mit apo realitet (13)

10 janar 2019 | 11:01

Shkruan: Agron Hoti

Politika jonë

Përbërja politike e Kosovës prej viteve ’90 e deri më sot nuk ka përjetuar ndonjë ndryshim të madh rrotativ. Marrë së bashku lëvizjen paqësore, luftën dhe situatën e pasluftës, nuk është se ka pasur ndonjë ndryshim të madh. Dhe kjo politikë me të gjitha përparësitë dhe të metat ka qenë pjesë e të gjitha proceseve prej viteve ’90 e deri më sot. Është pikërisht kjo bashkësi ndërkombëtare që vazhdimisht na përsërit refrenin që Kosova dhe shtetet e rajonit janë të kapura nga politikanë të fuqishëm.

Në njërën anë BE-ja përsërit refrenin, në anën tjetër bashkëpunon ngushtë me këtë politikë jo vetëm të Kosovës, por edhe të tërë rajonit. Kjo vazhdimisht ka shkaktuar dhe shkakton konfuzion te qytetarët e Kosovës se kë duhet votuar dhe kë jo. Nëse bashkësisë ndërkombëtare kjo politikë e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor i është dashur për hir të legjitimitetit të proceseve të rënda nëpër të cilat kemi kaluar, atëherë edhe qytetarët kanë votuar konform kalkulimeve, sepse qytetarët e Kosovës janë shumë të orientuar nga veprimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe se qasja e kësaj të fundit ka ndikim të madh në orientimin e votës në Kosovë.

Fundja qytetarët e Kosovës nuk kanë mundur të nxjerrin qeverisje suedeze apo finlandeze me mentalitet ballkanik, sepse një gjë e tillë askund në botë nuk ka mundur të ndodhë e as që mund të ndodhë. Nuk do mend që bashkësia ndërkombëtare ka vepruar sipas motos “qysh është vendi bëhet kuvendi”, por nëse ky ka qenë qëllimi është dashur të thuhet së paku për hir të qytetarëve të Kosovës. Sepse qytetarët kanë besuar në procesin e përbërë nga lëvizja paqësore, luftë çlirimtare, pavarësimi dhe shtet-ndërtimi. E të gjitha këto procese u drejtuan nga kjo politikë vendore kush më shumë e kush më pak.

Nuk ka kualifikim më të rëndë se sa të thuhet “rajoni i Ballkanit Perëndimor është duke vuajtur nga kapja e shteteve nga politikanë të fuqishëm”. Por, nëse BE e di saktë që kjo është e vërtetë, atëherë pse nuk ndërmerr masa sanksionuese, p.sh. duke ndërprerë fondet për Kosovën ose siç bën SHBA me listën e zezë?!

Masat sanksionuese nuk janë të pamundshme, prandaj, nëse vërtet gjendja është e tillë, atëherë ato duhet vënë në veprim. Ç’është e vërteta masa sanksionuese nuk janë ndërmarrë asnjëherë nga BE ndaj asnjë shteti, madje fondet për Kosovë e rajon janë duke u rritur, me po këta njerëz në krye të shteteve. E në Kosovë, për dallim prej rajonit, BE e kishte dhe e ka ende instrumentin ligjor që është EULEX-i, përmes të cilit do të mund të hetoheshin, arrestoheshin dhe burgosej çdokush.

E Mali i Zi ka në pushtet të njëjtën elitë politike që para disa viteve i sillte BE-së dëme euro-miliardëshe në kontrabandën me cigare, sidomos Italisë, dhe tash na del që Mali i Zi i prirë nga kjo elitë të jetë “frontrunner” i procesit të integrimit evropian në rajon. Pra, nëse edhe Mali i Zi bën pjesë në vendet që nga BE po quhen “shtete të kapura nga elitat e korruptuara dhe kriminalizuara”, atëherë si ka mundësi që kjo elitë në fakt dëmtuese e BE-së të jetë prijëse e frontit në rajon?! Para disa viteve kjo elitë bënte veprime të rënda kriminale, kurse sot veprime demokratike, a mundet kush t’i bie në fije?!

Pastaj, së fundi ndodhi që ish-Kryeministri i Maqedonisë, Gruevski, të dënohet nga gjykata maqedonase dhe të mos futet në burg menjëherë, mundësi kjo e krijuar që Gruevski të kërkojë azil në Hungari, në një vend të BE-së, ku ne si qytetarë të Kosovës po shpresojmë të anëtarësohemi. Në anën tjetër, shteti maqedonas, përpos që nuk ka pasur vullnet për ta zbatuar vendimin e gjykatës, nuk ka lëshuar kurrfarë arresti ndërkombëtar.

Në aspektin politik kjo ikje mund të interpretohet se sa më larg Gruevski aq më lehtë kalojnë ndryshimet kushtetuese për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, diçka që Gruevski e kundërshtonte me çdo mjet duke pasur ndikim në struktura të caktuara të cilat do të mund ta destabilizonin vendin. Se a kalkuloi këtu qeveria maqedonase apo qëllimshëm nuk deshi të veprojë mbetet për t’u diskutuar, por ajo çfarë i intereson qytetarit këtu është se ku mbeti Sundimi i Ligjit në Maqedoni?! Ndërkohë, Gruevski qëndron në zemër të BE-së, pra në Hungari, në një shtet që parimisht do të ishte dashur ta ekstradonte atë menjëherë në Maqedoni. Pra, keq Maqedonia keq Hungaria, keq BE. Pra, si ta gjejë rrugën e duhur qytetari i Kosovës?!

Serbinë e udhëheq një njeri që publikisht kishte kërkuar vrasjen e myslimanëve në Bosnje e Hercegovinë, një njeri që kishte qenë pjesë integrale e aparatit shtetëror serb që bëri gjenocid ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve. Ky njeri që quhet Vuçiq, ashtu sikurse atëherë, por sot me mjete tjera, i bën obstruksione Bosnjës e Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë, të gjitha këto në favor të shtetit serb dhe në dëm të rajonit dhe Evropës.

Për t’iu kthyer prapë politikës së Kosovës, vlen të theksohet se është pikërisht kjo politikë që, herë më shumë e herë më pak merr pjesë në procese dhe ngjarje nga më të rëndësishmet ndërkombëtare, është pikërisht kjo politikë që në bashkëpunim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare ka përgatitur terrenin për pavarësinë e Kosovës, ka nënshkruar dhe nënshkruan përditë e më shumë marrëveshje ndërkombëtare (përfshirë ato financiare) me shtete e mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë.

Dhe nëse një gjë e tillë është duke ndodhur, atëherë qytetarët nuk mund të jenë plotësisht indiferent ndaj politikës së tyre. Nëse BE ka vendosur të bashkëpunojë me politikën kosovare, të cilën në raporte të ndryshme po e quan “kapëse të shtetit”, atëherë a mund të vendosin ndryshe qytetarët e Kosovës?! Madje mesatarja e mbështetjes së qeverive në vende të BE-së nuk është shumë më ndryshe se sa në vendet e Ballkanit, përshirë edhe Kosovën.

Qytetarët natyrisht që s’munden sepse kanë parë dhe shohin këtë politikë të ketë marrë pjesë dhe të merr pjesë në ngjarje e manifestime nga më të mëdhatë botërore, të takohet me njerëz e qeveri nga më të fuqishmet në glob, atëherë ata sigurisht që i besojnë kësaj politike, sigurisht që rezervat i kanë për zhvillime të caktuara që është normale për opinionin publik. Ç’është e vërteta edhe qytetarët e Kosovës i besojnë kësaj politike sipas përqindjes së njëjtë që besojnë qytetarët e BE-së në qeveritë e tyre.

Trendi i besimit të qytetarëve ndaj lidershipeve në botë është në rënie, sepse politika në botë kurrë nuk ka qenë me e ‘demaskuar’ karshi premtimeve që jep dhe ky ‘demaskim’ vetëm sa do të rritet. Turbo-shpejtësia e qarkullimit të informacionit përmes teknologjisë informative që ka kapluar globin, e ka bërë dhe ende do ta bëjë më të vështirë qeverisjen pa marrë parasysh se kush cilin shtet do ta qeverisë. Qarkullimi i shpejtë i informacionit anembanë globit vetëm sa do të rrisë pritjet e qytetarëve dhe sigurisht që presionet publike nëpër qeveri vetëm sa do të rriten. Kjo do të ndikojë në rritjen e trendëve që qeveritë të mos i shkojnë mandatit deri në fund.

Nëse procesi i liberalizimit të vizave tentohet të bllokohet me arsyetimin se shteti i Kosovës qenka i “kapur”, atëherë kjo duhet thënë haptazi dhe në të njëjtën kohë duhet të shoqërohet me masa sanksionuese të BE-s, pra të ndërpriten financat, ose të reduktohen së paku me qëllim të qytetarët e Kosovës ta marrin mesazhin. Kur e dimë që BE në Kosovë ka edhe misionin e EULEX-it që si synim parësor kishte pastrimin e Kosovës nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, më konkretisht pastrimin  dhe rrjedhimisht “ç’kapjen” e shtetit, atëherë secili qytetar me të drejtë pyet se pse ky mision i BE-së nuk veproi?!

Nëse politika e Kosovës ishte më e fuqishme se sa UNMIK-u, OSBE, EULEX-i, KFOR-i, Gjykata e Hagës dhe krejt në fund Gjykata Speciale, atëherë BE duhet vetë-reflektuar, sepse diçka këtu nuk është duke funksionuar siç duhet. Nëse tërë këta mekanizma të fuqishëm ndërkombëtarë nuk patën mundësi ta pastronin Kosovën nga kjo politikë, atëherë shpjegimi i vetëm është që bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, as edhe një herë të vetme nuk kishte për qëllim pastrimin e Kosovës nga korrupsioni.

Sepse bashkësia ndërkombëtare – gjithnjë nëse iu referohemi raporteve ndërkombëtare – korrupsionin e kishte dhe e ka prezent edhe sot nëpër vende të veta dhe se Kosova nuk ishte ajo që e kishte zbuluar atë. Për hir të së vërtetës, ka një perceptim të përgjithshëm se korrupsioni në Kosovë u mësua goxha mirë dhe duhet të kalojnë vite deri sa të ulet së paku me mesataren e vendeve të BE-së. Gjithsesi që nuk mund të mohohet perceptimi se politika e Kosovës dhe e rajonit është e korruptuar dhe se kjo do të përbëjë sfidë për zhvillimet e gjithëmbarshme në vitet që vijnë.

Prandaj, shpëtimi i vetëm i Kosovës dhe rajonit do të ishte rritja dhe përshpejtimi i investimeve të BE-së, sepse Kina, Turqia, Vendet e Gjirit dhe Rusia janë duke u treguar më efiçente dhe më të shpejta në investimet e tyre në rajonin tonë. Madje do të duhej që së paku projektet e mëdha infrastrukturore (autostrada, hekurudha, energji) të merreshin përsipër nga BE-ja pasi që janë jashtëzakonisht të kushtueshme, ndërkohë që Kosova dhe rajoni do të përqendroheshin në projekte tjera që nxisin zhvillim ekonomik. (Vijon)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati opozitar, Felix Tshisekedi, ka fituar votën presidenciale në Republikën…